Ari i Kosovës dhe Rusia e Putinit

Opinione

Ari i Kosovës dhe Rusia e Putinit

Nga: Gëzim Muçolli Më: 26 shkurt 2023 Në ora: 21:15
Autori Gëzim Muçolli

Shkurti i këtij viti mbushi vitin e parë të agresionit të Rusisë ndaj shtetit të pavarur të Ukrainës.

Lufta e shpallur kundër ukrainasve dhe lufta e pashpallur ndaj të gjitha vendeve demokratike të botës që përkrahin dhe ndihmojnë popullin liridashës të Ukrainës, Rusinë e Purinit e ka sjellur në pozitë të izolimit dhe shkatërrimit të brendshëm.

Pa dashur të shpaloset këtu kronologjia e kësaj lufte dhe qëllimet ekspansioniste të carit modern Vladimir Putin i cili nga meraku i krijimit të botës sllave dhe restaurimit të ish-Bashkimit Sovjetik , po shihet qartë se hapi i dytë ishte i paramenduar me kthimin e rimarrjes së sovranitetit të ish vendeve të paktit të Varshavës!

Problemi qëndron te historia e cila ka ecur me rrjedhën e vet dhe shtetet si Polonia, Rumunia, Bullgaria, ish Çekosllovakia, etj, tashmë janë anëtare të organizmave udhëheqës të demokracisë globale si UE, Këshillit të Europës, Nato-s, etj. dhe as që mund të realizohet ëndërra e hegjemonisë rusomadhe për kthim të çizmes të ushtarit rus në to.

Nuk është e panjohur te përgjegjësit e strukturave që garantojnë paqen dhe sigurinë në Europë se Rusia e ka edhe planin B për realizimin e prishjes së kufinjëve ekzistues dhe daljes së saj në detin Adriatik.

Ajo me ndihmën e njerëzve të saj sidomos në Ballkan ka arritur ta ruajë mbajtjen e rolit të kujdestarit sidomos duke përdorur udhëheqësit e njëpasnjëshëm të Serbisë. Edhe kryetari aktual i shtetit serb si pasues ideologjik i botës serbe ( sllave), vazhdon qorrazi t’ia kryejë detyrat e shtëpisë carit rus duke vazhduar ta mbajë Ballkanin të tensionuar e nganjëhere edhe me kërcënim

lufte për ripushtim të Kosovës si dhe aneksimin e Republika Srpska në Bosnje e Hercegovinë e pastaj edhe të Malit të zi e Maqedonisë.

Kohëve të fundit kur fronti ukrainas do të përballet me luftime të tmerrshme pas riarmatimit me ndihmat ushtarake të vendeve aleate perëndimore dhe riorganizimit të ushtrisë ruse, e cila sipas planeve të Putinit pas pushtimit të Kievit pritet që do ta pushtojë edhe territorin e Moldavisë të cilës para pak ditëve ia hoqi edhe njohjen e sovranitetit shtetëror që është fakt historik pas shkatërrimit të ish-Bashkimit Sovjetik.

Moldavisë në vitin 1990, rusët fillimisht me referendum e pastaj në vitin 1992 ia kanë pushtuar me luftë edhe pjesën e territorit të quajtur Transnistria, në kufirin lindor me Ukrainën ku është e vendosur baza ushtarake e armatës së pestë ruse e cila është vazhdimisht në pritje të urdhërit për pushtimin e portit strategjik të Odesës.

Tashmë kur qytetarët e Moldavisë, të cilët në heshtje para një viti sikur po e përkrahnin pushtimin rus të Ukrainës, e kanë kuptuar se mund të jenë kafshatë e lehtë për Putinin,sikur janë zgjuar dhe po presin me vëmendje zhvillimin e ditëve dhe javëve të ardhshme.

Meqenëse për motive pune kam njohje me shumë shtetas moldavë të emigruar në Itali e poashtu edhe me moldavë të Transnistrisë, të cilët dallohen me nga dy e tre pasaporta e nënshtetësi ( moldave, rumune dhe ruse), në biseda të hapura me ta shprehin shqetësimin e tyre dhe pyesin se si ka qenë e vërteta në luftën për çlirimin e Kosovës nga Serbia në vitin 1999.

Për ta duket se është ende i pakjartë roli i amerikanëve dhe aleatëve të Natos në çlirimin e Kosovës duke e pranuar edhe vetë se janë të ndikuar nga lajmet që marrin nga televizioni shtetëror rus i cili nuk flet mirë për Kosovën, Uçk-në, shqiptarët dhe amerikanët.

Një interesim të madh kanë që të dinë se a është e vërtetë ajo që po flitet me të madhe në Rusi, Moldavi dhe vendet përreth se amerikanët e çliruan Kosovën nga Serbia sepse tash ata kanë në dorë minierën e arit në Kosovë ku gërmojnë pa ndalur ditë e natë duke nxjerrur metalin e çmuar të cilin e grumbullojnë në bazën e tyre dhe me aeroplana e dërgojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës!

Shifet se qëllimi i propagandës ruse është krijimi i disponimit antidemokratik dhe antiamerikan duke krijuar gënjeshtrën e tyre se amerikanët e çliruan Kosovën për ta bërë koloni të tyre për ti shfrytëzuar thesaret minerare kombëtare.

Kjo propagandë ruse që është  intensifikuar kohëve të fundit ka krijuar një huti strategjike dhe frikësim të moldavëve se do ta pësojnë e do të bëhen koloni e huaj nëse nuk i nënshtrohen paqësisht vëllezërve rusë duke u futur nën hegjemoninë sllavomadhe.

Është koha që në Prishtinë të ndërmirren masa të vazhdueshme që të forcohet roli i propagandës shtetërore dhe i diplomacisë së Republikës së Kosovës në bashkëpunim me shtetet aleate  e të luftohet propaganda ruse e cila synim të vetin kryesor e ka rrënimin e paqes duke ndihmuar pushtimin e ëndërruar të Kosovës nga aleati besnik i Rusisë, shteti serb i cili asnjëherë deri më tash nuk u distancua nga projekti global  i botës sllave dhe ai rajonal i Serbisë hegjemoniste, tokat imagjinare të së cilës lagen nga tre detra.

Minierat e Kosovës e kanë të shkruar historinë bashkë me Kosovën dhe po presin që të fillojnë e të punojnë me kapacitete të plota duke prodhuar mineralet e çmueshme e shumë të kërkuara nga indistritë e vendeve që udhëheqin ekonominë botërore.

Me konsolidimin e shtetësisë së Kosovës emri i Trepçës do ti prarojë aspiratat e popullit të shtetit më të ri në Europë që të jemi një vend ekonomikisht i përparuar duke harruar opcionin e mërgimit si fazë e kaluar e historisë sonë kombëtare.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat