20 të vrarët e familjes Jashari dhe daja Osman Geci që ka vdekë për nipat Adem e Hamz Jashari

Opinione

20 të vrarët e familjes Jashari dhe daja Osman Geci që ka vdekë për nipat Adem e Hamz Jashari

Rexhep Shahu Nga Rexhep Shahu Më 6 mars 2023 Në ora: 21:32
Shaban, Adem dhe Hamz Jashari

“Kam ardhë me dekë daja me ju, nipash”, ende jehon në Prekaz e përjetë do të jehojë kjo fjalë e dajës Osman Geci, fjalë që ua tha nipave të tij Adem e Hamz Jashari në oborrin e kullës së Jasharve kur mbërrini në Kullë me u dalë zot nipave që ishin rrethue prej policëve serbë në fillim Mars 1998.

Osman Geci, daja i herojve Adem e Hamz Jashari u vra në luftë në oborrin e Kullës së Jasharëve duke luftuar, duke u dalë zot nipave të tij.

Ai e ngriti dhe lartësoi deri në qiell institucionin e dajës duke mbetë përjetë në histori e në këngë si shembull e model frymëzimi e krenarie.

20 pjestarë i janë vrarë familjes Jashari në betejën e fillim Marsit ‘98 në shtëpinë e truallin e saj. Numrin 20, “kopetentet” e UÇK bëjnë 28. Pra me padije, nënvlerësim, shpërfillje, keqdashje a ligësi sa here kanë interes dhe iu duhet Familja Jashari, ia vrasin me deklarime në media edhe 8 (tetë) njerëz familjes Jashari. Mbase ju duken pak 20 të vrarët e kësaj familje. Kaq dashamirë e të vemendshëm janë treguar me Familjen Jashari… me “komandantin” Adem Jashari e familjen e tij sa ia shtojnë të vrarët, ia vrasin edhe tetë anëtarë familje… pra nuk e dinë saktësisht sa njerëz i janë vrarë familjes Jashari.

Unë nuk do të përmend me emër asnjë individ fallsifikator sepse nuk ia vlen, kjo nuk është punë e një individi, është informacion i pasaktë që nuk buron nga baza por që qarkullon mbi dy dekada që nga Marsi 1998 dhe fatkeqësisht nuk ia vret veshin askujt. Rrejnë për Familjen Jashari pa dert, duke marrë prej famës e madhështisë së asaj familje. Dhe nuk u skuqet faqja pse rrejnë. Kjo do të thotë ose nuk i dëgjon askush ato që i thonë këto gjëra, këto rrena, këto lajme, ose dëgjuesit janë të atij niveli sa kur u thua fluturon gomari ata thonë po, fluturon gomari... Rrejne qenqe se Adem Jashari ka qenë komandant i UÇK pa qenë i tillë asnjë orë, asnjë ditë. Rrejnë se Adem Jashari ka qene komandant legjendar i UÇK kur ai dhe UÇK nuk janë legjendë por janë realitet historik, kanë ekzistuar e jetuar në ditët tona, në kohë historike reale dhe i ka gjallë shokët, familjarët, nipat e mbesat Adem Jashari dhe UÇK i ka gjallë shumicën e ushtarëve.

Thonë se të tjerët nga numri 58 a 59 i të vrarëve në Prekaz janë vra duke ndihmuar familjen Jashari, se i kanë shkue në ndihmë familjes Jashari… Shpesh thonë se UÇK i shkoi në ndihmë Familjes Jashari.

Kjo është rrenë me xixa fallsifikim me xixa, pasi tre vetë janë vra duke ndihmuar e luftuar krah familjes Jashari, daja i Adem e Hamz Jasharit, Osman Geci që ka shkue me u dalë zot nipave, duke e lartësue institucionin e dajës që vdes për nipat dhe dy kurshërij të tjerë, Faik Jashari e Ali Jashari.

“23 veta janë vra në truallin tonë, më thotë Bekim Jashari, kryetari i komunës Skënderaj, djali i Hamz Jasharit të cilit nga familja e ngushte i janë vra 9 veta, dy prindërit, pesë motra e dy vëllezër. 20 të vrarë janë nga familja jonë, ku shtohen daja Osman Geci që ka ardhë ektra për të luftuar me nipat, Ali Jashari e Faik Jashari. Isak Halili është vra duke ardhë në ndihmë.”

23 vetë janë vrarë në Kullën e oborrin e Familjes Jashari, 20 të vrarë janë anëtarë të Familjes së Adem e Hamz Jasharit dhe tre të tjerët që kanë ardhë me u dalë zot. Isak Halili është vrarë duke u afrue te familja Jashari me i dalë zot. Askush tjetër, asnjë tjetër. Familja Jashari në luftën e qëndresën e saj nuk ishte UÇK, nuk ishin të veshur me uniforma të UÇK, nuk ishin formacion ushtarak i UÇK pjestarët e vrarë të Familjes Jashari. Por ishin familja shqiptare që mbron veten, shtëpinë, fëmijët, gratë, pragun, kullën, jetën. Familja shqiptare Jashari e Prekazit të Drenicës me qëndresën e luftën e saj bëri epope, por nuk është kjo Epopeja e UÇK, është Epopeja e Familjes Shqiptare, mos ia vidhni, mos ia përvetësoni epopenë Familjes Jashari, Familjes shqiptare, mos fallsifikoni. Fallsifikoni duke ia shtuar 8 (tetë) pjestarë të vrarë Familjes Jashari, nga 20 ia bëni 28. Po emrat nuk ua shkruani dot këtyre 8 të varëve të Familjes Jashari se nuk ekzistojnë të vrarë. Fallsifikoni duke e bërë si të UÇK-së luftën e qëndresën e Familjes Jashari, kur ajo nuk është luftë e qëndresë e UÇK por veç e Familjes Jashari. Fallsifikoni duke zmadhuar numrin e pjestarëve të UÇK, por megafallsifikim bëni duke bërë 50-60 mijë numrin e veteranëve të UÇK. Për ta kërbulë tamam, bëjeni 28 mijë numrin e dëshmorëve të UÇK. Kur po vishni në kompjutër nëpër fotografi me uniformat e UÇK dhe me stemën e UÇK edhe në fotografitë e vitit 1990 a 1992 kur nuk janë njoftë atehëre këto simbole të UÇK apo uniforma e saj, fallsifikimi bëhet kriminal sepse deformon historinë dhe zhbën të vertetën duke i bërë atentat të rëndë një qëndrese reale. Shqipëria jeton ende në rrena, ende nuk u shkruan kurrë as katër mijë emra deshmorësh, nuk u gjetën kurrë as tre mijë varre deshmorësh, por në libra e në këngë jeton mashtrimi e fallsifikimi 28 mijë dëshmorë. Si veteranët e UÇK… ose si UÇK refugjate apo UÇK e pasluftës…

Kam ardhë me dekë daja me ju nipash, ende jehon në Prekaz kjo fjalë e dajës Osman Geci, fjalë që ua thotë Ademit e Hamzit kur hyn në oborr të Kullës së Jasharëve..

Asnjë tjetër as UÇK as LPK as LKÇK as nga Komiteti Qendror i PPSH a PKSH i Tiranës as nga Zvicra as nga Gjermania as nga Suedia e Norvegjia as nga ambasada shqiptare në Beograd… nuk i ka dalë zot Familjes Jashari e cila iu bë kurorë lirisë së Kosovës.

34 a 35 banorët e tjerë të Prekazit të Poshtëm janë vrarë mizorisht nga forcat serbe në shtëpitë e oborret e tyre ato tre ditë Marsi 1998 por nuk janë vrarë në oborr as në Kullën e Familjes Jashari. Kaq duhej ta dinë ata që thonë se janë mitra e UÇK.

Familjen Jashari na mësoi ne shqiptareve qëndresën dhe na tregoi se sa i lartë është çmimi i lirisë dhe ne duhet të heshtim së paku me dinjitet sepse i jemi borxh familjes Jashari.

Intrigat e politikes enveriste për ta privatizue edhe familjen Jashari e qëndresen e saj nuk na lënë që të bëhemi fisnike.

Familja Jashari mbetet gjallë në kujtesën e shqiptareve si sakrifikuesja më e madhe, kampionia e sakrificës njerzore, modeli i pambërritshem i sakrificës për liri e dinjitet njerzor që na mësoi se si vdiset për Lirinë, se si hyhet në pavdekësi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat