Perëndimi po e shtyn Serbinë ta gënjejë përsëri

Opinione

Perëndimi po e shtyn Serbinë ta gënjejë përsëri

Më: 22 mars 2023 Në ora: 12:22
Autori Isa Zymberi

... dhe këtë po e bën me vetëdije të plotë. E keqja është se Serbisë po i kërkohet ta bëjë atë që di më së miri - në fushën e gënjeshtrave Serbia është kampione absolute, rrallëkush mund t'ia kalojë.

E keqja tjetër është se këtë proces po e udhëheqë një BE, për momentin pa vizion, e zbehur dhe e dobësuar, bashkë me një administratë të SHBA-së, e cila nuk është në ditët e saj më të mira.

Në këto rrethana, udhëheqësit kosovarë, qoftë ata në pushtet apo opozitarët, nuk ia vlen të humbin kohë duke peshuar veprimet e njërës apo tjetrës palë, tani apo në të kaluarën. Sado që janë të kritikueshme veprimet e udhëheqjeve të kaluara, ato nuk zhbëhen dhe shumë vështirë përmirësohen. Prandaj, liderët pushtetarë dhe opozitarë duhet në këtë moment t'i evitojnë akuzat e kundër-akuzat. E mira do të ishte që të gjithë të përpiqen t'i parashohin pasojat e marrëveshjes dhe të punojnë bashkë në strategjitë e shmangies apo limitimit të dëmtimeve të mundshme, mbase dhe të paevitueshme, që do t'i vinë nga Serbia.

Sjelljen e palës serbe shqiptarët e Kosovës e njohin fort mirë, madje pakrahasimisht më mirë se cilido ndërkombëtar.

Serbia, përmes Vuçiqit, e ka pranuar deklarativisht planin franko-gjerman, kurse Kosova, përmes Kurtit, e ka shprehur gatishmërinë e nënshkrimit të këtij plani. (Ndoshta Kurti është dashur ta nënshkruante planin në mënyrë që ta betonizonte në njëfarë mënyre tekstin e saj, dhe t'ua linte në dorë ndërkombëtarëve ta bindnin ose jo palën serbe. Madje Kurti, në një rast të tillë, ka mundur të deklaronte se nuk do të kishte dialog pa e nënshkruar edhe pala serbe atë që e ka pranuar deklarativisht.)

E njëjta lojë u luajt dhe në Ohër. Vuçiqi e pranon aneksin, por nuk e nënshkruan, Kurti e pranon dhe deklaron se do ta nënshkruante, por nuk e ka nënshkruar pasi pala serbe ka refuzuar. Tolerimi që i bëhet Serbisë ia mundëson Vuçiqit të tallet jo vetëm me Kosovën por edhe me ndërkombëtarët në të njëjtën kohë.

Të gjitha shenjat janë se kjo është një marrëveshje që vështirë se do të gjejë zbatim përtej krijimit të 'asociacionit' për ç'gjë po këmbëngul treshja Borel- Lajçak- Escobar, një ekip që lë tepër shumë për të dëshiruar.

Presioni dhe kushtëzimet ndaj palës më të dobët janë gjithmonë më të lehta.

Kosovës tani nuk i mbetet gjë tjetër përveç t'i hyjë punës së përpilimit të strukturave vetë-menaxhuese për komunat me shumicë serbe. Nuk duhet pritur që këtë ta bëjnë të tjerët ashtu siç është pritur që vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës rreth Asociacionit 2015 të përfilleshin nga të tjerët pa ndërmarrë asgjë vetë.

Fjala 'asociacion' tani duhet të bëhet fjalë e ndaluar në kuadër të asaj që do të prodhojë kjo marrëveshje.

Vetë-menaxhimi, i kombinuar me mungesën e pushtetit ekzekutiv për komunat me shumicë serbe, megjithatë i krijon Kosovës disa mundësi që nuk i ka pasur më herët.

Edhe në institucione më të thjeshta ekziston pozicioni i menaxherit jo-ekzekutiv ashtu si dhe i menaxherit ekzekutiv. Nëse Kosova ia del t'ua mvesh komunave serbe petkun e menaxherëve jo-ekzekutivë, atëherë kjo do të mund të konsideroj si një element limitues i dëmit që Serbia mund t'i shkaktojë Kosovës.

Serbia, kur ta vlerësojë se mund ta dëmtojë Kosovën, arsyet i gjen ku dhe si të dojë. Me ose pa 'asociacion', problemet e Kosovës me Serbinë nuk do të zgjidhen përderisa perëndimi e lejon Serbinë të hajë me dy lugë, madje duke u kujdesur t'ia mbajë pjatën plot.

Absurdi është se Kosovës i kërkohen vazhdimisht lëshime, kurse Serbisë i hapen rrugë për anëtarësimin në BE, një anëtarësim që ajo thjesht nuk e do. Me lojën Perëndim-Putin, Serbia është faktorizuar në atë masë sa ndjen se mund të diktojë rreth zgjidhjeve në Ballkan sipas interesit të 'botës serbe'.

Në këto rrethana, e shkreta Kosovë ka një mbështetje të zbehur, shpesh dhe jo serioze, të Perëndimit. Ajo nuk e gëzon madje as mbështetjen e 'Shqipërisë mëmë'.

Kosova duhet të vazhdojë të dëshmojë se nuk ua ka frikën të drejtave të mirëfillta të pakicave jo-shqiptare. Mirëpo, shkëputja e këtyre të drejtave, apo ngritja e tyre në një nivel të caktuar vetëm për pakicën serbe në Kosovë, do ta bëjë marrëveshjen e Ohrit, nëse do mund të quhet kështu, një marrëveshje turpi.

Megjithatë, për ta mbajtur gjallë pavarësinë, nga e cila nuk do të heqë dorë kurrë për asnjë çmim, Kosova duhet ta hajë këtë turp si të ishte një tortë e shijshme.

Është e domosdoshme të punohet për paqe, pa harruar përgatitjet për mbrojtje.

Kërcënimet e Serbisë për luftë do të vazhdojnë, pa marrë parasysh marrëveshjet e arritura. Po të kishte shkuar plani i Putinit në Ukrainë sipas parashikimeve të tij, fronti i luftës në Ballkan tashmë do kishte qenë i hapur. Ky front, sipas të gjitha parashikimeve, fillimin do ta kishte pasur në Kosovë.

Kjo mundësi vazhdon të jetë e hapur, edhe pse varet shumë nga zhvillimet e mëtejme në Ukrainë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat