Tri arsye pse nuk duhen manifestime kundër Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë!

Opinione

Tri arsye pse nuk duhen manifestime kundër Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 2 prill 2023 Në ora: 19:43
Jakup Krasniqi, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Kadri Veseli

Një marsh për drejtësinë u mbyll pasditen e sotme në bulevardin e Prishtinës. Ishin mijëra qytetarë, ata të cilët u solidarizuan me disa krerë të Ushtrisë Çlirimtare që sot gjenden në Hagë. Nesër hapet gjyqi ndaj tyre. Organizatorë të këtij manifestimi kundër Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë ishin njerëz të afërt me Partinë Demokratike të Kosovës dhe si të tillë ata kanë gjithë të drejtën e Zotit ta bëjnë këtë. Të manifestojnë e t’i mbrojnë ish-liderët e kësaj partie të akuzuar për krime. Deri këtu gjithkush duhet të mirëkuptohet. Por lindin disa dilema?

E para, a synoi kjo protestë të bëjë presion kundër drejtësisë, apo kërkoi drejtësi? Nga gjithçka që u tha dhe u bë, del përfundimi se qëllimi ishte presioni ndaj drejtësisë dhe jo të bërit drejtësi. Këtë synim nuk e fshehu as kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Për organizatorët, folësit, për Edi Ramën dhe të tjerë, Hashim Thaçi e të tjerët në Hagë janë të pafajshëm. Atyre po u bëhet padrejtësi. Madje shkojnë deri te paradigma se pesë të akuzuarit në këtë gjykatë janë vetë Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Si narrativa për të fajësuar gjykatën, ashtu dhe për ta barazuar gjykimin e për ish-komandantëve të UÇK-së janë të gabuara. Në demokraci dhe për ata që mendojnë për demokracinë gjithmonë kërkohet të bëhet drejtësi, jo të përjashtohet dikush nga të bërit drejtësi. Gjithkush uron që Thaçi, Veseli, Krasniqi, Selimi apo të tjerët të dalin të pafajshëm nga ajo gjykatë. Ky urim duhet bërë nga ne të gjithë. Por të bësh presion mbi drejtësinë, kjo do të thotë të sillesh me arrogancë ndaj saj. Këtë po e bën PDK dhe Edi Rama. D.mth. këto subjekte nuk janë të reformuar si demokratë dhe qytetari duhet t’i gjykojë për këtë. Së paku të mos u besojë për të qenit demokratë. Ata që duan diktaturë, le të bëhen bashkë me ta. Ndërsa taktika për t’i identifikuar me UÇK-në shkon në favor të akuzave të Beogradit, sipas të cilit në Hagë po gjykohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Këtë thotë edhe Vuçiç, Daçiç, por në kontekstin e përpjekjeve për të fajësuar Kosovën dhe jo disa individë.

Së dyti, dilema tjetër lidhet me mos-pjesëmarrjen e familjes Jashari në këtë protestë. Vërtetë pse pjesëtarë të kësaj familjeje nuk u solidarizuan në këtë protestë? Unë thjesht po hamendësoj, por me logjikë. Hashim Thaçi prej kohës së luftës e deri më sot ka punuar për ta eklipsuar kontributin e Adem Jasharit dhe familjes së tij, me qëllimin e vetëm që historia ta ketë atë si protagonist kryesor të luftës. Atij nuk i konvenoi kurrë identifikimi i UÇK-së me Adem Jasharin dhe familjen e tij. Prandaj nuk ia ngriti një monument në qendër të Prishtinës. E projektoi Ademin si lider lokal.

Të njëjtën gjë po bën edhe PDK dhe Edi Rama. Dhe kjo ndodh për një fakt të kuptueshëm. Zoti Thaçi nuk ka dëshmorë e viktima të luftës në rrethin e ngushtë të familjes së tij. Është e çuditshme, pse Serbia vrau e asgjësoi 56 anëtarë të Familjes Jashari, përfshirë dhe komandantin Adem Jashari dhe nuk asgjësoi asnjë anëtar të familjes së ngushtë të Hashimit. Beogradi ka shënjestruar plot familje të liderëve të Kosovës, përfshirë dhe ata që nuk ishin në luftë, si Fehmi Agani. Por nuk shënjestroi familjen e Hashim Thaçit! Ky kompleks inferioriteti që krijon sakrifica e Jasharëve e vu Hashimin kundër saj.

Së treti, krerët e UÇK-së që gjenden në Hagë akuzohen edhe për krime kundër shqiptarëve. Viktima e këtyre krimeve janë kryesisht anëtarët dhe simpatizantët e Lidhjes Demokratike. Dilema është se çfarë e motivuan Isa Mustafën, Skënder Hysenin e të tjerë në LDK, që u solidarizuan me këtë protestë?! Po sikur të vërtetohet fajësia e tyre në eliminimin e kundërshtarëve politikë, çfarë do të bëjnë këta?

Duket se në LDK disave nuk u del shpirti nga lidhjet me Hashim Thaçin. Duket gjithashtu se këta janë marrë peng përmes korrupsionit prej tij. Nëse nuk është kjo arsyeja, atëherë duhet menduar se mos këta kanë të njëjtin padron me Thaçin! Shkaqe të tjera nuk shoh. Por nuk e di pse nuk reagojnë djali i Xhemail Mustafës, vajza e Enver Malokut, vëllezërit Manaj etj. Si mund të pajtohen këta që “kryetari i nderit” i LDK-së të solidarizohet kundër një gjykate, e cila ka për objekt vendosjen e drejtësisë për viktimat e kësaj partie! Vërtet është e pakuptueshme kjo. I vetmi që reagoi si burrat ishte Fetah Rudi! Pyetjet që ai shtronte janë epike! Janë testament! Duhen lexuar dhe duhen kuptuar mirë! Ndryshe LDK nuk do të bëhet vetvetja!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat