Nga dje Mali i Zi, politikisht, u bë pjesë e “botës serbë” drejtë formimit të Serbisë së madhe në Ballkan!

Opinione

Nga dje Mali i Zi, politikisht, u bë pjesë e “botës serbë” drejtë formimit të Serbisë së madhe në Ballkan!

Nga: Rexhep Elezaj Më: 3 prill 2023 Në ora: 11:48
Rexhep Elezaj

Në Mal të Zi dje u mbajt rundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale, të cilat me shumicë të votave i fitoi kandidati i koalicionit “Për Evropën tash”, Jakov Millatoviç, duke e mposhtur presidentin aktual, z. Milo Gjukanoviç.

Pra, ndodhi ajo të cilën me muaj të tërë para këtyre zgjedhjeve e kanë proklamuar qarqet hegjemoniste serbo-ruse në Ballkanin perëndimor dhe më gjerë, siç kanë deklaruar hapur, se do ndërmarrin çdo gjë që në Mal të Zi zgjedhjet presidenciale t’i fiton blloku pro-serbo-rus, ashtu edhe siç ndodhi dje!

Madje, ka disa vite që SANU e Serbisë e ka shpallur hapur planin hegjemon serb për krijimin e “Botës Serbe” (Srpski svet), pikërisht në kohën kur midis Edi Ramës, H. Thaçit dhe A. Vuçiqit zhvilloheshin bisedimet në Nish, Novi Sad, etj., për ndarjen e Kosovës përgjysmë midis serbëve dhe shqiptarëve, sipas planit të “babait” të kombit serb, Dobrica Çosiqit (1982), për një ndarje gjoja historike mes shqiptarëve dhe serbëve. Dhe, pikërisht ishte projekti serb i “Ballkanit të hapur” pjesë e zgjerimit të “Botës serbe”, si një hallkë e fuqishme për realizimin e projektit serbomadh në Ballkan, pra formimin e Serbisë së madhe, për të cilin projekt ka investuar mund dhe angazhim të madh, mjerisht, kryeministri aktual i Shqipërisë, Edvin Kristaq Rama..!?

Dhe, meqë ky plan u dështoi keq armiqve të kombit shqiptar, Rusisë dhe Serbisë, ata, pra Rusia fashiste në krye me kriminelin V. Putin, pa humbur kohë bëri agresion ushtarak mbi Ukrainën, luftë kjo e cila në esencë ka për synim kthimin e Rusisë cariste dhe imperialiste në Evropë, siç ishte nga shekulli 18-të deri në fillim të shekullit 20-të, dhe, që pas “fitores” ushtarake në Ukrainë t’ia bashkëngjitë pastaj bllokut ruso-carist, Bjellorusinë, Moldavinë, Serbinë, Republika Srpska, Malin e Zi dhe Maqedoninë, ku dje ky bllok shënoi fitore të pastër politike në dobi të formimit të Serbisë së madhe në Ballkan, gjegjësisht të Rusisë cariste në Evropë dhe më gjerë në Azi. Qëllim ky nga i cili rusofilët dhe serbofilët në Ballkan dhe Evropën lindore, kurrë nuk do heqin dorë, dhe, ç’është më e keqja, gjithë këtë luftë për krijimin e boshtit-aleancës sllavo-ruso-ortodokse, në linjën; Moskë-Minsk-Beograd-Banjallukë-Podgoricë-Shkup, po e bëjnë nën petkun e rremë, se gjoja na paskan orientime pro-perëndimore. Një gënjeshtër kjo morbide..!?

Këtu dua të shtoj një mendim personal, dhe ai është, se personalisht jam skeptik i madh, se miqtë tanë amerikan do ia dalin që Serbinë ta nxjerrin nga thonjtë e orbitës së hegjemonisë rusomadhe. Qofsha i gabuar!

Se është kështu, më së miri e dëshmuan shumica e qytetarëve të Mali të Zi, pra diku 60% e tyre, të cilët dje qartë e votuan opsion pro-rus dhe pro-serb, pra jo vetë kandidatin, i cili edhe ashtu nuk ka ndonjë kredibilitet në politikën malazeze, duke dëshmuar kështu se shumica e votueseve në Mal të Zi janë kundër procesit të integrimit të tyre në BE, se janë kundër NATO-s dhe botës demokratike perëndimore..!?

Besoj se i keni parë manifestimet në të gjitha sheshet e qyteteve në Mal të Zi, përveç në Cetinjë, të përkrahësve të fitores së këtij farë J. Millatoviçit, të cilët festonin me flamuj të Serbisë dhe Republika Srpska-s në dorë, duke brohoritur para kishës ortodokse serbe në Podgoricë, “Kosova është Serbi, Serbia është atdheu ynë, Mali i Zi po kthehet në shtëpi, së shpejti, o vëllezër, do jemi një shtet, Mali i Zi është djepi i Serbisë, më në fund u bashkuan dy sytë e një koke, tanimë filloi bashkimi e vendeve serbe (srpske zemlje), rroftë Mali i Zi serb”.., etj etj., parulla dhe këngë çetnike me përmbajtje dhe intonime puro pro-serbe.

Është mjaftë interesant të thuhet me këtë rast, se një analist malazez të cilin e dëgjova mbrëmë, tha në mënyrë decidive, “se po të mos ishte Mali i Zi anëtar i NATO-s, sonte në Podgoricë do hynin tanket e Serbisë”..!?

Por, se kah do shkoi në të ardhmen Mali i Zi, drejtë BE-së, apo drejtë “botës serbe”, pra drejtë Rusisë cariste dhe kolonialiste, mbetet të shihet në javët dhe muajt në vazhdim, kur ky shtet para vetes e ka edhe një shans të madh që ta shpëtojë veten nga kolonializmi serbo-ruso-ortodoks, nëse në zgjedhjet parlamentare që do mbahen me 11 qershor, do fitonte koalicioni për Malin e Zi, i udhëhequr nga DPS-i, partia e Milo Gjukanoviçit!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat