Gjergj Kastrioti, shëmbëlltyrë e pathyeshmërisë dhe atlet i lirisë

Opinione

Gjergj Kastrioti, shëmbëlltyrë e pathyeshmërisë dhe atlet i lirisë

Gjon Keka Nga Gjon Keka Më 14 prill 2023 Në ora: 21:09
Gjergj Kastriot Skënderbeu

Gjergj Kastriot Skënderbeu kishte trup të zhvilluar të një atletiku dhe shumë autorë e kronistë të kohës e theksojnë këtë në studimet e tyre. Por, mbi të gjitha, përveç zhvillimit muskulor trupor që kishte, ai ishte edhe një “atlet i luftës për liri” ose, më mirë mund të them ishte “Atlet i Lirisë”. Në luftë me akrobacionet e tij dhe strategjinë e tij të njohur ai korrte fitore në të gjitha fushat. Dhe, siç mësojmë nga përvoja, Liria kërkon atletë për të mbërritur te qëllimi i realizimit të saj. Por jo vetëm atletë, edhe patriotë e liridashës, sepse një shoqëri apo individ që nuk e do lirinë, ai kurrë nuk mund të bëhet atlet i Lirisë.

Edhe atletët e Lirisë e kanë derdhur gjakun e tyre në rrënjët e pemës së kombit të tyre. Kjo për faktin se, nëpërmjet sakrificave të tyre në rritjen e Pemës së Kombit, atdheu i tyre ka arritur të ketë shkëlqimin e dritës dhe të zhvillimit të së mirës së përbashkët.

Vetëm mohuesit, renegatët, të vëllazëruarit me pushtuesin otoman, në fakt, ata kanë në zemrat e tyre varrin dhe jo jetën e Lirinë, ata e përdhosin petkut e pastër arbëror dhe identitetin kombëtar europian të Arbërisë. Zemra e një shoqërie, e një arbërori të vërtetë ose është zemër e vulosur me Lirinë Kastriotiane, ose nuk mund të jetë zemër e një arbërori të vërtetë. Skënderbeu ishte “Atlet i Lirisë”, sepse shkronjat e arta të Lirisë i kishte të shkruara në brendësinë e zemrës së tij. Gjergj Kastrioti nuk kishte frikë nga sakrifica e madhe për të vërtetën dhe drejtësinë; ai në fakt hoqi dorë nga liria e tij personale në momentin kur ndërmori planin e tij të madh në rikthim për të shpëtuar lirinë e Arbërisë. Kjo do të thotë se ai e vendosi shpirtin dhe veten në tërësi si flijim për atdheun, edhe pse planin e rikthimit e kishte bërë në mënyrë të përsosur. Edhe përkundër rreziqeve të shumta, si nga armiqtë e jashtëm ashtu edhe nga ata të brendshëm, ai mbeti një lider vizionar, një strateg, një arbëror besnik i udhës së etërve dhe një engjëll mbrojtës i themeleve të shtetit të Arbërisë, që tashmë ishte rimëkëmbur dhe unifikuar.

Skënderbeu luftoi me guxim dhe ushtarakisht pro libertate Arberia et Europa, pra për lirinë e Arbërisë dhe të Europës. Kjo e bën atë një engjëll mbrojtës të atdheut të përbashkët europian dhe të civilizimit të saj. Falë lirisë së tij, që i kishte hedhur rrënjët në zemrën e tij e gjithë Arbëria, sepse ai ishte shpresa e vetme, vendi në kohën e tij gëzonte lirinë e vërtetë për të jetuar, vepruar dhe punuar si arbëror i vërtetë europian. Virtytet e tij konstante e shpalosën atë jo vetëm si një “Atlet të Lirisë”, por edhe si një vizionar e ligjbërës për të mirën e vendit të tij. Vërtet, po të analizohet në tërësi vepra dhe jeta e tij, në shërbim dhe mbrojtje deri në fund të jetës së tij, të Arbërisë dhe Europës, atëherë ai del të jetë edhe një “Atlet i Lirisë”, një atlet i famshëm inclytus Athleta jo vetëm i Arbërisë, por edhe i tërë kontinentit europian.

Ndërsa për shumë historianë, studiues dhe shkrimtarë të ndryshëm europianë, Gjergj Kastriot Skënderbeu ishte Mburoja, Gideoni, Athleta Christi, Shpëtimtari, Makabeu etj.[Gjon Keka]

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat