Maji i kuq i Çikagos

Opinione

Maji i kuq i Çikagos

Nga: Ismail Muçiq Më: 2 maj 2023 Në ora: 16:30
Ismail Muçiq

Sa herë që vjen 1 Maji na e rikthen kujtesën dhe nostalgjinë e kohës kur në qytetin e Çikagos në Amerikë klasa punëtore u ngritë në këmbë për t’i kërkuar të drejtat elementare të punës. Kjo ngjarje ishte simboli dhe momenti historik që shpërtheu gjithandej ku rrugët e Çikagos u përgjakën me dhunën më të ashpër të pushtetit kapitalist kundër punëtorëve.

Po kjo ngjarje arriti që klasa punëtore gjithandej shteteve të Botës të aktivizohet për të drejtat elementare kundër burokracisë dhe pushteteve të ndryshme autoritare që vepronin në shtetet e ndryshme të botës.

1 Maji pasqyron të kaluarën historike të punëtorëve të cilët në disa shtete të drejtat elementare të punëtorëve shkeleshin në vazhdimësi. Klasa punëtore arriti të drejtat elementare të punës të organizohet përmes formave sindikale, duke i detyruar patronët e sistemit kapitalist që tu përgjigjen kërkesave punëtore për përmirësimin e kushteve të punës, për shkurtimin e orarit, për ngritjen e pagave si dhe për të drejtat në mbrojtjen dhe shërbimet shëndetësore.

Mjerisht në Republikën e Kosovës dhe në vendet tjera të Ballkanit organizimi sindikal i punëtorëve, është zbehur skajshmërisht. Të ashtuquajtura celula sindikale ekzistojnë në letër vetëm formalisht. Nuk ka aktivitet kreativë dhe organizativ nga strukturat të cilat kinse flasin në emër të klasës punëtore. Gjendja e pavolitshme në Kosovë qëndron në sektorin privat ku punëtorët diskriminohen në shumë mënyra. Punëtorët punojnë pa orar të punës , pa mbrojtje shëndetësore me të ardhura minimale pa shuajt (ushqim) të nxehtë duke u diskriminuar dhe shfrytëzuar pa mëshirë.

Duhet theksuar se për shkak të defekteve dhe padrejtësive më të ndryshme shoqërore sot intelektuali i shkolluar i përgatitur me standarde të kërkesave të kohës është i kushtëzuar të punojë tek pronari i pa denjë i ndërmarrjes apo i fabrikës private pa kushte të nevojshme duke u shkelur dija dhe profesionalizmi i tij.

Këto dukuri janë prezente vite me radhë që nga pas lufta, të cilat po e dëmtojnë personalitetin dhe djersen e punëtorëve të cilët meritojnë trajtim dhe stimulim për punën që bëjnë. Prandaj 1 Maji Festa e Punëtorëve ende ka mbet si datë simbolike e të kaluarës kur organizimi sindikal i punëtorëve ishte shumë më i pjekur, më i organizuar dhe më domethënës.

Shteti i Kosovës dhe institucionet përkatëse e kanë obligim moral, ligjor dhe Kushtetues që përmes mekanizmave ligjorë punëtorëve që punojnë në të gjitha sektorët qoftë në atë privatë apo atë publik tu mundësoj realizimin e të drejtave elementare të punës. Kjo është e lidhur ngushtë me zhvillimin e ardhshëm ekonomiko shoqërorë të Republikës së Kosovës dhe me stabilitetin e klasës punëtore në të gjitha sektorët që punojnë. Nuk guxojmë të krijojmë klasa dhe padrejtësi. Sistemi ynë demokratik duhet të jetë vlerë për perspektiven dhe mirëqenien e të gjitha shtresave të klasës punëtore. Padrejtësitë në politikën e punësimit i kanë detyruar njerëzit të kërkojnë punë në vende të ndryshme të Evropës duke e zbrazur Kosovën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat