Ku kemi arritur përmes axhamisë, ta kritikojmë edhe shtetin e Gjermanisë

Opinione

Ku kemi arritur përmes axhamisë, ta kritikojmë edhe shtetin e Gjermanisë

Nga: Dedë Preqi Më: 11 maj 2023 Në ora: 15:16
Autori Dedë Preqi

Këto ditë PSD-ja, e organizuar del para Ambasadës gjermane në kryeqytetin tonë, po në Ditën e Evropës, dhe pretendon ta « faturojë » shtetin e Gjermanisë, sepse po na i merr njerëzit tanë në punë në shtetin e vet, dhe siç thonë ata edhe pa kontratë dhe pa ndonjë përfitim ndërshtetëror, siç janë mjekët, infermierët dhe të tjerë, të cilët në realitet kanë shkuar vetë të punojnë në këtë vend për kushte më të mira të jetës së tyre.

Dhe sipas deklaratave të kësaj partie të « mençur » dhe vizionare , sikur Gjermania, por edhe shtetet tjera po na i marrin njerëzit tanë me profesione të gatshme, të cilëve u ka kushtuar miliona për t’u shkolluar, duke iu referuar një shumice të madhe që kanë migruar kohën e fundit në shtetin gjerman dhe se ky vend po i merr falas këta njerëz, apo sipas PSD-së, i bie që të bëhet ndonjë lloj marrëveshje tregtare me këta njerëz, në mënyrë që të përfitohet diçka prej tyre.

Dhe kjo është fatura të cilën ia kemi sjellë Gjermanisë, përmes partisë PSD-së, mu në Ditën e Evropës, për të treguar se Kosovës, po i bëhet e padrejtë dhe në një mënyrë ky vend po zbrazët nga njerëzit e vet dhe sipas kësaj partie, pse mjekët gjerman nuk vijnë të punojnë në Kosovë, që i bie sipas PSD-së, që ata të lënë çdo gjë të begatuar dhe të zhvilluar në shtetin e tyre dhe të vinë në Kosovën tonë, që shteti gjerman mund ta blejë ekonominë e këtij vendi vetëm me « mercedesa » ndërsa potencialin e PSD-së, do ta blinte me « pula ».

Kjo është mençuria dhe filozofia e PSD-së, e cila po kokoris si pulat e shi-lagura nëpër sheshe të kryeqytetit dhe tani planifikon të përbaltë edhe miqtë tanë ndërkombëtar siq janë edhe Gjermania dhe shumë vende tjera, të cilët janë ndër të parët gjermanët, që gjatë bombardimeve të NATO-s, me bombardueset e saj luftarake « Tornado » ia futën ethët Serbisë fashiste, që bëri gjenocid në Kosovë.

Lëvizjet dhe emigrimet e shqiptarëve të Kosovës, nuk kanë filluar me qeverinë Kurti, por ato janë edhe më të hershme se mendohet dhe nuk mund të ndalen ndonjëherë, sepse këto lëvizje janë edhe aspiratat e tyre, sikur edhe të shumë njerëzve tjerë të botës, që të kërkojnë dhe të gjejnë një jetë më të mirë, dhe nuk mund ti quajmë si ikje nga vendi i tyre, sikur herëve tjera, për shkak të presioneve dhe klimës së egër politike serbe, por këto lëvizje janë të drejta të tyre dhe me arsye të ndryshme, të cilat nuk mundet as shteti që ti kufizojë si të tilla.

Është fakt i vërtetë, në veçanti rinia duhet të mbahet afër, që vlen për secilin vend dhe t’i plotësohen kushtet e tyre, që mos të lakmojnë jashtë vendit të tyre, por një pjesë e madhe e tyre sot, dëshirojnë ta s’provojnë jetën e tyre edhe jashtë vendit të vet, dhe të orvaten për një jetë më të mirë dhe më të begatshme, sidomos në vendet perëndimore, ku jeta dhe standardi jetësor është në nivel të lakmueshëm, dhe në anën tjetër, një migrim i ligjshëm është edhe përfitim i dyfishtë, jo vetëm për individin, por edhe për shtetin.

Gjermania është një fuqi e madhe politike dhe ekonomike evropiane, e cila në mungesë të punëtorëve të vet, e shfrytëzon potencialin e vet për nevojat e veta të fuqisë punëtore nga vende të ndryshme, duke theksuar në veçanti vendet e Ballkanit perëndimor, duke u afruar shanse 6 vendeve të Ballkanit perëndimor, siç janë Kosova, Serbia, Mali i Zi, Bosnja, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, në një mënyrë është edhe në të mirën e këtyre vendeve, që kanë nevojë të zgjedhin problemet e papunësisë, duke e zbutur edhe nivelin e një çështje që i trazon dhe i rëndon këto vende.

Nuk është vetëm Kosova në rajon, që problemi i emigrimit është burimi i imazheve të dobëta dhe bindjeve që heqin dorë njerëzit nga vendi i tyre, por duke ditur se migrimi si një dukuri e vjetër e njerëzimit, po ashtu edhe e kosovarëve, ka filluar shumë herët, po ashtu edhe në Gjermani, si edhe në vendet e ndryshme të botës, me ç’ rast secili ka përfituar, po ashtu me investimet e tyre ka përfituar edhe ekonomia e shtetit, dhe nëse ndalemi vetëm nga fuqia punëtore e diasporës së Kosovës, ky vend ka përfitime milionëshe me vite të tëra, të cilat nuk do ti kishte arrit në asnjë mënyrë ekonomia e këtij vendi pa ndihmën dhe investimet e këtyre njerëzve.

Ofertat joshëse të Gjermanisë, për punëtorë dhe punësim të ligjshëm në këtë vend, nuk i referohen vetëm një vendi, në këtë rast vetëm Kosovës, por i referohen të gjitha vendeve të rajonit, që janë të cilësuara si vende të sigurta, në këtë rast, duke përfshirë edhe Kosovën, e cila kohën e fundit është një përjetim subjektiv dhe objektiv, që të nxjerrët në pah një zbrazëti e madhe e këtij vendi nga mungesa e mjekëve e profileve të ndryshme, të cilët janë joshur nga lakmia e tyre për të punuar jashtë vendit të vet, duke menduar se do të gjejnë vetën e tyre më mirë, apo kushte më të mira të jetës.

Prandaj, një PSD, apo një parti që nuk ka vend të caktuar askund në qeveri dhe jashtë qeverisë, por vepron në kushte ekstravagante dhe jashtë rregullave ligjore e parimore, e cila për ta përbaltur qeverinë dhe pozitën e sotme, ka për qëllim ta na përçajë edhe me ndërkombëtarët, prej të cilave i kemi të gjitha këto të arritura të sotme.

Dhe iniciativa e kësaj partie është të krijojë vëmendje të opinionit dhe e këtij populli, që nuk po mundet të orientohet si duhet, për shkak të një paqartësie dhe mjegullnaje nga projektet frikshme të grupeve dhe formacioneve të tilla, që nuk kanë kurrfarë vizioni parimor e politik për këtë popull dhe shtet, por vetëm për të përfituar ndonjë lloj pushteti « çfarëdo » vetëm për ta larguar qeverinë Kurti, siç e kemi parasysh PSD-në, e infektuar me zhugën e partive tjera , që sot janë në opozitë.

Sikur të mos kishte qenë emigracioni shqiptarë në vendet e ndryshme të botës, duke përfshirë Gjermaninë, Zvicrën, Austrinë, SHBA-të dhe vendet tjera të Evropës dhe botës, dhe sikur të mos kishte vepruar kjo armatë e fuqishme me forcat dhe mekanizmat e veta për ta ndihmuar Kosovën, në forma të ndryshme, mund ta vendosim në pikëpyetje Kosovën, se a do të ekzistonte ky vend i lirë dhe shtet sovran në këtë botë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat