Avniu ringriti flamurin e Nexhmedinit, jo të Isa Boletinit!

Opinione

Avniu ringriti flamurin e Nexhmedinit, jo të Isa Boletinit!

Nga: Prof. Dr. Mehdi Hyseni Më: 21 maj 2023 Në ora: 19:02
Autori Prof. Dr. Mehdi Hyseni

*** Sipas naivitetit politik të Nexhmedin Spahiut: “Ngritja e flamurit  të Kosovës në ndërtesën e komunës së Mitrovicës veriore, është një akt shumë më i rëndësishëm sesa vetë shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt të vitit 2008, ku personazhi kryesor i këtij veprimi është Avni Peci-Boletini, stërnip i Isa Boletinit, i cili do të hyjë në histori si një hero i Kosovës dhe do të barazohet me veprën e Ismail Qemal Vlorës dhe të stërgjyshit të tij, Isa Boletinit, të shpallur në Vlorë më 28 nëntor 1912.”

Veç këtij krahasimi banal poliitiko-propagandistik (pa asnjë fakt dhe argument), Nexhmedin Spahiu i quan të “turpshëm kryetarët e komunave të Kosovës, të cilët në kundërshtim me ligjin përveç flamurit të Kosovës përdorin edhe flamurin kombëtar shqiptar. Këta janë: Bedri Hamza (kryetar i komunës së Mitrovicës Jugore), Gazmend Muhaxheri (kryetar i komunës së Pejës), Përparim Rama (kryetar i komunës së Prishtinës), Agim Aliu (kryetar i komunës së Ferizajt), (Shaqir Totaj (kryetar i komunës së Prizrenit).” (Shih në: “Mos të shiten patriota, ata duhet të turpërohen për veprimet e tyre përmes të cilave po thyejnë ligjin”.(https://gazeta10.com/spahiu-godet-kryetaret-e-komunave-largojeni-flamurin-kombetar-dhe-te-tjeret-mos-u-shitni-patriota/ ).

Nuk është e turpshme, as jolegale e  as jolegjitime përdorimi i flamurit kombëtar shqiptar nga ana kryebashkiakëve patriotëve  shqiptarë në Kosovë (mbase në Kosovë dhe në mbarë krahinat e tjera të Shqipërisë Etnike, shqiptarët kanë luftuar nën Flamurin e Skënderbeut, të Ismail Qemalit dhe të Adem Jasharit, jo nën “flamurin e kombit kosovar” të Nexhemdin kovaçit-zbuluesit) Pra, turpi më i madh është braktisja e tij dhe e kombit shqiptar, që Nexhmedin Spahiu i ka braktisur për interesa dhe levërdi private personale dhe karrieriste egocentrike, duke i zëvendësuar me “kombin kosovar” dhe me “flamurin kosovar”, të “patentuar” nga fantastika e tij e çoroditur antikombëtare shqiptare!

-Fati që gjatë ringritjes së atij flamuri nuk ndodhi asnjë e keqe fatale, sepse “biografët” e këtij akti do të iknin në Serbi apo në Rusi me “Srpska lista”.

Prandaj, në këtë vështrim nuk mund të bëhet kurrfarë karahasimi simetrik “ i rëndësisë”  së flamurit të Nexhmedin Spahiut dhe të Flamurit të Skënderbeut, të Ismail Qemalit, të Isa Boletinit dhe të Adem Jasharit.

I lumtë Avniut që ka pranuar të kryejë një akt të tillë administrativ politik, juridik dhe kushtetues  shtetëror të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Mirëpo, si në aspektin historik, ashtu edhe në atë politik e kombëtar, përzgjedhja e tij nuk ishte  aspak e qëlluar sepse është bërë me tendencë për ta kompremetuar traditën e tij historike, patriotike e kombëtare shqiptare. Shkurt,  e falënderojmë Zotin, që me rastin e ringritjes së flamurit në komunën e Mitrovicës veriore, më 19 maj 2023 nuk i ndodhi asgjë e keqe Avni Pecit Boletinit, se çmimi do të ishte shumë i lartë sidomos për sfiduesit e tij të marrë lokalistë të tipit Nexhmedin Spahiu, të  kovertuar në “kombin kosovar”.

Mirëfilli,  sikur Isa Boletini të kishte qenë gjallë nuk do të lejonte  që stërnipi i tij të provokohej me ringrintjen e flamurit të “kombit kosovar” të Nexhmedin Spahiut, sepse me asnjë kusht nuk do të pranonte braktisjen e Flamurit gjithëkombëtar shqiptar të Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit (28 Nëntor 1912).  

Në këtë rast, ata që kanë bërë këtë propozim, që Avniu të ringrinte flamurin e Nexhmedinit në ndërtesën e komunës së Mitrovicës veriore, këtë e kanë bërë me qëllim të kalkuluar politik,  që edhe në këtë rast  rreziku të paparashikuar, të shpëtonin veten e tyre, sikur këtu e 20 vjet më parë, të paprekshëm, në mënyrë që, edhe më tej ta “kullosnin” Kosovën (edhe pa flamurin kosovar në Veriun e Kosovës, ashtu sikurse deri tash). Për t’u kuptuar më leht, flamurin kosovar, do të duhej ta ngrinte Nexhmedin Spahiu, sepse ai është “rrobaqepësi” dhe “pronari” i tij i ligjshëm, jo PATRIOTI Avni Peci Boletini, Flamuri i të cilit është FLAMURI MBARëSHQIPTAR i stërgjyshërve të tij: Isa Boletini dhe Ismail Qemali!

 Sipas  dioptrisë apolitike dhe antikombëtare të babait të “kombit kosovar” dhe të “rrobaqepësit flamurit kosovar”, Nexhmedin Spahiu, “ringritja” e flamurit   shtetëror të Kosovës në komunën e Mitrovicës veriore, “na qenka akt më i rëndnsishëm historik, patriotik e kombëtar sesa  Vlora (28 Nëntor 1912) dhe sesa Prishtina (17 shkurt 2008) !?

Kjo është një asimetri historike, kombëtare, politike dhe ndërkombëtare, sepse nuk ka asnjë lidhje flamuri i “kombit kosovar” i Nexhmedin Spahiut me Flamurin Kombëtar Shqiptar të Skënderbeut, të Ismail Qemalit dhe të Isa Boletinit tëngritur në Vlorën heroike më 28 Nëntor 1912.

Prandaj, është  krejt i gabueshëm dhe i pajustifikueshëm krahasimi i këtij akti të Avni Pecit Boletinit  me aktin historik, politik, juridik, diplomatik,  kombëtar dhe ndërkombëtar të shpalljes së pavarësisë së Qeverisë së Shqipërisë Etnike nga Ismail Qemali dhe nga Isa Boletini në Vlorë, më 28 Nëntor 1912, sepse nuk ka qenë kurrfarë shpalljeje dhe njohjeje e Republikës së Kosovës, kur më 19 maj 2023, Avni Peci Boletini ka ringritur flamurin shtetëror të Kosovës në godinën e komunës së Mitrovicës veriore, por ishte një akt ligjor dhe kushtetues, sepse ka karakter të brendshëm të shtrirjes së rendit ligjor dhe kushtetues të sovranitetit të Kosovës mbi integritetin territorial verior të saj , assesi nuk ka karakter  ndërkombëtar. Por, thjesht  ishte një korrigjim i gabimit politik, juridik dhe kushtetues paraprak i të gjitha qeverive të derisotme të Republikës së Kosovës (17 shkurt 2008 – 18 maj 2023), që kishin lejuar heqjen e flamurit shtetëror të Kosovës, të cilin e kanë njohur më se 100 vende të Kombeve të Bashkuara. Mirëpo, ja që këtë gabim e korrigjoi qeveria aktuale e Kosovës me Albin Kurtin në krye, duke e rivendosur flamurin shtetëror të Kosovës në ndërtesën e komunës së Mitrovicës veriore, më 19 maj 2023. Kjo është meritë e qeverisë së Albin Kurtit, jo e Nexhmedin Spahiut, i cili pa asnjë të drejtë ka “ngatërruar” Avni Pecin Boletinin, stërnipin e Isa Boletinit, që të jetë kryeprotagonist i kësaj ngjerjeje të brendshme administrative dhe shtetërore të Kosovës.-Qëllimi i qartë politik, Spahiu përmes aktit të guximshëm të Avni Pecit Baletinit deshi  ta “zgjojë nga gjumi” opinionin shqiptar se, ai ka meritat kryesore për dizajnimin  e “flamurit kosovar”, por qe 15 vjet ky  së bashku me qeveritë e tij të mëparshme kanë dështuar, që ta vinin në jetë, duke e valvitur në komunën e Mitrovicës veriore, ngase atë e kishin hequr serbët e atjeshëm me urdhrin dhe me ndihmën e Beogradit zyrtar (17 shkurt 2008-18 maj 2023).

Prandaj, ky akt i ringritjes së flamurit kosovar në ndërtesën e komunës së Mitrovicës veriore nuk mund të krahasohet e as të cilësohet si akt historik, kombëtar dhe shtetëror i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë Etnike nga të dy kolosët kombëtarë dhe patriotë shqiptarë, Ismail Qemali dhe Isa Boletini (28 Nëntor 1912).

Ky është gabim historik, që nuk ka asnjë lidhje me Flamurin kombëtar shqiptar të Isa Boletinit dhe të Ismail Qemalit (28 Nëntor 1912) dhe të Shqipërisë Etnike.

Stërnipit të Isa Boletinit, Avniut bravo i qoftë për guximin, por nuk mund të krahasohet me gamën e aktit historik dhe heroik të veprës kombëtare gjithëshqiptare të Ismail Qemalit dhe të Isa Boletinit, që luftuan nën Flamurin Kombëtar Shqiptar të Skënderbeut, si dhe me aktin historik, kombëtar  dhe heroik të Adem Jasharit, i cili së bashku me UÇK-në luftoi nën Flamurin e Ismail Qemalit dhe të Isa Boletinit (28 Nëntor 1912) për çlirimin, për lirinë, për pavarësinë dhe për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë Etnike.

Në këtë rast nuk mund të bëhet një krahasim i tillë simetrik i ngritjes së flamurit shqiptar në Vlorë, më 28 Nëntor 1912 nga Ismail Qemali dhe nga Isa Boletini dhe i aktit të ringritjes së flamurit kosovar  nga Avni Peci Boletini në godinën e komunës së Mitrovicës Veriore, sepse i pari kishte karakter gjithëkombëtar shqiptar-Shqipërinë Etnike, kurse akti i ngritjes së flamurit kosovar në Mitrovicën e veriut ka vetëm karakter shtetëror provinicial të Kosovës. Gjithashtu, ky akt nuk është më i rëndësishëm sesa shpallja e Republikës së Kosovës, më 17 shkurt 2008. Sikur Kosovën të mos e njihnin  100 shtete të OKB-së, nuk do të kishte pasur as ndarje të Mitrovicës, por e tëra do  të ishte nën sundimin kolonial të Serbisë.

Ngritja e flamurit në komunën e Mitrovicës veriore nuk ishte akt historik e as kombëtar, por akt i detyrueshëm ligjor dhe kushtetues i Republikës së pavarur të Kosovës së njohur nga 100 shtete anëtare të OKB-së. –Ishte  kthimi i së drejtës së sovranitetit mbi territorin e Republikës së Kosovës. Këtë e bëri qeveria e Kosovës në saje të rezultateve të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në 4 komunat e pjesës veriore të Kosovës. Pra, merita e vënies së flamurit shtetëror të Kosovës në godinën e komunës së Mitrovicës veriore, është angazhimi dhe vendimi i drejtë ligjor dhe kushtetues i qeverisë së Kosovës, i Presidencës dhe i Kuvendit të Kosovës, jo  i analistit Nexhmedin Spahiu e as e “kombit kosovar”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat