Rama do ta vizitojë byronë e Rilindjes në Kukës!

Opinione

Rama do ta vizitojë byronë e Rilindjes në Kukës!

Nga: Sherif Ramabaja Më: 20 qershor 2023 Në ora: 10:11
Sherif Ramabaja

Rilindja po i përmbush premtimet e zgjedhësve. Programin e filloi pa humbur kohë. Në çdo bashki kryetarët e Rilindjes, kanë hapur kurset, së pari për të interesuarat, e më vonë edhe për të interesuarit, në mënyrë që të ruhet balanca mes dy gjinive.

Kursi i parë filloi me bashkinë e Kukësit. Dëshmitar për këtë është i tërë kombi shqiptar, sepse transmetimi i fillimit të kursit ishte i drejtpërdrejtë.

 Fillimin e mbarë e përuroi edhe kryeministri Rama. Ai u uroi punë të mbarë të gjithë kryetarëve të bashkive, duke i përgëzuar për obligimet që i kanë marr në shërbim të popullit.

 Rama premtoi transparencë si në rastin e Kukësit, duke u krenuar me punën e bërë.

Disa herë ju kam porositur, Rilindja, patronazhistët, aktivistët, kryebashkiakët , aktorët, atletët, sportistët, artistët etj. duhet të jeni shembull i Rilindjes sonë.

Edhe këtë ju kam porositur: secili do të jetë përgjegjës për punën e vetë, e jo që ta drejtojnë gishtin nga unë.

 Enver Hoxha vriste e priste, po kur ishte puna për çështjet e brendshme, ai ishte tepër i mbyllur, askush nuk dinte se çndodhte në partinë dhe aparatin e tij. Por ne sot kemi treguar transparencë të plotë.

Pra ky është dallimi në mes PPSH dhe ne si pasardhës të saj. Ne kemi evoluar në shumë aspekte. Duke iu falënderuar këtyre gjërave ne me Rilindjen tre mandate i fituam.

Sot arritëm që të shkojmë edhe një hap më tutje: e legalizuam kanabisin. Shqiptarët s´kanë nevojë që të mbjellin parcela ilegale. Nga sot kjo do të bëhet krejtësisht në mënyrë legale dhe me transparencë, kuptohet ata që nuk iu përmbahen rregullave të Rilindjes do ndëshkohen.

Ndëshkimin këto ditë e ndjeu edhe Kurti kur dhashë urdhër për anulimin e dy qeverive tona në Gjakovë.

Albin Kurti mund t´ia hedhë mikut tim Vuçiqit, po mua jo. Unë kam obligime ndërkombëtare dhe atyre as për Kosovën, as për Çamërinë, as për Luginën, as Rusinë, as për Bjellorusinë e as për Korenë e Veriut, nuk mund t´u iku. Për Mua Rilindja dhe Shqipëria, mbi të gjitha.

Kjo po vërtetohet me Kukësin. Aty po mbrohet bashkia dhe e tërë Shqipëria.

Nëse vazhdojmë kështu Shqipërinë s´ka kush që e pengon në EU dhe rrugën e saj euroatlantike.

Rroftë Kukësi që me transparencë theu rekord, jo vetëm ndaj kombit shqiptar, po edhe më gjerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat