“Tigri prej letre” dhe Srebrenica!

Opinione

“Tigri prej letre” dhe Srebrenica!

Nga: Dren Dushi Më: 11 korrik 2023 Në ora: 13:47
Dren Dushi

Në vitin 1995, jetonim kohën e një avancimi të konsiderueshëm teknologjik. Telefoni, ekrani televiziv, satelitët, komunikimi i shpejtë, ishin pjesë e kohës. Dihej shpjet se çfarë bëhej, madje diheshin edhe mundësitë se çfarë mund të ndodhte.

Kishte negociata, nuk mungonin takimet në nivele të ndryshme, Jugosllavia po shembej dhe në Evropë kishte frikëra të ndryshme se ç’do të ndodhte pas kësaj shembje? Kishte shtete evropiane që nuk donin të prishnin shumë stabilitetin e deri-atëhershëm, meqë Jugosllavia kishte qenë një partner i konsiderueshëm tregtar, dhe rrugët e saj kishin ndikim e rëndësi në koston e pothuajse secilit mall në Evropë që vinte nga Azia.

Nuk mungonin thirrjet për dialogje, negociata, de-eskalim e de-përshkallëzim, të cilat mund të faktohen fare lehtë meqë ka shumë publikime e hulumtime shkencore, ajo që mungonte ishte; serioziteti dhe shfaqja e një fuqi e cila i merr gjërat shumë seriozisht, ashtu siç ndodhi në Kosovë më 1999.

Fati i Bosnjes nuk ishte i tillë në vitin 1995, ndonëse edhe prezenca ndërkombëtare nuk mungonte, kishte prezencë shumë të madhe të mekanizmave të Evropës. Banditë serbë me uniforma ushtarake, me mjete ushtarake të garantuara nga Beogradi, nuhatën se përgjithësisht perëndimi bënte një politikë “Tigër prej letre”, meqë kështu ishin sinjalet, kjo i atribuohej sidomos disa vendeve të Evropës, disa prej të cilave ishin shumë miqësore me Serbinë. Këtë konstatim, e vërtetoi procesi, që kulmoi me Masakrën e Srebrenicës. Për shkak se ngjarja mund të ndikoj te disa vende konkrrete, nuk po përmend emra shtetesh, meqë tashmë i ka përmend historia.

2.

Nuk ka fytyrë më domethënëse, më shprehëse, më thyese, se fytyra e një nëne të plakur, teksa kujton humbjen e antarëve të familjes. Kjo fytyrë nuk mund të përshkruhet lehtë, është përshkrimi më i zymtë që mund të bëhet, unë nuk arrij ta bëj dot si duhet.

Munira Subasiq ka humbur 22 familjarë në masakrën e Srebrenicës, fytyra e saj shpreh humbjen e shpresës në njerëzimin, linjat e rrudhave të saj nuk janë normale siç ndodhë rëndom me njerin e goditur nga efekti kohë, janë tjera rrudha, kanë forma që Zonjës Subasiq i japin një pamje që të bën të qash posa ta shohësh. Sytë e saj janë një pasqyrë vuajtjeje, dorëzimi, sikur duan të thonë; “a jemi afër fundit të gjithë kësaj?”. Ajo kujton fëmijët e saj, familjarët e ngushtë të masakruar e zhdukur nga barbaria e Srebrenicës, këto fytyra i njohim mirë ne shqiptarët, meqë i kemi të freskëta, ne e njohim këtë dhimbje, andaj edhe mund të jemi më reaktivë me të drejtë. “Urrej viktimat që respektojnë gjelatët e tyre” thoshte Sartri.

Kada Hotiq, në vitin 2013 varros dy eshtëra të vogla të këmbës së fëmijës së saj, ADN vërteton se janë të vërteta, por ajo vazhdon të thotë se fëmija i saj nuk i ka pasur vetëm këto dy eshtëra, ka pasur kokë, gjymtyrë, të gjitha pjesët që i ka njeriu normal. Pjesët tjera të eshtërave nuk janë gjetur akoma. Edhe Zonja Hotiq, sikurse Subasiq, janë fytyra që nuk mund të përshkruhen, janë shprehja e dhimbjes më të madhe njerëzore, që ndonëse në këtë gjendje, vazhdon jetesën, si një kontratë e dhimbshme e neveritëse, meqë bota, njerëzimi, diplomacia, ushtritë, byrokratët, nuk i ofruan diçka më të mirë.

Dy zonjat në fjalë janë pak për të shpjeguar atë që ndodhi, sepse janë mbi 8000 civilë të vrarë e masakruar në Srebrenicë, pra janë edhe mijëra vuajtje tjera që kujtojnë këta 8 mijë civilë, ngase, fuqia e Evropës, atëkohë, plotësonte konstatimin e “Tigrit prej letre”.

Kjo shprehje, pra “Tigri prej letre”, është proverb kinez, të cilin do e përdorte edhe diktatori komunist Mao. Ka për qëllim të shprehë, një mekanizëm-politikë jo funksionale, një fuqi jo funksionale, një byrokraci të kotë, një frikë ushtarake ngase askush nuk i beson mjaftueshëm askujt, ndonëse të gjitha këto, duhen mbajtur fshehtë, dhe duhet shprehë e kundërta.

Teksa Evropa vriste veten në fillim të Shekullit XX me dy luftëra botërore, u desh të bëhet një balancim dhe finalizim, apo përfundim i këtij rendi luftarak që buronte nga kontinenti ynë luftarak. Ky balancim u bë nga bota e re, pra nga SHBA-të, dhe rendi duhej ndryshuar, duhej vendosur një rend i ri te rendi i vjetër i Risheleve, Bismarëve, Napoleonëve, Hitlerëve, Carëve, Stalinëve e kështu me rradhë.

3.

Po bëre bashkë gjithë botën, jo vetëm Evropën, dhe e krahason me mbështetjen/furnizimin ushtarak për Ukrainën, del se SHBA-të janë dukshëm më para, pra se gjithë bota marrë së bashku, e lere më Evropa. Dhe mirë që është kështu, meqë, një rend me SHBA-në superfuqi, ka garantuar paqe globale në kuptimin që të paktën nuk kemi luftëra botërore të mëdha, e vetmja luftë serioze, pas luftërave që ndërlidheshin me Luftën e Dytë Botërore si Vietnami, Laosi, Afganistani e këto, na shfaqet Ukraina, e cila u godit së pari me Krimenë, meqë “Tigri prej letre” nuk qe në gjendje të sakrifikonte naftën dhe materialet tjera të Rusisë për ekonominë e vet anipse Ukraina filloi të coptohej. Shumë më e madhe është kostoja e sotme e luftës, se që do të ishte kostoja e një sanksioni të ashpër menjëherë pas aneksimit të Krimesë.

Sa herë që “Tigri prej letre” nuk funksionon, SHBA-të paguajnë koston, Kosova kishte fatin e madh, meqë për të nuk vendosi “Tigri prej letre”, por “Tigri me dhëmbë”.

Vetë vendet e BE-së e dijnë fare mirë këtë gjë, madje, ata sikur kanë bërë ujdinë, të cilën e kundërshtonte Presidenti Trump, pa llogaritur mirë rreziqet e këtij kundërshtimi, se Evropa është për biznes, SHBA për siguri. Kjo i kushton SHBA-së, e vërtetë, meqë kostoja e sigurisë është e madhe, por më mirë një kosto e tillë, se kosto të pjesës së parë të Shekullit XX. Andaj, konstatimi i Ministres Gërvalla, është edhe konstatim shkencorë, edhe i një politikane karriere që ka jetuar gjatë në BE, por edhe i një diplomate që do të bëj me dije se “tigri prej letre” mund të jetë problem në këtë periudhë që po kalon Kosova. E kaluara përsëritet shpesh, sidomos kur harrohen ngjarjet e shkaktuara nga defektet njerëzore, pse jo, edhe nga “tigrat prej letre”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat