Degradimi etik i politikës në Kosovë

Opinione

Degradimi etik i politikës në Kosovë

Nga: Prend Ndoja, SHBA Më: 5 shtator 2023 Në ora: 11:16
Prend Ndoja

Lufta na bashkoi dhe së bashku me miqtë tanë e fituam lirinë, ndërsa me karakterin tonë e humbëm paqen...! E çliruam Kosovën nga robëria dhe i dhamë krahë ta lirojmë Shqipërinë nga mjegullirat e mbetura të komunizmit. Përmes aleancës së krijuar me miqtë tanë për çlirimin e Kosovës gjatë viteve 90-ta, i dhamë mundësi Shqipërisë të krijojë aleanca më vendet vendimmarrëse, në të mirë të kombit tonë. Nga brenda dhe jashtë atdheut, me flijime sakrifica dhe përkushtim janë arritjet që ne sot i shijojme, ndonëse nganjëherë nga dëshira për t`i realizuar të gjitha qëllimet tona që na takojnë, ato të arritura na duken fare të vogla, por në realitet, pa marrë parasysh ngecjet, janë arritjet më të mëdha në historinë tonë kombëtare. Me çlirimin e Kosovës, edhe Shqipërisë iu hapën horizonte të reja të zhvillimit ekonomik e politik dhe në të gjitha aspektet tjera, e në veçanti, në fushën e turizmit dhe infrastrukturës. Thonë: Miku i mirë në ditë të vështirë, ndërsa vëllai i mirë është gjysma tjetër e njeriut, është pjesa tjetër e jetës së njeriut, ku hidhërimet dhe gëzimet i kanë të përbashkëta. Fati i kombit tonë është i përbashkët, si një trup që nuk mund të ndihet i qetë, nëse një gjymtyrë vuan nga ndonjë sëmundje, pra nuk kemi shpëtim dhe as qetësi kombëtare pa unitet kombëtar. Me unitetin kombëtar dhe njohjen dhe respektin e vetvetes, dyert e Europës do t´ia hapim vetes sonë, së pari në shtëpinë tonë, aty ku është ardhmëria.

Kosova është dashur dhe duhet ta deklarojë veten e saj në mënyrë më të denjë, në veçanti politikisht, me programet e saj politike të koordinuara thellë me Shqipërinë, si dy shtete me një trup të vetëm. Shqipëria sot, me gjithë ngecjet e saj, është shtet me prespektiva dhe arritjet më të shpejta ndër shtetet ballkanike; ka një vizion dhe strategji parimore; ka një shtrirje prespektivash që prin shumë para Kosovës dhe shumë vendeve tjera europiane, andaj Kosova duhet patjetër ta konsiderojë dhe respektojë bashkëpunimin njëzëri me Shqipërinë. Mendimet stoike të ideologjive që e mbyllin vendin në kornizë, sjellin vetëm fatkeqësi, e, shkas i këtyre mendimeve dhe atyre të pakontrolluara, siç dihet, edhe në të kaluarën, populli brenda dhe jashtë kufirit është i shqetësuar me ngërqin apo situatën kaotike të krijuar brenda vetes sonë, e në veçanti në pjesën veriore të vendit, në Mitrovicë. Gjitmonë Kosova duhet ta mbajë në qendër të vëmendjes faktin se jemi në varësinë Europës dhe Amerikës dhe se këto dy vende nuk e pëlqejnë lulëzimin e një shteti europian, nëse frymon jashtë Europës dhe Amerikës. Koha kërkon lidhshmëri më botën e përparuar, unitetin kombtar që t´i bëjmë ballë presionit dhe qëllimkëqinjve që, ashtu si gjithmonë, pretendojnë ta shqyejnë ndonjë copë nga trupi ynë. S'është koha, as nuk ka qenë kurrë për sharje e fyrje në mes njëri- tjetrit, mes partive apo ideologjive. Zërat që luftojnë kundër njëri-tjetrit, përpos që tingëllojnë të neveritshëm, përmbajnë edhe efekte negative, duke e sulmuar njëri-tjetrin, informacionet dhe synimet tona ia dhurojmë falas Serbisë e cila i merr ato të gatshme. Zërat që kërkojnë unifikimin kombëtar janë në të mirë të kombit. Në sferën politike nuk duhet të ketë rast që "nxënësi" i dobët prapë ta përsërisë klasën, por ai duhet të largohet nga skena politike, andaj reformimet e shpeshta janë nevojë e prespektivave, mos të rrënjosen të njëjtat figura që kurrë nuk guxon t´i mposhtë tehu i mprehtë i intelegjencies kohore të brezave të rinj. Ndërkaq, diaspora që para lufte e shkriu çdo gjë për atdheun, me ngritjet profesionale të fituar në vendet e përparuara, duhet të inkuadrohet thellë në politikën vendore, sepse ata kanë vizion për hapjen e dritareve të reja dhe prespektivave moderne për vendin. Pas luftës nga mungesa e përgjegjësisë shtetërore, ata edhe sot e mbajnë gjallë pjesën më të madhe të ekonomisë së vendit tonë. Ata nuk duhet të shikohen vetëm si furnizuese ekonomik, por duhet të jenë në brendi të zhvillimeve ekonomike dhe politike të vendit, sepse vendi ka nevojë për frymëzime të reja që vijnë jashtë kornizës së vendit. Në vendin tonë, përpos "zhurmës", shumë rrallë dëgjohet për zhvillimin ekonomik dhe prespektivat e vendit, ndërsa çdo ditë dëgjojmë trofe fyerjesh, sharjesh, akuza ndër më të ulëtat për njëri-tjetrin, deri edhe me atë "tradhtarë", e, kush, për kë? Vëllai për vëllain. Në traditën tonë janë të njohura disa veçori që dalloinë nga popujt tjerë, Me një peshë të veçantë, që vështirë të kalohet, ka qenë prekja në nderin e familjes. Por një më e rëndë se ato është me peshë sa guri i bjeshkës ta quash dikë tradhtar. Te nderi i shqiptarit kjo ka qenë më e rëndë se sa vdekja, edhe pse historikisht kemi pasur "vdekje" të tilla shumë shpesh gjatë rrjedhave historike. Sot japin dhe marrin "tradhti" çdo ditë, si të ishte fjalë përshëndetëse, Por, tradhtia, edhe sot peshën e ka të njëjtë - më të rëndë se vdekja. Nga pamja dhe niveli i komunikimit në "elitën" politike, dallon qartë që ka rënë poshtë nderi dhe karakteri i njeriut të sotëm në skenen politike, andaj nga niveli i ulët i karakterit njerëzor në atë fushë nuk pritet që të shkëlqejnë sukseset. Ta dallojmë ideologjinë, mendimin ndryshe nga tradhtia, ndërsa tradhtarin ta zhveshim haptas me argumente dhe fakte, e jo me dyshime apo fjalë boshe!

- Këta nuk mund t´i quajmë tradhtarë:

1)Tradhtarë nuk janë ata që kanë ideologji dhe parime ndryshe nga të tjerët, pasiqë askush nuk di mjaft e që mos të ketë nevojë për ndonjë ide tjetër.

2)Tradhtarë nuk janë ata që e japin një mendim, pa marrë parasysh se sa prapanik apo absurd është, sepse ata nuk e dinë atë që duhet ditur, apo atë që duhet për ta thënë.

3)Tradhtarë nuk janë ata që japin mendime të gabuara ndaj ndonjë religjioni apo ndonjë partie politike tjetër, sepse ata, atë e dinë për të vërtetë.

4)Trdhtarë nuk janë ata që nuk e vënë çështjen kombëtare në radhë të parë, sepse mund të ndodhë se ende nuk e kanë arritur ta kuptojnë mirë vlerën e kombit.

5)Tradhtarë nuk janë ata të cilët shajnë dhe fyejnë të tjerët pandalur, gjer në një masë. Ata nga paaftësia e tyre i derdhin ndjenjat dhe mendimet e tyre të mykura.

6)Tradhtarë nuk janë ata që bashkëbisedojnë haptas me armiqtë apo ish- pushtuesit tanë, komunikimet janë akti i parë njerzëor qe mund të hapin gjithmonë dritare të reja.

7)Tradhtarë nuk janë ata që nuk pajtohen me asgjë, nëse ka të tillë, atyre u mungon drita brenda trupit të tyre, ata vuajnë ngase nuk i dallojnë ngjyrat, e, në veçanti u mungon ngjyra e bardhë.

8)Tradhtarë nuk janë ata që, për t´u pasuaruar, shkelin moralin dhe etikën e punës. Ata gjithmonë në mendje dhe zemër mbesin të varfër dhe të paplotësuar.

9)Tradhtarë nuk janë ata që harrojnë dorën ndihmëtare që i ka ngritur, apo i ka ndihmuar në ditët më të vështira, atyre vështirësitë do t´u përsëriten prapë.

10)Tradhtarë nuk janë ata që e respektojnë kulturën dhe doket e çdo kombi tjetër, edhe të armikut, gjersa ato nuk e damkosin kulturën tonë. Respekti është kulturë që i paraprin paqes ndër popuj.

-Këta mund t´i quajmë tradhtarë apo të dyshar për tradhti:

1)Tradhtar është ai që bashkëpunon me ish-okupatorët e kombit tonë, në dëm të kauzës kombëtare.

2)Tradhtar është çdonjëri prej udhëheqësve politik që, për ndonjë interes personal, apo çfarëdolloi tjetër, me vetëdije i dëmton parimet e kombit.

3)Tradhtar është ai që për ndonjë çmim, për ndonjë bindje, besim, me vetëdije e përbalt imazhin e kombit.

4)Tradhtar është ai që për bindje fetare, me vetëdije shkel mbi vëllain e tij nga kombi dhe pretendon që atë ta zëvendësojë me ndonjë tjetër "vëlla" të ndonjë kombi tjetër.

5)Tradhtar është ai që qëllimisht bën përçarje në mes kombit, pa marrë parasysh ngjyrat e tyre.

6)Tradhtar është ai që e shkel kulturën e tij dhe mbi atë pretendon të mbjellë doke dhe zakone të huaja.

7)Tradhtar është ai që nuk i respekton heronjtë kombëtarë, flamurin dhe lirinë.

8)Tradhtar është ai që për ndonjë qëllim të caktuar, apo ndonjë çmim, pretendon që ta ndryshojë të vërtetën e historisë kombëtare.

9)Tradhtar është ai që bën takime të fshehta me armikun, pa marrë parasysh arsyen, mbetet dyshim tradhtie.

10)Tradhtar është ai që e kërkon ndihmën e armikut, për ta mposhtur vëllain e tij nga kombi.

-Njerëzit pa skelet, me shumë fytyra (butakët):

1)Gënjeshtarët janë çerdhja e të gjitha ligësive, Të gënjeshtari, edhe e vërteta rri strukur.

2)Njerëzit që rrinë indifirentë ndaj kombit, ndaj qenies së tij, shohin, dinë dhe nuk reagojnë.

3)Njerëzit që, për të depërtuar me lehtë, tjetërsohen apo për dëshirën e ndonjë "bosi" i ikin realitetit dhe e flasin ndryshe, servilohen.

4)Njerëzit që nuk e vlerësojnë dhe respektoinë shoqërinë dhe të mirat e saj, shprehjet e tyre edhe ndonëse jo më ndonjë qëllim të caktuar, sjellin nxitje kaosi të kotë, zhurmagjinj.

5)Njerëzit që i shikojnë nga "lart" të afërmit dhe shoqërinë e tyre dhe duke i përçmuar të tjerët mendojnë ta ngrisin veten e tyre, qeshen në prezencë dhe të përbaltin pas shpine.

5)Njerëzit që pasurohen me djersën e të varfërve, pa e shpërblyer atë djersë aq sa e ka meritën dhe duke respektuar të varfrin, ashtu si çdo njeri tjetër.

6)Njerëzit që ankohen për çdo gjë dhe nuk bëjnë asgjë dhe mbeten gjithmonë asgjë, ata kanë ekzistuar, por kurrë nuk kanë jetuar.

7)Njerëzit që nuk dëgjojnë, nuk e dinë që nuk dinë dhe ligjërojnë për diturinë dhe e nxënë vendin e të diturit, pamaturia e tyre krijon çdo lloj rrjeti të rrezikshëm.

8)Njerëzit që informacionet e gabuara apo demagogjike i vënë në praktikë dhe për interesa të tyre politike i shpërndajnë të parët.

9)Njerëzit që nuk dinë ta dalloinë vlerën e njeriun nga njeriu dhe i shërbejnë me të njëjtën monedhë të gjithëve, ata më së shumti shkojnë si delja pas turmës.

10)Njerëzit që nuk dinë çka i takon njeriut dhe dalin jashtë kornizës dhe ligjeve natyrore të njeriut dhe kultivon fuqi negative në rrethin ku jetojnë.

Njerëz të thjeshtë të jetës normale me saktësinë e sensit njeri:

1) Duke e njohur vlerën e tij, i vlerëson dhe respekton edhe të tjerët dhe asgjë tjeter nuk vlerëson më shumë se njeriun dhe parimet njerëzore.

2) Ata që nuk vrapojnë për të nxënë miq, por i fitojnë ngadalë dhe jetojnë gjatë duke e shijuar jetën me ta.

3) Ata që nuk flasin shumë për besën, moralin, karakterin, diturinë, besimin, patriotizmin, por ato i ruajnë të shkruara në brendi të gjoksit të tyre.

4) Ata që jetën e kanë ndërtuar në bazë të së vërtetës, nuk lëndojnë kurrë dhe e njohin mirë arsyen e jetës.

5) Ata që kur fitojnë tituj, pasuri, prapë mbesin të njëjtit njerëz të mirë, ngase e kuptojnë se ta fitosh pasurinë, nuk do të thotë që e ke fituar edhe diturinë.

6) Ata që e njohin veten dhe i dëgjojnë të tjerët me dashuri, flasin pak, sepse asnjëherë nuk duhet thënë të gjitha.

7) Ata që dinë t´i hapin udhë të mbara jetës me dritën e mendjes dhe nuk e presin fatin, por fatin e sjellin vetë në jetën e tyre.

8) Ata që më në fund e kuptojnë se çdo gjë është kalimtare dhe pasuria shpirtërore dhe dashuria ndërnjerëzore është boshti i të jetuatit bukur.

9) Ata që bashkëbiseduesit ia kuptojnë edhe "plagët" e padukshme të tij, edhe nëse nuk mund t´ndihmojë, të paktën nuk ia lëndojnë plagët, në veçanti mërgimtarëve që vijnë në atdhe.

10 Ata që në errësirë e vënë mendjen të udhtoinë, e jo syrin, sepse në mendje u peshojnë hapat e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat