A e di Tirana se ku bie Rrozhaja?

Opinione

A e di Tirana se ku bie Rrozhaja?

Nga: Ndue Dedaj Më: 25 shtator 2023 Në ora: 09:32
Ndue Dedaj

Po, patjetër që e di, do të nxitojnë të përgjigjen shumica, por mund të ketë dhe nga ata që do të ngrenë supet, duke u justifikuar se nuk ishin aq të mirë në lëndën e gjeografisë. Në të vërtetë pyetja shkon përtej saj. Në këtë rast fjala është për një “lëndë” që i tejkalon të gjitha lëndët shkollore... shqiptarinë, pavarësisht nënshtetësisë që mbajnë shqiptarët në rajonin ballkanik. Kësisoj përgjigja më e thjeshtë do të ishte: Rozhaja është një komunë shqiptare në Mal të Zi, më lindorja e shtetit malazes, që kufizohet me Plavën, Beranën, Sanxhakun, Pejën etj. Popullsia e saj prej 23 mijë banorësh për nga origjina është kelmendase etj. Nëse Shqipëria do të ishte ajo natyralja, e para, e hershmja, historikja (kush guxon të thotë Shqipëria e Madhe?) që na e tjetërsuan Fuqitë e Mëdha (ato po, mund të quhen të mëdha!), atëbotë autobusi do të nisej çdo mëngjes nga Tirana për në qytetin e Rrozhajës, pa doganë, njëlloj siç niset për në Korçë e Vermosh, apo dhe Prishtinë tre muajt e verës. Për punë, për turizëm, për panaire të librit shqip, për koncerte popullore etj. Mirëpo Rrozhaja është matanë “nëntë maleve” jo nga largësia gjeografike, as dhe se për të shkuar atje kushton sa bileta e ushëtimit, sa trau i kufirit, por nga mbetja jashtë ndikimit të faktorit kulturor shqiptar, që është një e drejtë legjitime e tyre, të këndojnë librat që botohen në Tiranë, nxënësit ta vizitojnë pa shpenzime Krujën, qytetin e Skënderbeut. Nuk është aspak çudi që Tirana e kohës së Luftës së Dytë Botërore, e ministrit të Arsimit Ernest Koliqi, i njihte mirë jo vetëm në hartë se ku binin trojet më të largëta shqiptare që nga deti, por pëllëmbë për pëllëmbë dhe në terren, pasi mësuesit e mësueset misionare shkonin nga Tirana, Shkodra, Elbasani, Mirdita, Korça, Durrësi, Vlora etj. dhe hapnin shkollat shqipe në Prishtinë, Prizren, Gjakovë, Pejë, Gjilan, Shkup, Tetovë, Gostivar, Plavë, Guci, Rrozhajë etj.

Kryeministri në detyrë i Malit të Zi Dritan Abazoviç është një udhëheqës me mendësi perëndimore, politikën e sheh si një levë për ndryshim dhe aspak për t’u çimentosur vetë si person në pushtet, duke bërë ku protagonistin, ku kokëfortin e të tjera cene të liderëve ballkanikë, përfshi dhe ata shqiptarë në rajon. Ai e sheh qeverisjen si bashkëpunim, punon për të hedhur hapa përpara, por pranon se mund të bëhen dhe hapa prapa nëse punët nuk ujdisen si duhet. Nuk “reciton” për arritjet e qeverisjes së tij, duke u mburrur se kemi bërë më të mirën etj. Pasi të ndërtohet Ura mbi Bunë, që sigurisht do të jetë e një rëndësie të veçantë për Shqipërinë dhe Malin e Zi, ai thotë se aty nuk do të ketë më një kufi tradicional etj. Po ashtu ai ka folur dhe për ndërtimin e rrugës që lidh Plavën me Deçanin, përndryshe Malin e Zi me Kosovën. Kësaj i thonë që si qeveritar të jesh i qartë, vizionar dhe strategjik sa i përket fillimisht integrimit të “vogël”, atij me shtetet kufijare etj., duke vënë kështu pikat mbi “i” për shumë projekte që shkojnë përtej infrastrukturës si e tillë. Në këtë hulli e shohim dhe rikonstruksionin e të vetmes shkollë shqipe të Rrozhajës, asaj të Dacajt, këtë shtator. Shikojeni fotografinë e Kryeministrit ditën e përurimit, është aq e thjeshtë, e megjithatë historike! Sot mund të kalojë pa ndonjë vëmendje të veçantë, si një foto e zakonshme nga përditshmëria e punës së një kryeministri, por nesër leximi i saj do të jetë tjetër, për shkak të kumtit që përmban, që nga veshja e dy djelmoshave rrozhajas me të cilët pozon zoti Abazoviç.

Abazoviç në Dacaj, një kumt për shqipen

Shkolla shqipe e Dacaj u restaurua me një investim prej 250 mijë euro nga qeveria malazeze. Kryeministri Abazoviç, në ceremoninë e përurimit, tha se në këtë mënyrë po vazhdojmë të investojmë në arsim në gjithë vendin. Ai shprehu besimin që numri prej 23 nxënësish që mësojnë aty, do të rritet vit pas viti. Ndërsa në një postim në rrjetet sociale, zoti Abazoviç shkruan: “Sot është hapur shkolla e re fillore në Dacaj të Rrozhajës, e vetmja shkollë ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe. Le të shkojmë më tej, të promovojmë gjithëpërfshirjen. Jemi në rrugën e duhur!” Rihapjen e shkollës e ka përshëndetur edhe Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama: “Nga sot, vogëlushët në Rrozhajë të Malit të Zi do të marrin dije në gjuhën shqipe në shkollën e sapopëruruar”, shkruan ai. Sipas zyrtarëve dhe mediave vendase, ky është një hap historik në përpjekjet e shqiptarëve të Malit të Zi për ruajtjen e gjuhës shqipe, po të kemi parasysh rrethanat politike, shpesh dramatike, të banorëve të kësaj treve, sidomos vitet 1918-1919, kur ushtria serbe dëboi atë austro - hungareze dhe e vendosi Rrozhajën nën sundimin e Jugosllavisë, me ç’rast u hapën më dhunë disa shkolla në gjuhën serbe.

Po ç’kishte ndodhur në maj të vitetit 2020? Lajmi atëherë ishte i trishtë. Ishte djegur shkolla fillore shqipe në Dacaj të Rrozhajës. Zjarri ishte shkaktuar nga persona të papërgjegjshëm, duke u përhapur flakët me shpejtësi nga erërat që frynin deri në njëqind km në orë. Ngjarja kishte ndodhur teksa ishin zbutur masat mbrojtëse ndaj pandemisë se coronavirusit, duke u hapur restorantet që kishin qenë mbyllur për gati tre muaj. Në mesditë, një zjarr i madh kishte djegur fillimisht ndërtesën afër shkollës që shërbente për të ruajtur drutë e zjarrit dhe më pas klasat e mësimit, duke e kthyer godinën e shkollës në rrënojë. Drejtori i shkollës me atë rast foli dhe për historikun e saj. Shkolla daton nga viti 1945 si shkollë shtetërore, pastaj shkollë private në gjuhën serbo – kroate dhe më vonë shkollë shqipe, e vetmja e tillë në krejt Rrozhajën. Pesë vite më parë ajo është vizituar dhe nga Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta.

Kryeministri me origjinë shqiptare Abazoviç e bëri denjësisht detyrën e tij qeveritare. Por Rrozhaja ka nevojë edhe për Tiranën e librave, ekspozitave, operave, muzeve, instituteve, akademive, universiteteve, mediave etj. Duket sikur po bëjmë “problem” një ndodhi të vogël, përurimin e një shkolle periferike ndër shqiptarë. Problemi është përderisa, si lajmin për djegien e të vetmes shkolle shqipe në një komunitet shqiptarësh në Mal të Zi, si atë të përurimit të saj mbas tre vitesh, nuk e dha asnjë nga mediat e Tiranës!? Nganjëherë institucionet e kanë të vështirë të gjejnë rrugën më të shkurtër dhe pa burokraci për te njeriu i gjakut e i gjuhës, por jo vetë njerëzit në nevojë për njëri - tjetrin. Kur ra tërmeti i nëntorit 2019 në Shqipëri, një veprimtar i njohur nga Rrozhaja, tha: “Presim që sofrës tonë familjare t’i shtohen 10 familjarë të mbetur atje pa strehë”. Kurrëfarë “protokolli” tjetër, veç atij të dashurisë vëllazërore që nuk njeh kufinj, gjeopolitikë etj. Botuesi i “Toena”-s Fatmir Toçi e ka bërë me kohë në Plavë e Guci atë çka kërkohet sot për Rrozhajën (pse jo dhe për Anën e Malit, Krajën etj.) dhe e vazhdon më së miri me panairet e librit e kolonitë e piktorëve në Ulqin, te Arbëreshët e Italisë etj.

Në këtë kuptim, Rrozhaja ka nevojë për të gjithë shqiptarët! Edhe për ne qytetarët e thjeshtë, që e kemi prerë “biletën” për një vizitë atje këtë vjeshtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat