Aleksandër, Edi, koha juaj mbaroi!

Opinione

Aleksandër, Edi, koha juaj mbaroi!

Gjergj Zefi Nga Gjergj Zefi Më 27 shtator 2023 Në ora: 15:01
Edi Rama dhe Aleksandar Vuçiq

Aleksandër Vuçiçit ja kishin përsëritur me kohë në vesh se këtë shtator do të largohet. Por si i thonë fjalës ‘vesi del me shpirtin’, dhe kështu po ndodh me Presidentin e Serbisë.

I cili e nisi karrierën si paramilitar dhe po e përfundon si i tillë. Në Serbi, ngritja e grupeve paramilitare në historinë e saj është një lloj sporti kombëtar. Politika serbe ka nisur dhe është zhvilluar prej grupeve të armatosura tipike fashiste. Këto si në kohën e zanafillës së shtetit serb me shenjtërimin absurd të figurës së çetnikut nga Kisha Ortodokse, e deri në epopenë gjakatare të viteve 90, ku e lanë me gjak të gjithë Ballkanin.

Por edhe sot, në politikën serbe, figura e paramilitarit është kruçiale; kemi tifozët e dhunshëm që janë ndërkaq edhe ‘deal’ droge, edhe kontrabandistë, por edhe njerëz që i përdor politika për vota.

Gazeta prestigjoze botërore, The New York Times, para pak muajsh i bëri profilin e plotë Aleksandër Vuçiçit, si njeriu që suporton dhe mbështet grupet paramilitare ‘të hurit e të litarit’.

Sepse në fakt, vetë Vuçiç, ka lënë të kuptojë në mesazhet politike se është ai që kontrollon të gjithë këtë komunitet horrash e njerëzish që vrasin e presin.

Por siç ka ndodhur gjithmonë në historinë serbe, këta paramilitarë, vjen një ditë dhe ikin nga ‘kontrolla’, siç i thonë në serbisht. Njëlloj si jeniçerët e sulltanit dikur, edhe ata përmbysin kazanin e gjejnë një shef tjetër. Mbahet mend historia tragjike e grupit më të frikshëm paramilitar serb, “Klani i Zemunit”-Legija famëkeq, i cili arriti të vrasë kryeparamilitarin më të tmerrshëm Zhelko Razhnjatoviç Arkanin, e më pas të lidhet me Zoran Gjingjiçin për të përmbysur Slobodan Millosheviçin.

E pikërisht kur Zorani i shkretë kujtoi se i kishte nën kontroll çetnikët e frikshëm, ata e vranë në 12 marsin e 2003-shit brenda selisë së qeverisë serbe.

Kështu edhe Vuçiçi, pikërisht kur mendonte se kishte gjithçka nën kontroll, Listën Serbe por edhe “Progozhinin” e tij Milan Radojçiqin, ky i fundit ia ktheu kazanin në manastirin e Banjskës në Zveçan.

Vuçiç doli zbuluar në mbarë globin si një Putin që kishte jo vetëm Wagnerin e tij, por edhe Progozhinin.

Ndërsa fati i Milan Radojçiqit është tashmë i parashkruar si alteregoja e tij nga Shën Pjetërburgu, shefi Aleksandar Vuçiç, po kërkon një tjetër paramilitar për t’ia kundërvënë Albin Kurtit. Por nuk ka ku lëviz; është ‘shah mat’. Secilën lëvizje të bëjë, të takojë ambasadorin rus, siç e bëri dje, apo delegacionin e Partisë Komuniste Kineze, siç e bëri sot, ai është i ikur. Perëndimi tashmë e ka bërë gati planin për ta zëvendësuar. Në mënyrë perfekte, duke i hequr e larguar bombat që mbante në duar. Siç janë Vulini e Radojçiçi.

Në të njëjtin pozicion është edhe Edi Rama këtu tek ne. Sot pas 24 shtatorit ai ngjan si personazh i estradës së Ballshit që një ditë flet për dialog e ditën tjetër bën sikur i bie Vuçiçit. Në fakt, Edi Rama e ka konceptuar idenë e Ballkanit si një tandem me Aleksandrin (Vuçiç). Si një cirk panairesh parizieri, me djathë të butë e raki shlivovica, a thua se e kanë siguruar paqen në Ballkan. E në realitet, Edi Rama, i ka dhënë Vuçiçit oksigjenin e duhur për të shuar atë tollumbace me oksid azoti që i jepnin paramilitarët e tij.

Edi Rama ja ka kaluar të gjithë liderëve më të urryer shqiptarë, sepse u investua me rastin ‘Thaçi’ për shkëmbimin e territoreve dhe sulmoi Albin Kurtin gjatë gjithë kohës, në betejën e tij me Vuçiçin.

Sot pas 24 shtatorit, Edi Rama ka humbur totalisht. Çdo deklaratë që e bën i shtyrë nga inercia, nuk ngjit. Se nuk ka sens; i vetmi socialist që duhet të dëgjohet është Ditmir Bushati, i cili me të drejtë thotë se Shqipëria duhet ta shikojë Serbinë me sytë e Kosovës. Një një kohë që Rama pretendoi dhe luftoi për të kundërtën. Dhe këtë e thoshte hapur: ne ndahemi me Albinin për rolin e Serbisë. E sot që Serbia shfaqi anën më të frikshme të çetnikëve të saj, Rama nuk ka çfarë jep më. Është fundi i tij! Me ikjen e Vuçiç, ikën edhe Rama. Fiks siç e kemi thënë para pak kohësh në faqet e Pamfletit! 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat