Cili ishte, dhe pse dështoi skenari terrorist i A. Vuçiqit në veri të Kosovës..!?

Opinione

Cili ishte, dhe pse dështoi skenari terrorist i A. Vuçiqit në veri të Kosovës..!?

Nga: Rexhep Elezaj Më: 27 shtator 2023 Në ora: 16:54
Rexhep Elezaj

Ka disa muaj, që ne disa opinionist dhe vrojtues të situatës së tensionuar në veri të Kosovës, në prononcimet tona publike kemi paralajmëruar, se dialogu me A. Vuçiqin, është kohë e humbur për Kosovën, pranë faktit se Kosova ka qenë e detyruar të dialogojë me armikun e saj shekullor, ngase për domosdoshmërinë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është vendosur në KS të OKB-së, i cili po ashtu vendosi që këtë dialog ta merr përsipër BE-ja, ashtu siç edhe ka ndodhur që nga viti 2011 e deri më sot.

Shkaqet se pse kemi paralajmëruar se dialogu me Serbinë, Kosovës nuk do t’i sjellë asgjë të mirë, janë të shumta, por ndër shkaqet kryesore është fakti, se regjimi serb i Beogradit, sidomos qëkur në krye të qeverisë dhe shtetit serb ka ardhur neokrimineli A. Vuçiq, e ndryshoi qartë diskursin politik të para ardhësve të tij, Z. Gjingjiqit dhe B. Tadiçit, nga orientimi properëndimor kah orientimi pro-rus, siç dihet, duke ndërmarrë gjithçka që ishte e mundur, që pavarësinë e Kosovës ta rikthej për shqyrtim në tryezën e bisedimeve, duke i manipuluar me gënjeshtra qarqet ndërkombëtare, si dhe duke ndërmarrë krejt çfarë kishte në dorë për ta penguar procesin e njohjeve ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës.

Pra, ishte A. Vuçiqi, ai i cili me ardhjen e tij në pushtet, politikën neofashiste dhe hegjemoniste të Serbisë, si vazhdimësi e politikës antishqiptare-çubrilloviçiane të kriminelit Millosheviq, do e rikthen në skenën politike në Serbi, falë të cilës do t’i fiton dy herë zgjedhjet parlamentare në Serbi, për faktin ngase në Serbi e kishte rikthyer frymën e nacional-shovinizmit dhe hegjemonisë serbe ndaj fqinjve, sidomos ndaj Kosovës, duke rritur shpresën tek masat popullore në Serbi, se ky është “Vodza”, lideri nacional serb, aI i cili do ta rikthejë Kosovën nën pushtimin e Serbisë.

Ishte pra A. Vuçiq, ai për 12 vite do i fus në lojë të gjitha mjetet dhe mekanizmat shtetëror, që përkundër disponimit të madh perëndimorë ndaj Kosovës, të bën hapa të konsiderueshëm në ç’montimin e përkrahjes së SHBA-ve dhe vendeve anëtare të BE-së që ishin pro-Kosovës, mbase duke arritur që përmes marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel me palën kosovare, formimin e “Zajednicës” serbe në veri, ta vendos si kusht për dialog me Kosovën, në fakt si mjet i fuqishëm për t’i bërë presion BE-së dhe SHBA-ve që ta detyrojnë Prishtinën zyrtare që ta formojë AKS-në.

Por, duke parë se negociatat për më shumë se një dekadë nuk po e japin rezultatin e dëshiruar, pra formimin e këtij asociacioni si bazë politike dhe ushtarake për ta siguruar prezencën e shtetit serb brenda Kosovës, por edhe si një pikë strategjike ushtarake për ri-pushtimin e saj pas fitores së sigurt ushtarake të Rusisë në Ukrainë, pra duke qenë të sigurt, se pas kësaj fitoreje në lindje të Ballkanit perëndimorë do të formohet Blloku i ri pro-rus prej disa shteteve, përfshirë Serbinë, Bullgarinë, Molldavinë, Bjellorusinë, ndoshta edhe Hungarinë etj., dhe se çështja e Kosovës do të përbyllet me aneksimin e saj Serbisë, etj., A. Vuçiq bashkë me Listën kriminale Serbe, para ca viteve do ta fillojnë përgatitjen ushtarake për minimin e pavarësisë së Kosovës nga brenda.

Ja disa fakte për këtë;

Kur panë se me bllokada dhe protesta nuk mund të ndikojnë tek Prishtina zyrtare që ta pranojë formimin e “Zajednicës” së tyre në veri,

Kur i shterën të gjitha përpjekjet tek BE-ja dhe SHBA-të, që ta detyrojnë qeverinë e Kosovës që ta formojë asociacionin e komunave me shumicë serbe (AKS),

Kur dështuan që ta manipulojnë gjithë komunitetin serb në veri përmes Listës Serbe (Srpska Lista), sepse një pjesë e madhe e serbëve atje nuk iu nënshtruan manipulimit nga ana e Beogradit zyrtar etj., qendrat kriminale të vendosjes në Serbi, ajo në Beograd me A. Vuçiqin në krye, ajo në Rashkë në krye me M. Radojçiqin si dhe BIA në krye me A. Vulinin, si skenar të ri për destabilizimin e mëtutjeshëm të shtetit të Kosovës, në nëntor 2022, vendosën që t’i tërheqin të gjithë serbët nga institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës, duke filluar me tërheqjen e policëve, të gjyqtarëve si dhe të kryetarëve serb në 4 komunat në veri, pra si pjesë e skenarit të tyre kriminal për demolimin e pavarësisë së Kosovës!

Mirëpo, duke parë se po iu dështon edhe ky skenar antishqiptar ndaj Kosovës, këto qendra mafioze të vendosjes në Serbi, mbase siç ishte bërë kjo e ditur qe disa vite, se janë duke i bërë përgatitjet ushtarake për ta sulmuar Kosovën nga brenda, ngase rrugë tjetër nuk iu kishte mbetur, e që si synim final kishin shpalljen e autonomisë për serbët në veri, deri në shkëputje nga Kosova dhe bashkëngjitje nënës Serbi, me 24 shtator 2023, këto qendra mafioze të vendosjes, në krye me urdhërdhënësin e tyre, A. Vuçiqin dhe dorën e tij të djathtë, M. Radojçiqin, do ta sulmojnë rendin kushtetues të Republikës së Kosovës afër fshatit Banjskë, duke e futur natën dhe ilegalisht grupin kriminal i udhëhequr nga krimineli Radojçiq, grup i cili duke e vrarë rreshterin policor të Kosovës, Afrim Bunjakun, do e fillon realizimin e skenarit ushtarak kundër shtetit të Kosovës, i cili, dha i madhi Zoti dhe u dështoi me turp, faqe të zezë si dhe me humbje të mëdha në njerëz dhe pajisje ushtarake.

Se kush e ndihmoi dhe ndikojë që ky skenar terrorist i Serbisë dhe A. Vuçiqit të dështojë në Kosovë, me turp dhe vetë denigrim para botës demokratike, unë e kam të qartë, se cilët ishin ata miq të Kosovës, gjë që besoj, se gjithë shqiptarët e dinë se kujt, përveç policisë heroike të Kosovës, i dedikohet kjo fitore e madhe e Kosovës, ndoshta më e madhe se vetë lufta jonë çlirimtare!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat