Kosova është e shqiptarëve dhe jo e tregtarëve të copave dhe interesave të saj…

Opinione

Kosova është e shqiptarëve dhe jo e tregtarëve të copave dhe interesave të saj…

XHEVAT MUSTAFA Nga XHEVAT MUSTAFA Më 9 tetor 2023 Në ora: 21:58
Foto ilustrim

Rama, padyshim më me pa aftësi dhe cilësi të domosdoshme dhe shumëformëshe për këtë post, bën deklarime dhe veprime që mbajnë dhe përhapin erë shumë larg për anormalitet, prostitucion dhe biznes politik si dhe konsekuencë mendimi, misioni, angazhimi apo “telekomandimi” nga një “dorë e pashfaqshme”, por jo e panënkuptueshme.

Gjatë vitit 2023, ai sikur ka këputur frerët dhe po ecën si një kalë i tërbuar nëpër një fushë të paanë e të pafund, duke lënë pas deklarime dhe veprime që befasojnë, shqetësojnë, revoltojnë shumicën e SHQIPTARËVE dhe gëzojnë vetëm serbët e plotpushtetshëm në Beograd dhe turmat serbe e filosllave që u shkojnë pas, si dhe Putinin në Moskë.

Ndoshta nga humbja e ekuilibrit dhe vetëkontrollit pas dështimit me “Ballkanin e hapur” gjatë këtyre muajve të fundit, Edi Rama ka qenë i detyruar të bëjë propozime, deklarime dhe veprime të tjera të dyshimta e të kritikueshme. Karakterizimin më të saktë e më të bukur të figurës dhe rezultateve të tij si Kryeministër e bëri pak ditë më parë Michael Martens, gazetari i njohur i gazetës me imazh dhe me prestigj ndërkombëtar “Frankfurter Allgemeine Zeitung”(FAZ).

Me dy radhë ai shprehu një të vërtetë që ne në Shqipëri e Kosovë nuk kemi guxuar ta themi me qindra analiza, komente e opinione apo me “dy libra”, nga frika se mos “vetëvritemi” si i ndjeri Kastriot Myftaraj. Sipas tij, “Edi Rama është Kryeministri më i mirë i Serbisë në Shqipëri qysh nga koha e Nikola Pashiqit…”! Shumë vonë po e kuptojnë ca politikanë dhe deputetë të Kosovës origjinën, orientimin apo qëndrimin politik si dhe misionin e Edi Ramës.

Jo për t’u mburrur, prof. Enver Bytyçi, ambasadori Shaban Murati, unë e ca analistë të tjerë SHQIPTARË, kemi vite që botojmë edhe në “BOTA SOT” të Kosovës analiza dhe opinione, që bëjnë të qartë apo zhveshin lakuriq mercenarizmin, antishqiptarizmin, përfshirë edhe antikosovarizmin e Edi Ramës…!

Përse u duhen vite të tjera për të kuptuar të vërteta, që duken sheshit në deklarime dhe veprime të tij? Në kërkim të përgjigjes për këtë vonesë të stërzgjatur shtyhesh të mendosh dhe dyshosh edhe për ekzistencën mes tyre të njëmendësisë, njëndërvartësisë, njëqëndrimësisë, njëmisionësisë…!

Edi Rama e kapërceu kulmin apo majën e ‘malit me plehra’ më 4 tetor 2023 me deklaratën e pafalshme dhe të dënueshme për çdo politikan shqiptar e për më tepër për atë që prej mbi 10 vitesh ka zënë dhe mban fronin dhe postin e Kryeministrit të Shqipërisë me thonj e dhëmbë…!?

Është bërë e qartë qysh në fillim të kryeministërllëkut të tij se ai ka mbijetuar mbi 10 vjet si sulltan, perandor dhe mbret edhe duke financuar miliarda lekë për të shkatërruar opozitën dhe për të vënë në “gjumë” të rëndë e të gjatë popullin, për të mos u revoltuar për nxirjen e jetës dhe të Shqipërisë për shumicën e tij. Nëse piktor- basketbollisti apo papagalli” i një serie të propozimeve dhe tezave serbe mendon se “Kosova është tokë e askujt”, siç është shprehur në intervistën në prestigjiozen britanike “The Financial Times”, shumica e SHQIPTARËVE e dinë mirë dhe kanë bindje të patundshme se KOSOVA e tyre ka qenë, është dhe do të mbetet tokë pellazgo- iliro- dardane – shqiptare prej rreth 7-8 mijë vitesh.

Domethënë, rreth të paktën 6500 vjet para se kopetë apo turmat e barbarëve serbë të vinin në Ballkan nga përtej Uraleve, nga pyjet dhe stepat e Siberisë! Është dhe do të mbetet tokë shqiptare po aq sa Himara, Konispoli, sa copëzat e tokave që kanë zënë ca kocka në “varrezat e ushtarëve grekë” në juglindje të Shqipërisë; sa ajo copëz në detin Jon, e pasur me naftë e gaz…, që don të na rrëmbejë Greqia “mike” apo “aleate strategjike”…!!!

Është e pamendueshme dhe e pabesueshme që Edi Rama “nuk i di apo nuk i ka mësuar” deri tani këto TË VËRTETA HISTORIKE! Njëkohësisht, është e pamundur të pranohet se është viktimë naiviteti, deliri dhe euforie për t’u reklamuar si “lider global” apo internacionalist e në fund fare si lider shqiptar, nacionalist…! JO!

Të gjitha këto deklarime dhe veprime të papërgjegjshme, deri në dyshimin për gremisjen deri mercenarizëm, në mënyrë figurative mund të shpjegohen edhe me shtrëngimin e “lakut në fyt” nga “padronët” e tij Xhorxh dhe Aleks Soros e të tjerë në Ballkan dhe më larg e më në verilindje! Edhe toka që kanë zënë serbët në Veri të Kosovës dhe që bandat e mafies dhe të terroristëve të tyre, me mbështetje dhe ortakëri të Beogradit presidencial dhe qeveritar, po e shfrytëzojnë si “tokë të pushtuar prej tyre” dhe si “tokë të artë” për të gjitha llojet e kontrabandës dhe të terrorizmit, duke bërë gati joekzistente praninë dhe autoritetin e Policisë dhe të qeverisë së Kosovës, përsëri, ndryshe nga ç’mendojnë sivëllezërit Vuçiç- Rama, historikisht dhe aktualisht, de facto e de jure, është TOKË DARDANE- KOSOVARE- SHQIPTARE…!

Duke u shprehur “Veriu i Kosovës është tokë e askujt”; se “Nuk jam i detyruar të bëj çfarë do Kosova” e “kjo është bindja ime”(më saktë “puna ime”, mos vallë Edi Rama jep edhe një mesazh tjetër, kryesisht për SHQIPTARËT në Shqipëri, të pashprehur me fjalë, por lehtësisht të kuptueshëm nga veprimet e tij të këtyre 10 viteve mbretërimi si Kryeministër? E kam fjalën për çka është bërë bindje masive te shumica e kundërshtarëve të tij si ish-kryebashkiak, si kryetar i PS, si Kryeministër me plot pushtete, si Enveri…

Domethënë, mesazhin se Shqipëria e viteve të “epokës Rama- rilindje” është pronë e askujt prej SHQIPTARËVE, por e Edi Ramës me grua, fëmijë e vëlla; me shoqe e shokë në qeveri; me ortakë në biznese, përfshirë edhe ata në kultivimin dhe trafikimin e kanabisit dhe të drogërave të tjera;, me tufën e “investitorëve strategjikë” dhe me oligarki; me inceneratoristë plehrash të vërtetë, tymra dhe erërambytës apo krejt në letra e në fantazi; me patronazhistë dhe me drejtues dhe zyrtarë të korruptuar, që nuk duan t’ia dinë për popull e Shqipëri? Nëse vërtetë ka pasur ndërmend të na japë edhe këtë mesazh, na mbetet t’i drejtohemi “popullit të majtë”.

47 vjet mbyllët sy, gojë, veshë… për Enverin dhe Ramizin, që e bënë Shqipërinë Nigeri e Somali, zi e më zi për nga të gjithë treguesit e zhvillimit dhe të jetesës. 19 vjet pas 1990-ës dhe gjase pas komunizmit keni mbyll sy, gojë, veshë dhe i shkoni pas si tufa me dhen e dhi, mbroni e votoni Edi Ramën me qeveri, pa iu dhimbsur shumica e SHQIPTARËVE, vetvetja, familjet, fqinjët…, komb e Shqipëri!?

Atëherë mbeten vetëm dy pyetje për enveristo- edramistët, që i kanë veshët me nivel dëgjueshmërie si fëmijët apo si aparaturat e sofistikuara të përgjimit të Sigurimit enverian apo të tanishëm, edramjan…! Deri kur do të vini interesat individuale dhe të sojit e sorollopit tuaj; të partisë, të kryetarëve dhe qeverive të saj, duke e lënë Edi Ramën këto 10 vjet t’i nxijë shumicës së SHQIPTARËVE jetën dhe Shqipërinë???!!! A jeni shqiptarë edhe me zemrat, shpirtrat, mendjet… apo vetëm për nga përfitimet individuale dhe familjare; nga kuletat, kasafortat, kanabisi, kullat, flamurët, parullat…?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat