Ballkani në prag të luftës

Opinione

Ballkani në prag të luftës

Nga: Miftar Zagragja Më: 16 tetor 2023 Në ora: 14:45
Miftar Zagragja

Fati i Kosovës u vulos në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, më 1913, ku u vendos që definitivisht të mbetet jashtë kufijve të shtetit shqiptar.

Në periudhën 1918 - 1941 Kosova hyri në përbërjen e Mbretërisë SKS, ku përveç dëbimeve dhe varfërimit, vlen të përmendet edhe "Lufta e kaçakëve" - si rezistencë e armatosur ndaj politikës serbe për kolonizimin e Kosovës (Malcolm (2001). Popullata shqiptare iu ekspozua presioneve sistematike dhe privimit të të gjitha drejtave kombëtare. Kjo, madje konsiderohet se për shkak të pozitës tepër denigruese të popullatës shqiptare në Kosovë, njihet si periudha më e errët e saj në shekullin XX. "Prej vitit 1918 deri në vitin 1940, asnjë nxënës shqiptar nuk ka mund të mësojë në gjuhën e vet amtare. Një numër i vogël i nxënësve shqiptarë, të cilët kanë pasur mundësi të fitojnë arsimin fillor (katërklasësh) në gjuhën serbe, para se t`ia fillonin klasës së parë ata obligativisht është dashur që një vit më parë të mësonin gjuhën serbe". Premtimet nga Rezoluta e Konferencës së Bujanit (31 janar - 2 shkurt 1944), për mundësinë e bashkimit të trojeve shqiptare, kurrë nuk u morën parasysh.

Dihet se 27 Shkurti i vitit 1974 shënon kthesë në përmirësimin e pozitës kushtetuese të Kosovës në ish- Jugosllavi. Shpallja e Kushtetutës Kosovën e bën element konstitutiv të Federatës si dhe faktor të funksionimit të saj. Me fjalë të tjera, Kosova bëhet faktor i rëndësishëm i krijimit dhe realizimit të politikave dhe funksionimit të Federatës, por edhe i Republikës së Serbisë. Kjo Kushtetutë Kosovën e cilësoi si bashkësi shoqërore politike,socialiste,autonome, demokratike dhe vetëqeverisëse.

E vërteta historike nga komunikimi ndëretnik i shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë dhe më gjerë, imponon konstatimin se - shqiptarët dhe serbët kurrë nuk kanë krijuar ndonjë komunikim solid interetnik, përveç ndoshta në një dekadë - (të viteve të `70-ta të shekullit të kaluar). Partia komuniste i gjeti disa fije kontakti - nëse jo për jetë të përbashkët, së paku për një jetesë relativisht të qetë pranë njëri-tjetrit me disa vlera dhe përmbajtje, qofshin ato politike, ideologjike apo kulturore. Mirëpo, e tërë kjo u shkapërderdh me ngjarjet e vitit 1981. Vlerësimet dhe masat që i mori politika e Federatës së atëhershme, për shuarjen e këtyre demonstratave, definitivisht e ktheu komunikimin ndëretnik në Kosovë, në terrenin e destrukcionit. Në vitet që pasojnë, shënohet thellimi i mosdurimit gjer në konflikt - që kulmoi me luftën e armatosur në vitin 1998-1999.

Më 28 mars të vitit 1989 Kuvendi i Republikës së Serbisë i aprovoi amendamentet, me të cilat suspendohen autonomitë e krahinave socialiste. Me këtë akt Serbia kishte siguruar integritetin territorial të Republikës së vet, mirëpo do të dëshmohet se e vërteta ishte se me këtë akt, filloi procesi i shkapërderdhjes së RSFJ-së dhe vetë Serbisë.

Akti i suspendimit të autonomisë së krahinave socialiste në ish-Jugosllavi u pranua dhe interpretua në mënyra të ndryshme. Në vend, e tërë kjo u interpretua si problem i brendshëm i Serbisë. Mirëpo, delegatët e Kuvendit të Kosovës janë përgjigjur me kundërmasa.
Kështu pasoi pluralizmi i skenës politike shqiptare (themelimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës,Partia Shqiptare Demokristiane e Kosoves, Partisë Socialdemokrate të Kosovës, Partisë Fshatare, Partisë Parlamentare etj., mandej Greva e Përgjithshme e 3 Shtatorit 1990, Shpallja e Kushtetutës së Kaçanikut (7 Shtator 1990) etj. Strukturat e instaluara serbe pas suspendimit të
autonomisë së Kosovës, ndërmorën masa të largimit masiv të shqiptarëve nga puna, mbylljen dhe ndalimin e medieve në gjuhën shqipe, mbylljen e shkollave dhe universitetit në gjuhën shqipe, segregacionin e nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme, okupimin e institucioneve shkencore dhe shëndetësore.

Në vazhdën e aktiviteteve si kundërmasa të suspendimit të autonomisë së Kosovës, por edhe si moduse të mbijetesës në rrethana të krijuara pas këtij akti, me qëllim të homogjenizimit kombëtar - por edhe të sensibilizimit të faktorit ndërkombëtar, "Alternativa shqiptare", ndërmori një varg masash politike, siç janë:

Referendumi për pavarësi (26-30 shtator 1991).
Me ndihmën e asociacioneve të krijuara në të gjitha nivelet, u organizua Referendumi për pavarësi, të cilit shqiptarët iu përgjigjen në mënyrë jashtëzakonisht masive.

Zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale (22 maj 1992) u mbajtën në kushte të izolimit dhe presionit të vazhdueshëm policor. Shumicën absolute në këto zgjedhje e fitoi Lidhja Demokratike e Kosovës, ndërsa president u zgjodh Dr. Ibrahim Rugova.Ky kuvend nuk do të konstituohet asnjëherë, mirëpo nga ky veprim politik rrodhi ideja që të formohet Qeveria e Kosovës në krye me dr. Bujar Bukoshin. Kjo Qeveri kaloi në ekzil, ku i zhvilloi aktivitetet e veta gjer në vitin 1999. Aktivitetet e Qeverisë Bukoshi kryesisht janë përqendruar në strukturimin dhe organizimin e mekanizmave për grumbullimin dhe menaxhimin e ndihmave nga mërgata kosovare në shtetet perëndimore.

Kjo Qeveri e organizoi edhe vetëkontributin qytetar në baza vullnetare, të njohur si "3%" nga të ardhurat e të punësuarëve shqiptarë nga Kosova, kudo në diasporë. Në këtë drejtim veproi edhe mërgata shqiptare në Austri. Këto mjete të grumbulluara në fondin qeveritar,shërbyen si mbështetje financiare për arsimin e organizuar në gjuhën shqipe në Kosovë, nëpër shtëpi dhe objekte private, për shëndetësinë - po ashtu të organizuar kryesisht në rrjetin e ambulancave "Nëna Terezë" - si dhe për përkrahjen logjistike të formacioneve të UÇK-së dhe FARK- ut.

Protestat studentore të organizuara më (1 tetor 1997) e "kaluan vijën e kuqe" të rezistencës paqësore. Brutaliteti policor për parandalimin dhe shuarjen e tyre, nxiti revoltë në popull. Po ashtu, edhe sulmet e armatosura të UÇK-së dhe formacioneve të tjera të armatosura, mbi pozicionet serbe në Kosovë, ishin gjithnjë e më të shpeshta. Në këto rrethana dhe me këto veprime, filloi forma tjetër e rezistencës ndaj politikës serbe në Kosovë.

Konferenca e Ramboujes (18 mars 1999) shënon rastin e fundit që delegacioni mjaft kontravers shqiptar dhe pala serbe të nënshkruajnë marrëveshjen për ndalimin e konfliktit. Pala shqiptare, nën presionin e ndërmjetësve ndërkombëtarë (amerikanë dhe britanezë) e nënshkroi marrëveshjen, ndërsa pala ruse dhe serbe, refuzuan. Refuzimi krijoi alibi për intervenimin e NATO-s, Aleancës që të fillojë intervenimin në Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi (24 mars 1999 dhe përfundoi me Marrëveshjen e Kumanovës, 9- 10 qershor 1999).

Administrata e UNMIK-ut në Kosovë ka luajtur rol vendimtar për krijimin e kornizës ligjore për ndërtimin institucional të sistemit, që jo vetëm se ishte i rrënuar nga lufta, por edhe ajo që kishte mbetur, vuante seriozisht nga sindromat e sistemit të kaluar. Mirëpo, për shkak të vetë strukturës organizative, kualitetit kadrovik dhe stërngarkimit me administratë të burokratizuar, UNMIK-u u dëshmua tepër i ngathtë dhe pa sens të mjaftueshëm për respektimin e specifikave politike, ekonomike, historike dhe kulturore të Kosovës. Abuzimet me mjetet dhe politikën e bartjes së kompetencave tek stafi lokal, rezultuan me rënien rapide të nivelit të satisfaksionit të tij te popullata vendore.

Kosova është vendi i fundit në Evropëqë e fitoi mëvetësinë, si rrjedhojë e shpërbërjes së përgjakshme të federatës së ish Jugosllavisë. Më 1990 Kosova u shpall republikë dhe më 1991 shtet i pavarur, mirëpo nuk arriti ta jetësonte shtetësinë e vet në rrethanat e okupimit ushtarak serb, që zgjati plot një dekadë (1989-1999). Qëndresa paqësore mbarëpopullore, Lufta e Ushtrisë Çlirimtare (1997- 1999) dhe ndërhyrja ajrore të NATO-s, në pranverë 1999, i dhanë fund gjenocidit të Serbisë mbi popullatën shqiptare të Kosovës. Trupat e NATO-s hynë në Kosovë, në qershor 1999, ndërsa po largohej ushtria serbe dhe kështu Kosova u administrua nga një mision i Kombeve të Bashkuara, deri më 2008. Më 17 shkurt 2008, Kosova u shpall shtet i pavarur dhe sovran.

Me shpalljen e pavarësisë, më 2008, Republika e Kosovës u bë shteti më i ri në botë dhe synon anëtarësim në NATO dhe në Bashkimin Evropian.
Shpallja e pavarisësë së Kosovës (17 Shkurt 2008) shënon mbylljen e një kapitulli të errët për vetë Kosovën, por edhe fundin e procesit të shkapërderdhjes së ish- Jugosllavisë me 6 republika dhe 2 krahina. Pas periudhës së administrimit ndërkombëtar, prej tetë vitesh, Kosova si shtet i ri, në përpjekjet e mbijetesës si e pavarur, siguroi përkrahjen e numrit më të madh të shteteve të Unionit Europian, SHBA-ve dhe disa shteteve nga kontinentet tjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat