Artistë dhe amatorë - ose rënia e profesionistëve dhe “shkëlqimi” i diletantëve

Opinione

Artistë dhe amatorë - ose rënia e profesionistëve dhe “shkëlqimi” i diletantëve

Nga: Ndue Dedaj Më: 18 tetor 2023 Në ora: 11:02
Autori Ndue Dedaj

Gjithnjë e më shumë ka filluar të fshikullohet ajo që mund të quhet maskarada “artistike” shqiptare e tranzicionit, me programe që “mbërthejnë” shikuesit ditë-natë, kinse duke zbrazur rrugët e sheshet në mbrëmje!? Po kush janë ata artistë që e kanë këtë fuqi magjike? Robert Ndrenika? Reshat Arbana? Tinka Kurti? Margatita Xhepa? Roza Anagnosti? Zef Deda? Timo Flloko? Yllka Mujo, Bujar Asqeriu? Enver Petrovci? Ndriçim Xhepa? Luiza Xhuvani? Rajmonda Bulku?... Për të përmendur vetëm disa emra të gjallësh, pa shkuar më tej, tek ata që nuk rrojnë, mjeshtrit e papërsëritshëm të skenës dhe ekranit që nuk e panë tapetin e kuq as pas rënies së dikaturës. Sigurisht, askush nuk thotë të jenë vetëm këta, padyshim dhe të rinjtë, po jo që artistët e sprovuar në dekada të thirrën vetëm për “garniturë” në shfaqjet kinematografike që bëjnë disa çuna të shkathtë, të zotët për të gjitha, sidomos për afrinë me politikën. A thua të bërit art të mirëfilltë në skenë e ekran - teatër e kinematografi, nuk është më në modë, përderisa dhe disa aktorë të rinj të talentuar të humorit i kanë lënë trupat ku luanin role mjeshtërisht dhe njëri pas tjetrit po krijojnë si moderatorë emisionet e tyre televizive, që ngjyrosin me humor të çastit, por nuk janë humori vetë.

Mjafton përformanca e Shkurte Fejzës në stadiumin kombëtar të Tiranës “Air Albania” në ndeshjen Shqipëri - Çeki për të treguar se tapeti i kuq është shtruar me meritë, dhe kur ai është një tapet i blertë. Por nuk janë rastet që duhet të na ngazëllejnë. Shoqëria jonë lundron në anormalitet, ngado që ta zësh. Ka një rënie të profesionistëve, ndërkohë që po “shkëlqejnë” për herë e më shumë diletantët. Ata tashmë janë të zotët e punës. Arti bashkëkohor kinse popullor ka vulën e tyre, ai është mbytur nga populizmi. Tallavaja është në kulmin e lulëzimit. Askush nuk e ndalon. Artistët profesionistë rrojnë në shtëpi të thjeshta dhomë e kuzhinë, kurse tallavabërësit në vila. “Kështu e do publiku”, të thonë këta të fundit. Vërtetë këto të jenë shijet e publikut shqiptar, në rastin e muzikës? Asnjë gjurmë nuk ka lënë ndër ne Tefta Tashko Koço e Nexhmije Pagarusha?... Artistët nuk e durojnë tallavanë, ata nuk mund të përzihen në shfaqjet e saj, as dasmat ku hidhen paratë në këmbët e dasmorëve dhe të orkestrës. Ata e kanë odeonin e tyre aty ku bëhet art i vërtetë, i mundimshëm, në opera, koncerte, orkestra simfonike, teatro, mbrëmje gala etj., por për këto nuk ka buxhet, projekte, donacione. Teatrove profesionistë në qytete u ka mbetur vetëm emri dhe godinat e amortizuara. Producentët e rinj nuk i ftojnë aktorët e njohur për të luajtur role. Atyre nuk u kërkohet më të recitojnë De Radën, Naimin, Fishtën, Migjenin, Lasgushin e poetë të tjerë të mëdhenj. Teatri i tyre poetik duket jashtë kohe. Ishte emocion i veçantë të dëgjoje kohë më parë recitimin e vjershës “I tretuni” të Mjedës nga aktori i njohur shkodran Ymer Bala.

Thuajse është hequr fare nga ligjërimi i sotëm fjala amator. A mund të jenë artistë të gjithë amatorët që mbushnin dje ansamblet popullore të rretheve? Kaq shumë artistë ka një vend i vogël si ynë? Sado që fjala artist nuk është eksluzivitet vetëm i profesionistëve, atyre që rrojnë me artin e tyre, prapë dallimi është esencial. Artistët gjithmonë janë pak. Amatorët janë shumë. Sa pak artistë tanë, që nga Aleksandër Moisiu, kanë bërë emër në botë. Është dhe ky një tregues. Jeta nuk mund të kuptohet vetëm me yje të skenës, por dhe me interpretues amatorë, që këndojnë e kërcejnë për qejfin e tyre në skenat lokale, dasma etj. Sa hokatarë takojmë përditë që bëjnë humor më mirë se në disa variete televizive, ku më shumë flitet se sa aktrohet. Kjo mani për madhështi të rreme është shtrirë gjer tek artistët e vegjël, ku një emision kushtuar tyre quhet “Gjeniu i vogël”. Pse patjetër gjeniu, kur gjenitë janë aq të rrallë? Ka amatorë dhe profesonistë në të gjithë botën dhe në të gjitha kohët. Ne nuk bëjmë përjashtim nga rregulli. Me qenë amator nuk do të thotë se nuk je dikushi, përkundrazi je i vlefshëm në atë çka bën me pasion. Teksa një amator me shkollim e punë mund të ngrihet në nivelin e profesionistit. Si amatorë e kanë nisur: Fatime Sokoli, Hazis Ndreu, Ndue Shyti, Demir Zyko, Laver Bariu, apo Ramazan Njala, Gjosho Vasia, Gëzim Kruja, parodistët e Vlorës etj. derisa u ngritën në majat e artit shqiptar. Pa folur për polifoninë e famshme labe, sazet e Korçës e formacione të tjera tradicionale, u bënë aq të njohur dhe grupet amatore si “Pleqtë e Krujës”, “Grupi i Burrave” i Mirditës etj.

Kemi pasë fjalët e bukura zonjë dhe zotëri, që më pas u zëvendësuan me shoku e shoqja, kurse tashti mos u habisni që gjithnur amatorësh i thërrasin njëri - tjetrit jo në emër, por “artist”, “poet” etj. Në të vërtetë këto epitete i praktikojnë ata që dyshojnë se janë të tillë, dhe mendojnë se duke ia përsëritur vetes apo miqve, kjo do të ngjisë në publik. Dikur jo çdo punëtori i thuhej usta, por vetëm atij, lë të themi, që kishte kategorinë e shtatë. Partia të bënte brigadier, përgjegjës e drejtor, por jo dhe mjeshtër. Bëhej dallimi sa u përket zanateve e tash nuk bëhet as në art?!

Kënga popullore, aty ku “lulëzoi” së pari tallavaja

E para që e pësoi nga tallavaja ishte kënga. Ajo iu dorëzua e tëra komercialitetit, që i ka varfëruar shijet artistike dhe vetë artin. Tekste këngësh kot. Orkestra që mblidhen sa me akordue veglat muzikore. Kompozon kushdo. Këndon teknika. Rroftë superpozimi. Live s’ka. Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore “konkurohet” edhe nga amatorët e dorës së fundit. Duke parë katrahurën e gjithanshme kinse artistike shkrimtari Stefan Çapaliku ngre shqetësimin: “Në kushtet kur edukimi artistik ndër shkolla ose ka dështuar plotësisht ose ka qenë një projekt me të meta të mëdha, na duhet urgjentisht të veprojmë pa mëshirë kundër ndotjes estetike, që vjen më së shumti nga e ashtuquajtuna muzikë, që ka shpërthyer si gjiriz, nëpër të gjitha plazhet tona e kudo, aq sa gjendja paraqitet si apokaliptike...” Mirëpo kush e dëgjon këtë kambanë dhe të tjera si kjo. Po ashtu akademik Ardian Ndreca: “Kush asht ai që mbërrin me riprodhue fillim e mbarim nji kangë të këtyne yjeve të showbizit të sotëm? Pa pasë nevojë me qenë nostalgjik, por brezi jem asht ende sot në gjendje me riprodhue motivet e Vaçe Zelës, Gaqo Çakos, Tonin Tërshanës që janë këndue jo dje e pardje por nji gjysëm shekulli ma parë. Sot muzika e showbizit, tallavatë laramane, reduktohet vetëm tek pjesa ritmike, ndërsa poezia dhe melodia janë zbehë (e ky asht nji eufemizëm). Vendin e tyne e ka zanë kryesisht pamja e jashtme, markat e veshjes, grimi, protezat e silikonit, ndërhymjet e kirurgjisë plastike që s’mbarojnë kurrë pse sa rregullohet nji anë prishet nji tjetër...”

Liria e tregut muzikor është një gjë dhe tallavaja, apo shpërdorimi i muzikës është një gjë tjetër. Si mund të qendrojnë pranë klipeve të mjeshtërve të mëdhenj të muzikës shqiptare, të ashtuquajturat klipe të qindra diletantëve, që u bënë këngëtarë më lirinë e tregut, në vend që t’i trembeshin pikërisht asaj, individë që deri dje kishin qenë pjesëtarë të formacioneve të ndryshme vokale të grupeve asmatore (kor, kompleks, kuartet, trio etj.), por jo solistë.

Ndërkohë na bajnë nder evente si festivali ndërkombëtar operistik “Marie Kraja”, inicuar në vitin 1999 nga Zana Çela, me pjesëmarrjen e artistëve nga e gjithë bota, spektakle televizive si “Kënga magjike”, “Këngët e shekullit”, “Këngë moj” etj. Kompozitori Zef Çoba, në vitin 1999, themelon në “kryeqytetin” e muzikës qytetare, Shkodër, shoqatën muzikore “Rozafa Expression”, me korin e të rriturve, grupin e këngëtarëve popullorë, grupin vokal të fëmijëve, miqtë e muzikës, ku merr pjesë në veprimtari artisike kombëtare e ndërkombëtare. Po ashtu, sa i përket arsimimit muzikor, është për t’u përmendur Lezha, ku dhjetë vjet më parë, me nismën e drejpërdrejtë të drejtorit të DAR-it Bardhok Pulaj, krijohet një “shkollë muzike” brenda shkollës 9-vjeçare publike “Besëlidhja” dhe një talent i saj, vogëlushja me emrin Ana Maria, sot mëson në Londër në një kolegj muzike. Aty u thirrën për të dhënë mësim mësues specialistë muzike nga Shkodra dhe Tirana. QKF-ja e këtij qyteti me tradita kulturore kishte dhe rrethin e instrumentistëve të vegjël që i binin çiftelisë, por nuk kishte mbetur vetëm aty, tek vegla e “gjyshërve”.

Gjirokastër, festival folklorik pa folk! Këngë kurbeti, si në shekullin XIX!...

Në pamje të parë ku është problemi që nga Ministria e Kulturës zhvillohet një festival folku mbas tetë vitesh, aq më tepër që kemi një traditë të gjatë në këtë lëmë? Apo që bashkitë organizojnë periodikisht panaire të prodhimeve artizanale në qendrat e qyteteve? Që shkollat e kanë kthyer në rregullsi që çdo vit të përformojnë shfaqje dhe panaire popullore? Asgjë të keqe, përkundrazi, problemi është gjithnjë tek teprimi me gjënë, “folklorizimi” i krejt jetës shqiptare, a thua se jemi gjithë vitin në stinën e turizmit, ku të huajtë mezi presin të veshin kostumet tona kombëtare e krahinore, që nga ambasadorët. Kanë lulëzuar si kurrë më parë shoqatat folklorike, këngët dhe videoklipet me “taban”, ndërkohë që folklori si i tillë për vetë natyrën e tij arkaike është dobësuar aq shumë, sa në Gjirokastër më shumë mund të kenë shkuar improvizime folklorike bashkëkohore se sa bardje autentike burimore. Ky lloj shpëthimi folklorik nuk ka kursyer as fushën e fundit elektorale, ku ministrat, deputetët, kandidatët për kryebashkiakë kërcenin valle fshatçe me popullin, një festë tallavaje akapelo, që të kujtonte shfaqjet e dikurshme “Dilni se erdhi Enveri”. Pse gjithë ky folklorizim kudo? A kemi ne dhe muzikë klasike, opera, balet etj. Ne vërtetë kemi shkëlqyer me foklor dhe kemi rrëmbyer “Gjerdanin e Artë” në Dizhon më 1970, ama ka dekada që bota artistike na njeh përmes artit të Ismail Kadaresë, Bekim Fehmiut, Angelin Preljocajt, Inva Mulës, Agim Hushit, Ermonela Jahos etj.

Nuk është e rastit që Festivali i Gjirokastrës këtë vit nuk kishte risi, por bluante miellin që kishte bluar prej një gjysmë shekulli. Tek e fundit ai ishte në njëfarë mënyrë pasqyrë e folkut të sotëm pa palcë folklorike. Si mund të jetë ndryshe, kur rrjeti është mbushur me këngë për kurbetin, si këtu si në Kosovë, njëlloj si në fillimet e shekulliut XX, i njëjti leksik, i injëjti intonacion i dhimbshëm, a thua se emigrimi i sotëm, ku shkohet e vihet më avion, është si te nizami i papshpresë i Urës së Qabesë. Por sot nuk ka më kurbet dhe kurbetlinj, që “thyejnë qafën, kah sytë këmbët” dhe nuk dihet a kthejnë apo jo. Sot “kurbetliu” flet me kamër me njerëzit e shtëpisë sa herë të dojë. Emigrantët e sotëm kanë bërë biznese të tyre në Romë, Berlin, Nju Jork etj. Kjo nuk do të thotë se nuk ka pasur plagë emigrimi i tridhjetë viteve, apo i shtatëdhjetë viteve, drama sociale etj., por pamja e sotme e emigracionit shqiptar nuk është kurrësei ajo e kurbetlinjve të një shekulli më parë. Emigrantët tanë sot janë me pasaportat e vendeve ku rrojnë dhe mburren më të qenit europianë, amerikanë etj.

*Së fundi, fjalori e shqipes nuk lë vend për keqkuptim, sipas tij artist është ai që luan me mjeshtri një pjesë teatrale a muzikore, një rol në film, cirk etj., që është krijues veprash arti në pikturë, skulpturë, muzikë etj. Amator është dikush që merret me sport, me art etj. pa e pasur mjeshtri dhe pa përgatitje të veçantë: piktor amator, grupet amatore etj., ndërsa diletant përdoret me kuptim keqësues, është personi që merret me veprimtari në fushën e artit etj. pa pasur përgatitjen e nevojshme, ndaj dhe thuhet: “Ra në duar diletanti”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat