“Merci beacoup” president Macron, por në tërësinë e saj vizita e juaj në Tiranë është treguar proserbe dhe antishqiptare

Opinione

“Merci beacoup” president Macron, por në tërësinë e saj vizita e juaj në Tiranë është treguar proserbe dhe antishqiptare

Nga: Prof. Dr. Zija Lleshi Më: 23 tetor 2023 Në ora: 22:46
Prof. Dr. Zija Lleshi

Nuk mbahet mend të ketë vizituar Shqipërinë ndonjë president i Francës. I dijnë ata mirë arsyet e tyre... I marrim me mend edhe ne ato arsye! Para disa dite pati përjashtim dhe Shqipërinë e vizitoi presidenti i Francës, zoti Emmanuel Macron. Ishte shansë e mirë për presidentin e Francës, zotin Macron, që në tubimin dhe në mesin e liderëve tjerë të Ballkanit Perëndimor, të merr pjesë edhe ai. Në një shumicë liderësh pjesëmarrja individuale prapseprap disi nuk bie shumë në sy. Dhe pikërisht këtë e kërkonte z. Macron; që mos të hidhërohet shumë Serbia për vizitën e tij Shqipërisë. Madje këtë linjë, e përforcoi me deklaratën kundër liberalizimit të vizave për shqiptarët në Kosovë, në mënyrë që në Serbi të parapëlqehet sa më shumë, si dhe Serbia të ketë mirëkuptim tolerues për atë vizitë. Idea e z. Macron rezultoi të ishte ta mbulojë dhe sa më shumë të maskojë atë vizitë me dicka që i pëlqen tepër Serbisë.

Vizita e tij do të mbetët kohë të gjatë në mend. Presidenti Macron nuk ka lërë mundësi që shqiptarët autokton në Kosovë të zgjedhin në mes karrotës dhe shufrës. Ai iu dhuroi të dyjat që të mbetët kinse neutral dhe i balansuar, edhepse e dyta ka shije të ithët, antishqiptare dhe është në favor të Serbisë ekspansioniste multigjenocidale, dikur Pashalluk i Beogradit me kryeqytet Smederevën, ca 450 km larg Kosovës. Këtë edhe e synonte z. Macron. Serbia të jetë më afër tij edhe kur gjindet në Tiranë. Presidenti Macron vërtet i gëzoi shumë shqiptarët që e dekoroi shkrimtarin e madh, Ismail Kadaren, me medalen ” Oficer i Lartë i Legjionit të Nderit”, por në mënyrë që mos të hidhërohet Serbia ai ka lërë edhe një mesazh të pa pritur e të dëmshëm për shqiptarët, për pezullimin e liberalizimit të vizave, veprim antishqiptar dhe proserb, madje veprim me pompozitet dhe pikërisht në atë tubim aq të lartë dhe eminent, në Samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor, thua se ai mesazh ishte qëllmi kryesor i vizitës së tij. Pra, individualisht (“dekorata”) ishte – pro; kolektivisht (”vizat”) që ka peshë specifike më të rëndë – contra, në favor të Serbisë dhe kundër shqiptarëve.

Natyrisht që shqiptarët nuk kanë asgjë kundër zhvillimit dhe forcimit të marrëdhënjeve bilaterale të cilavedo palë, por ato duhet të krijojnë stabilitet dhe paqë të qëndrueshme në rrethinë dhe të jenë në frymën e etikës politike. Veprimi i presidentit Macron në tërërsinë e vetë ka qenë kundër edhe vetë frymës dhe parimeve themelore të Revolucionit francez (1848) në moton e saj, “ Liberté, Égalité, Fraternité” dhe përfaqësuesëve të saj Voltaire, Rousseau etj. që ndikon negativisht në imazhin për Francën e sotme.

Një retrospektivë e shkurtër historike na rikujton atë që z. Macron kurrsesi nuk duhej ta ketë harruar. Dihet se në përfundim të luftës parë botërore Franca, si fituese, i aneksoi dy krahina të Gjermanisë, Alsace dhe Lorraine, të cilat kishin pasuri të mëdha nëntokësore me thëngjil, si burim i rëndësishëm energjetik. Këtë veprim Britania e Madhe nuk e miratoi, me arsyetim se do të bëhej shkak i konflikteve të reja (më vonë ndër shkaqet e Luftës dytë botërore në histori numërohet dhe u dëshmua edhe ky fakt) prandaj Franca kërkoi përforcim dhe përkrahje nga Rusia. Nga ana e saj Rusia ishte e gatëshme si gjithëmonë të intrigojë dhe që këto shtete të lërë në konflikte të përherëshme dhe përpos kësaj Franca do të ndihmonte Serbinë që të aneksojë poashtu dy krahina tjera: Vojvodinën dhe Kosovën. Rezultati përkitazi me krahinat 2:2. Arsye e mjaftueshme për Rusinë dhe dashurinë ruso-serbe dhe për prezencën dhe ndikimin e Rusisë në Ballkan. Që nga ajo kohë, me sherrin edhe të Francës, kjo pjesë e Ballkanit është në gjakderdhje të madhe dhe trazira të vazhdueshme. Edhe në luftërat e fundit në Ballkan dihet se Franca e ka luajtur të njëjtin rol antishqiptar. Në këto luftëra animin e saj proserb Franca e ka dëshmuar edhe në gjakderdhjen në Mitrovicë dhe me ndarjën e Mitrovicës, që është thjeshtë pjellë e saj që sot tronditë Ballkanin.

Kurse Ju, zoti President Macron, mos nguroni dhe ejani përsëri në Tiranë, që ne në Kosovë i themi kryeqyteti i shtetit amë dhe ejani jo vetëm në tubime ndërkombëtare, por ejani në takim miqësor bilateral dhe me atë shembull dhe frymëzim nga Willy Brandt që botërisht u kërkoi falje botërore hebrejëve për gjenocidin nazifashist në luftën e dytë botërore, por edhe me atë frymëzim nga vetë Ju, z. Macron, që u kërkuat falje katër të rinjëve algjerianë kur i pranuat në audiencë për vrasjen nga ushtarët francez të babit të tyre, luftëtarit për liri dhe çlirim, Ali Bumenegel, më 1957, dhe si hap i parë drejt normalizimit të marrëdhënjeve të Francës me Algjerinë. Ejani si i till zoti President Macron me ide të reja. Shqiptarët do të iu mirëpresin dhe do të iu mirëpret historia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat