Vuçiç sfidon përsëri “engjëjt mbrojtës” të tij në BE dhe DASH!

Opinione

Vuçiç sfidon përsëri “engjëjt mbrojtës” të tij në BE dhe DASH!

Nga: Xhevat Mustafa Më: 1 nëntor 2023 Në ora: 09:57
Xhevat Mustafa

një herë, në Beogradin e tij dhe në takimin e 31 tetorit 2023, me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi në serbisht dhe kuptueshëm edhe në anglisht, spanjisht, frëngjisht, rusisht, kinezçe....se "as de facto dhe as de jure nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës..."! Për të qenë sa më të saktë e të besueshëm, po e përcjell këtë dedklaratë të tij, ashtu siç ia ka shprehur drejtueses më të lartë të BE-së. Aleksandar Vuçiç: “...për Serbinë nuk është në pyetje njohja e Kosovës. Dhe këtë e kam thënë pafundësisht dhe nuk është e vështirë për mua dhe nuk më vjen turp, jam krenar që e them para presidentes së KE-së...Ne e dimë se cilat janë obligimet tona nga dialogu dhe jemi të gatshëm t’i përmbushim ato...Serbia e ka të qartë se çfarë nuk mund të bëjë kundër Kushtetutës. Ky qëndrim i Serbisë nuk ndryshon!”.

Kjo deklaratë e re dhe e moçme nuk mbart asnjë të papritur e të re për qeverinë dhe popullin shqiptar të Kosovës. As personalisht për presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti dhe ministren e jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla! As për SHQIPTARËT në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, në Diasporën Shqiptare...Merret me mend se kjo deklaratë e re e Vuçiçit të vjetër është e adresuar më shumë për ata miq dhe mbështetës të Serbisë në BE dhe DASH që këmbëngulin në iluzionin dhe shpresën e tyre të kotë për ndryshim mendimi dhe qëndrimi ndaj Kosovës!

Kjo është përgjigje e drejtpërdrejtë edhe për takimin e Brukselit, më 24 tetor të pesëshes së BE- së e për "projektin modern" të tyre për asociacionin e komunave me shumicë serbe, një përpunim i pjesshëm i projektit franko- gjerman, paraqitur në takimin e Ohrit,...! pse Albin Kurti u shpreh i gatshëm ta pranonte këtë variant, përsëri pesëshja e BE, sidomos nëpërmjet Borrellit, vazhdoi tu drejtohej dy palëve për të vazhduar takimet dhe arritur sa më shpejt marrëveshje! Po, si mund të vazhdojnë takimet dhe bisedimet, kur Vuçiç dhe Serbia e tij nuk lëshojnë fare pe nga pozicioni dhe qëndrimi i tyre i vjetër! Deri kur zyrtarë të lartë në Bruksel, Paris, Berlin, Madrid, Romë, Uashington... do të vazhdojnë qëndrimet përkëdhelëse apo favorizuese ndaj beniaminit të tyre, Aleksandar Vuçiç dhe Serbisë së tyre dhe presionet dhe sanksionet ndaj shtetit dhe qeverisë së Kosovës, përfaqësuar nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti! Për më tepër e më keq, deri kur do ta vështrojnë atë barabar me Kurtin, kur "mali i Himalajave" i pengesave për marrëveshjen përfundimtare e të pranueshme nga të dy palët është në mes të Beogradit?!

Deri kur do të kenë iluzionin dhe shpresën e kotë se do të mund ta joshin Vuçiçin sa ta shkëpusin nga krahët e Putinit dhe të Xi Jinpingut e ta tërheqin përfundimisht drejt Brukselit? Zhvillimet e ditëve të fundit në Malin e Zi, me kapjen e parlamentit dhe të shumicës së qeverisë nga parti pro serbe dhe pro ruse, deklarata e kreut të Republikës Srpska në Bosnje-Hercegovinë, Millorad Dodik, se “serbët duhet të kenë një shtet të vetëm”, pjesë të së cilit duhet të jenë edhe Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje Hercegovina...”, pa harruar edhe sulmin e grupit terrorist serb në Banjskë të Mitrovicës më 24 shtator, shprehin një ambicie më të madhe dhe një projekt të vjetër e të ringjallur serbo-rus!? Merret me mend se Dodik nuk flet me kokën dhe gojën e vet, pa u konsultuar më parë me SHEFAT e tij në Beograd dhe Moskë, Aleksandar Vuçiç dhe Vladimir Putin...!

Përgjigja nga ambasadori i SHBA në Bosnje, Michael Murphy se Dodik “po bllokon qeverinë, kërcënon paqen dhe kërkon të shantazhojë ose ngacmojë liderët e tjerë politikë të vendit dhe komunitetin ndërkombëtar...Ne jemi të vendosur të mbrojmë sovranitetin, integritetin territorial dhe karakterin multietnik të Bosnje dhe Hercegovinës!”, është e shpejtë dhe e fortë.

Por Milorad Dodik dhe nëpërmjet tij, Vuçiç në Beograd dhe Putin në Moskë, meritojnë pa vonesë deklarata dhe paralajmërime nga qeveritarët dhe pushtetarët më të lartë të vendeve kryesore të BE-së dhe si BE. Natyrisht, edhe nga SHEFAT e ambasadorit Murphy në Uashington, nga Sekretari i Shtetit Blinken, bile edhe nga Presidenti Biden. Këta janë vërtetë tejet të angazhuar dhe shqetësuar nga luftrat Rusi-Ukrainë dhe Izrael-Palestinë(HAMAS), por për të mos iu shtuar edhe një luftë e re në Ballkan, “fuçi baruti” prej rreth 145 vjetësh, është e këshillueshme, e domosdoshme, urgjente të ndërhyjnë seriozisht për t’ua ulur dhe shuar orekset konfliktuese liderëve më të lartë serbë dhe padronëve dhe sponsorëve të tyre në Moskë, Pekin, Teheran...Sepse, prej kohësh është lënë të nënkuptohet se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç apo edhe Millorad Dodik, “ua kanë pirë lëngun” apo nuk ua vënë veshin seriozisht këshillave, “kërcënimeve të pambukta apo të leshta” të Ursula von der Lyen-it, Macronit, Borrellit, Lajçakut, Escobarit..., duke i përkthyer në serbisht apo rusisht si “larje goje” e si justifikim të udhëtimeve dhe shpenzimeve prej këtyre...!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat