Cila është e vërteta e protestës së policisë?!

Opinione

Cila është e vërteta e protestës së policisë?!

Gani Qarri Nga Gani Qarri Më 2 nëntor 2023 Në ora: 15:34
Foto ilustrim

Vetëm pas pak, më tepër, se një muaji nga demolimi i bandave terroriste serbe në veri të vendit, qytetarët e Kosovës, u tronditën nga protesta e një grupi të kamufluar, të deklaruar si pjesëtarë të njësiteve më elitare të Policisë së shtetit.

Në situata të tilla dhe të ngjashme të suksesit, askund në botë, nuk ka njësi elitare të policisë të protestojë! 

Pse nuk u protestua edhe me 25 korrik të vitit 2011 kur u vra polici hero Enver Zymberi, dhe Hashim Thaçi, në vend se të urdhëronte ndjekjen e terroristëve serb, dhe vendosjen e rendit e të ligjit në veri, urdhëroi tërheqjen e njësiteve policore pa marrë të paktën, as hakun e heroit të rënë?  

Vërtet shumë e rëndë, për të mos thënë edhe e pa shpjegueshme, se pse kjo ndodhë vetëm në Kosovë?!

A kishte vërtetë arsye të mjaftueshme, që vetëm pse "Kryeministri" Albin Kurti paska vendos shtesa në vlerë 150 euro dhe 120 euro, që besoj se nuk është vendim i kryeministrit, por i ministrit të financave, për dy njësitet më elitare të Policisë së Kosovës, vet ato të protestojnë në rrugë?! 

Madje tingëllon aq e pazakontë, që në emër të pakënaqësisë me shtesat, ata përveçse të revoltohen e dalin në protestë, të kërkojnë edhe ballafaqim me Kurtin personalisht, në emër të përmbushjes së kërkesave financiare, duke kërcënuar edhe me veprime të tjera.

Çfarë dhe cilat mund të jenë ato veprime?!

Sjellje si këto, më së paku, janë defilime politike, nëse jo edhe rebelim kundër shtetit, por jo edhe protestë e njësiteve elitare të Policisë së Kosovës, e cila nuk mund ta lëshojë veten në këtë pozitë dhe të cilën për gjithë këto vite, e ka himnizuar një popull i tërë.

Njerëz të kamufluar që paraqiten në emër të Njësisë Speciale Intervenuese dhe Njësisë për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive, përmes folësit të përzgjedhur prej grupit të tyre, mund të kërkonin rritjen e të ardhurave si dhe ngritjen e shtesave, por nuk di kush ta shpjegoj se si duhet kuptuar kërkesa e tyre publike, për përballje me kryeministrin Albin Kurti?!

Pse këta njerëz edhe në kushte më të këqija dhe të ardhura më të dobëta, nuk protestuan asnjëherë, edhe gjatë qeverisjeve të kaluara?!

Çfarë duan në të vërtetë këta burra, me kërkesën për ballafaqim me Kurtin, planifikojnë të kryejnë grushtshtet dhe rrëzojnë Qeverinë më demokratike në rajon, me dhunë, vetëm pse Kurti rivendosi sovranitetin e plotë shtetëror edhe në veri të Kosovës dhe prishi kooketimin e partive opozitare me kryeterroristin Milan Radojçiq, dhe këtë vetëm rreth një muaji pas demolimit të bandave terroriste serbe në veri të vendit.

Përndryshe në situata të tilla, as të ngjashme të suksesit të një shteti të brishtë si Kosova, askund në botë, nuk ka njësi elitare të policisë të protestojë!   

Andaj puna e këtyre protestuesve duhet të sqarohet urgjentisht, se a përfaqëson njëmend grupi i "rebeluar" kundër Albin Kurtit, të gjithë pjesëtarët e Njësisë Speciale dhe të Njësisë për Trajtimin e Eksploziveve, apo të vet deklaruarit në emër të këtyre dy njësive, nuk e ndjejnë, as nuk e kanë ndjerë veten polic të shtetit të Kosovës, por manovrojnë si mercenar të partive të inkriminuara politike, brenda për brenda Policisë më elitare që ne kemi, për prishjen e imazhit të saj para gjithë botës, vetëm mese një muaji pas aksionit të suksesshëm kundër terroristëve serb në veri, që ishte ëndërr për qytetarët dhe shtetin tonë të brishtë, për mese dy dekada, të mundur nga bandat serbe.

Nëse kjo është e vërtetë, krijohet njëmend një bindje shumë dëshpëruese për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe kjo për arsye nga më të fortat, se si pjesëtar të caktuar të njësive tona elite policore, nuk e qojnë fare nëpër mend se nuk ka më shumë se 5 javë, nga sulmi terrorist serb në veri, dhe nga dita e protestës tuaj të pazakonshme,  nga heronj të padiskutueshëm të shtetit të Kosovës, njerëzit mund ta shohin grupin tuaj, por jo gjithë policinë e Kosovës, si mercenar të partive të inkriminuara politike.

Për aq më tepër, qytetarët besnik të shtetit të Kosovës, e veçanërisht ata më të varfër të cilët heshtin edhe pse ndoshta nuk mund ta lidhin muajin me muaj, me të ardhurat e ulëta që marrin, mund të mendojnë se me urdhër të partive të inkriminuara, për të cilat ju mund të veproni, ti keni liruar vet, mbi 70-80 terrorist serb bashkë me kryekriminelin Milan Radojçiqi, që të ikin pa një therrë në këmbë, në Serbi, vetëm që ai të mos i zbulojë lidhjet e tij me udhëheqësit e partive të inkriminuara, të cilët deri në ditët e fundit kanë bashkëpunuar dhe mund të kenë bërë edhe punë të përbashkëta me Milan Radojçiqin, që Kosova të mos arrij, ta shtrirj sovranitetin dhe shtetësinë e vet edhe në veriun e saj?!

E nëse kjo është e vërtetë, as protestat e tilla, nuk janë më befasi, për popullin dhe shtetin e Kosovës!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat