Rama me apel për zgjedhjet e 17 dhjetorit në Serbi!

Opinione

Rama me apel për zgjedhjet e 17 dhjetorit në Serbi!

Nga: Sherif Ramabaja Më: 4 dhjetor 2023 Në ora: 16:16
Autori Sherif Ramabaja

Duke e analizuar gjendjen momentale në rajon dhe botë, do të dëshiroja që në shtetin fqinj Serbinë, zgjedhjet të mbahen në frymën e tolerancës.

Po e them këtë, duke e parë polarizimin që po mbretëron në skenën politike të shtetit fqinj, Serbinë.

Një stabilitet i Serbisë do të thotë edhe stabilitet i tërë rajonit. Këtë e ka dëshmuar presidenti Vuçiqi i cili u përmbajt, dhe në OKB u distancua qartë nga pushtimi i Ukrainës.

Me këtë frymë pra duhet të mbahen edhe zgjedhjet e dhjetori të parapara këtë vit. Për sulmin në Banjskë unë nuk do ta kisha përfshirë drejtpërdrejtë Vuçiqin, sepse ai u distancua nga dhuna dhe Radojqiqin e detyroi që të bashkëpunoi me organet e drejtësisë, në mënyrë që të sqarohet rasti.

Nuk isha i pajtimit kur për të vrarët e sulmit Vuçiq organizoi ditë zie në Serbi, po askush nuk është i përkryer. Ndoshta kjo i është dashur edhe për fushatën e zgjedhjeve të tashme. Unë nuk dua të spekuloi, po gjërat duhet parë në relacion me strategjinë nacionale dhe ndërkombëtare.

Unë pajtohem që Serbia për këtë nuk u sanksionua nga bashkësia ndërkombëtare sepse, ku na sjellin ndëshkimet kur ne po përpiqemi për paqen aq shumë të nevojshme për rajonin tonë.

Kur është fjala për sanksionime unë dhashë shembull se si sanksionohet vëllai, me të vetmin synim që të mbledh mend, e jo t´i thyej rregullat ndërkombëtare.

Ne kemi nevojë për Serbinë. E kemi fqinjin e parë dhe duhet që bashkërisht të punojmë për të ardhmen.

Ndoshta shembull do të duhej ta merrnim kohën e Luftës së Dytë Botërore kur ne bëmë luftë të përbashkët kundër fashizmit dhe nazizmit. Apo ta marrim shembullin kur ne për ta ruajtur paqen, ia patëm dhuruar Jugosllavisë manastirin e Shën Naumit.

Pra këta janë vetëm dy shembujt, që për paqen mes popujve tanë duhet sakrifikuar gjithçka, që fatkeqësisht kjo gatishmëri nuk po vërehet te vëllezërit tanë kosovarë, të cilët kanë ngul këmbë dhe nuk po bëjnë kompromise të duhura. Këtë ua kam bërë me dije dhe kam shprehur qartë kundërshtimin tim.

Sot kur bota me luftën Rusi – Ukrainë dhe Izrael – Hamas (Palestinë) gjithnjë e më shumë po zhytet në kaos, duhet të vetëdijesohemi se çdo të thoshte edhe një konflikt në Ballkan, Kosovë – Serbi.

Presidenti Vuçiq ka premtuar se nuk do luftë dhe do të bëjë gjithçka për ruajtjen e paqes, po kjo nuk varet e tëra prej tij, sepse Albin Kurti dhe Vjosa Osmani po e rrezikojnë paqen duke i bastisur dhe ndjekur serbët nga vendbanimet shekullore të tyre, që dikush i quan kolonë serb.

Po ashtu ka kritika se po përdoret e njëjta taktikë dhe akuzë sikurse Rusia para se ta sulmonte Ukrainën, po këto janë vetëm shpifje.

Që të sqarohemi, presidenti Vuçiq nuk është i interesuar për një luftë të re, kur e ka plotësisht të qartë se çdo të ndodhte në këtë rast me Serbinë, prandaj unë u kisha lutur që t´i merrni seriozisht shqetësimet e tij.

Po ashtu zgjedhësit në Serbi nuk duhet ta humbin shansin e tyre jetik, po ta votojnë Vuçiqin, duke u bazuar në perspektivën që po ia ofron popullit serb, rajonit dhe angazhimin e tij për paqen mes dy popujve tanë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat