Ja pse u vra Liridona Ademaj (Murseli)!

Opinione

Ja pse u vra Liridona Ademaj (Murseli)!

Nga: Fadil Maloku Më: 4 dhjetor 2023 Në ora: 18:31
Fadil Maloku

1. Përgjigjet dhe shpjegimet për vrasjet po edhe rritjen enorme të prirjeve destruktive e devijante që po manifestohen kohëve të fundit në shoqërinë kosovare (po edhe atë në Shqipëri), kujtoj që duhet (midis tjerash) t’i kërkojmë, po edhe shpjegojmë edhe si pasojë i një procesi të vetẽkërkimit të një identiteti të ri social të qytetarisë sonë. Identitet ku kujtoj unë individi i sotëm ende nuk është e gatshëm të bartë si përgjegjësitë personale, ashtu edhe obligimet tjera morale e ligjore, në raport me trendët aktuale të emancipimit tonë social e ekonomik.

Ajo çfarë dua të them, është se në shoqëritë shqiptare ende kemi evidente një diskrepancë midis lakmive, ambicieve, dëshirave dhe aspiratave të reja personale dhe pamundësisë që këto cilësime ambicioze të materializohen shpejt e në favor të synimeve personale e kolektive. Dhe i gjithë ky proces i ngecjes, duket se po ndodh edhe shkaku shthurjes me shpejtësi “drite” i normave dhe kodeve tona tradicionale, që si pasojë po “prodhon” situata të reja delikuente e me prirje kriminogjene. Ku prirja deviante e kriminogjene po na “instalohet” furishëm dhe pa pardon!

Kur themi kështu, gjithnjë aludimi është te zbehja rapide dhe e dukshme e normave dhe rregullave tona morale, po edhe te mos akomodimi shpejt i ligjeve dhe normave të reja me kulturën dhe mentalitetin e ri demokratik.

2. Thënë më ndryshe, sjelljet e reja devijante në shoqëritë shqiptare, po shquhen me “specifika” autoktone (anipse, janë evidente edhe në shoqëritë e zhvilluara) dhe po deklinohen me shpejtësi marramendëse nga sjelljet e normuara dhe standarde të mëhershme. Sjelljet devijante, sociologjikisht është vërtetuar se gjithnjë kanë rol disfunksional, sepse, çrregullojnë si stabilitetin ashtu edhe funksionimin e sistemit të caktuar sociopolitik. Është pak paradoksale, por, prezenca e rritur e sjelljeve devijante në kulturën dhe mentalitetin tonë ende të brishtë social, në një mënyrë është kah e rritë dukshëm shkallën e mobilitetit të ndërmarrësisë për t’i reduktuat këto sjellje kërcënuese asociale.

Në fakt, në shoqëritë e transicionit (siç jemi ende ne në Kosovë), kemi të bëjmë me fenomenin e dezorganizimit shoqëror. Ku sjelljet devijante kushtëzohen nga tipi dhe mënyra e organizimit të shoqerisë p.sh.: në shoqëritë tradicionale, ende e kemi prezent tipin e kohezionit dhe homogjenitetit kulturor, ku individi (qytetari i sotëm) sigurinë e vetë personale e “ndërton”, e “bazon” dhe e “ekzekuton” jo përmes institucionit të familjes po përmes grupeve tjera sociale (moshatarëve dhe grupeve tjera sociale)margjinale.

3. Për dallim nga shoqëritë tradicionale (ku ende jemi të “stacionuar” ne shqiptarët), shoqëritë e zhvilluara dhe me shkallë të lartë emancipimi, shoqërohen me çrregullim të marrëdhënieve intra dhe intergrupore që identifikohen si çrregullim i ekuilibrit ekonomik, social, politik, kulturor etj. Pra, devijimi nga normat tradicionale dhe vonesat në “instalimin” e normave, rregullave, ligjeve dhe kodeve të reja demokratike, të shumtën e rasteve “prodhojnë” rritje enorme të sjelljeve devijante siç janë krimet e të gjitha llojeve, madje edhe vrasjeve (me paramendim)… si ky i Liridona Ademajt. Ku interesi egoist i individëve (burri i saj Naim Murselit), dhe fetishizimi i parave, po edhe jeta hedoniste shndërrohen me lehtësi të pazakonët në vlera dhe imperative mobilizuese, për të kryer krime makabre.

Në fakt, këto sjellje (në shoqëritë ku ende nuk janë instaluar sa dhe si duhet normat e reja) domosdoshmërish “prodhojnë” si demoralizim ashtu edhe tjetërsim, e madje edhe dehumanizim të marrëdhënieve midis njerëzve. Sepse, tipat e tillë dhe me prirje të tilla grykëse nuk zgjedhin mjete për ti realizuar ambiciet dhe prirjet e tyre (padyshim të sëmura kriminogjene!?)asociale. Andaj, rasti i apostrofuar që ndodhi këtyre ditëve në Kosovë mund të shpjegohet edhe si pasojë e “zbrazësisë” apo vakuumit të mekanizmit të kontrollit social, në shoqëritë tona shqiptare…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat