Na ishte një herë një...PD...!

Opinione

Na ishte një herë një...PD...!

Nga: Xhevat Mustafa Më: 11 dhjetor 2023 Në ora: 07:52
Xhevat Mustafa

besoj se e teproj nëse mendoj dhe shprehem se 33 vjetori i krijimit e gjen PD-në edhe më keq se më 1997. E copëtuar, dëmtuar dhe dobësuar ndjeshëm, nga maja deri në bazën e “piramidës”! Pa unitet demokratik dhe pa konsensualitet strukturor, mendimi, qëndrimi, votimi...Shumica e DEMOKRATËVE e kanë të sikletshme të gjejnë arsye apo motive për të festuar, si para 30, 20, 15... viteve më parë...Në të kundërt, në Rama-parti-qeveri kanë doza të larta arsyesh për të festuar, siç e kanë traditë 79 vjeçare...Vetëm ata mund të ndjehen të lumtur, të krenohen e të festojnë, siç bënë edhe në Kongresin e 8 Dhjetorit 2023, sepse ia arritën ditëve apo “fitorjes”, që ta përçudnojnë edhe PD-në, ta lënë vendin pa PARTI DEMOKRATIKE, pa OPOZITË, pa ALTERNATIVË QEVERISËSE..."E majta" vetë, me emrin PKSH, lindi e përçudnuar qysh më 8 nëntor 1941, nga "mamitë serbe" Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha. Nën diktatin dhe sipas interesave të Jugosllavisë, PKSH, me kapjen nga Enver Hoxha të kreut të saj, nisi edhe kryqëzatën për përçudnimin dhe shkatërrimin e "të djathtës". Qysh nga mesi i nëntorit 1944 e me fushata reprezaljesh dhe farsash gjyqësore, më 1945- 1951 u kryen burgosje, pushkatime, varje të përfaqësuesve kryesorë të familjeve më të mëdha dhe intelektuale.

Paralelisht, sipas direktivës së Leninit "Të gjitha pushtetet në duart e sovjetëve"(PKSH) u organizuan progrome, për tu grabitur shtëpi, prona, pasuri, për të "tharë" kështu burimet e "të djathtës"...! Ndërsa familjarët e tyre më të afërt, në mënyrë masive e të vazhdueshme, u vunë nën kërkesat dhe alternativën e vështirë përballueshme: "o bëhuni me ne(edhe spiunë), ose nuk ka qëndrim dhe banim në qytete; shkollë të mesme e të lartë; punësim të mirë e me të ardhura më të larta...! Pas thyerjes së kundërshtimeve të jo pak prej bijve dhe bijave me origjinë “të djathtë” nga ky kontingjent, një pjesë me zemër e një pjesë me urdhër nga “shefat” u futën me tufa në PD-në e krijuar më 11 dhjetor 1990. Një pjesë tjetër, me statusin e ligjshëm e të përjetueshëm të përndjekjes politike, ikën emigrantë nëpër vende të Evropës Perëndimore, si dhe në SHBA, Kanada, Zelandën e Re, Australi....

Pas 22 marsit 1992, kur PD-ja dhe partitë aleate të saj fituan vetëm pushtetin politik, qeverisës, se atë ekonomik e kishin rrëmbyer qysh më 1991 dhe gjatë 6 muajve të parë 1992 komunisto-socialistët, sigurimsat, kuadro të komiteteve të partisë dhe të komiteteve ekzekutive, të ministrive kryesore, ish ushtarakë..., jo pak trashëgimtarë apo përfaqësues të kësaj shtrese apo "të djathtës", për mosbesim apo mëdyshje ndaj procesit “të shembjes së komunizmit” e të kalimit në “demokraci”, nuk u lidhën si mishi me thuan me PD. Kjo edhe për “ftohtësi” ndaj tyre në kryesinë e PD-së, sidomos nga ata të ardhur nga “e majta”, bile edhe nga familje jo larg Bllokut, nomenklaturës enveriane, Sigurimit... Kur PD humbi qeverisjen më 1997, jo pak nga këta "të djathtë" pa lidhje të fortë e të sinqertë me PD-në”, edhe pse fituan jo pak, por edhe padrejtësisht dhe pajustifikueshmërisht jo sa meritonin gjatë qeverive të PD, nuk u mëdyshën fort të kalonin me PS!? Kjo dukuri pati kulmin më 1997-tën.

Është për të vënë në dukje se PD ka qenë dhe është viktimë e mosmirënjohjes ose "e mirënjohjes së përkohshme" edhe nga plot ish drejtues të lartë partiakë dhe qeverisës, deri në nivelin e presidentit, kryeministrit, zv.kryeministrit, ministrit, zv.ministrit, kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Kryeprokurores, drejtorit të përgjithshëm, ambasadorit, kryebashkiakut, prefektit...Por, edhe nga jo pak bosë biznesesh, që i startuan më 1992- 1997 ose më vonë, me milionat që fituan gjatë kësaj periudhe. Plot prej këtyre ose "e kanë harruar" krejt PD- në, ose janë hedhur në prehrin dhe kraharorët e Edi Ramës me ministra e ministresha! Natyrisht, për këta kanë përgjegjësi edhe kryesitë e PD- së, të parët kryetarët e PD, Sali Berisha, Eduard Selami, Tritan Shehu, Lulzim Basha. Ata i njihnin mirë, për nga dosjet, cv- të, pseudonimet e spiunllëkut e sidomos gjatë 1997- tës disa nga këta "bashkudhëtarë të përkohshëm" apo vetëm për përfitime të PD- së. Ua kanë "kujtuar" edhe demokratë të thjeshtë nëpër degë e seksione, në aktive dhe konferenca... Natyrshëm shtrohet pyetja: kur i njihnin mirë përse u dhanë poste të larta dhe mbështetje të madhe? Përse nuk i larguan për tu hapur vende TË DJATHTËVE dhe DEMOKRATËVE TË VËRTETË, jo edhe me nivele më të ultë arsimimi, intelektualizmi, aftësish...? Asnjeri nga figurat më përfaqësuese të PD-së në ekipet drejtuese të hierarkisë partiake dhe qeverisëse të kaluar e të sotëm nuk mund të shmangë, duke u fshehur pas kurrizit, figurës dhe rolit të Berishës, të paktën “penalizimin moral”, pjesësën apo pjesën e vet të gabimeve, fajeve dhe të përgjegjësisë. Gjëma që është kryer nga "e majta" në këta 33 vjet është se pas përçudnimit të vetes ka bërë të 1001- tat, së pari, për përçudnimin e PD- së dhe opozitës, nëpërmjet futjes në gjirin e saj të kopeve me "kuaj dhe pela Blloku dhe Sigurimi"!? Shumicës së tyre, njeri pas tjetrit apo në grupe, sidomos nga 1997 e deri më sot, pas 33 vitesh, “u kanë rënë maskat” dhe u janë lakuriqësuar fytyrat dhe shpirtrat.

Për deri sa prej 33 vitesh Berishën e urrejnë me kaq histeri shumica e të majtëve, lihet hapësirë e bollshme të mendohet se edhe nëse ka qenë në fillim pjesë e ndonjërës prej këtyre kopeve, nuk i është bindur më SHEFIT dhe më vonë ka punuar sipas kokës së vet, edhe në kundërshtim të hapur...! Si akte të këtij devijimi apo të kësaj mosbindjeje mund të interpretohen vendimet, punët, veprat e qeverive Meksi dhe Berisha kundër krerëve të diktaturës komuniste, duke nisur nga arrestimi me akuza dhe dënime politike i Ramiz Alisë dhe Nexhmije Hoxhës dhe shumicës së bllokmenëve të lartë enveristë dhe me vendime e masa të tjera dekomunistifikimi. Natyrisht, mund të debatohet për nivelin e këtyre dënimeve dhe të radikalizmit të këtyre masave demokratizuese. Unë jam shprehur dhe vazhdoj të kem bindjen se kanë qenë jo në nivelet e duhura dhe prandaj PD-ja vetë dhe mbarë vendi, sot pas 33 vitesh, janë në këtë gjendje e në këto nivele të ultë zhvillimi, mirëqenieje, demokratizimi, integrimi e të lartë vetëm për plot të këqija...Së dyti, nëpërmjet përçudnimit të pluralizimit dhe të demokracisë, duke sajuar një "çorbë shqiptare", as socialiste e as demokratike! Së treti, nëpërmjet odiseimit të kthimit të pronave tek pronarët e ligjshëm, duke sajuar ligjin absurd dhe problematik 7501.

Së katërti, nëpërmjet zhdukjes së sindikatave dhe të ndjenjës së përjetimit si qytetar e të revoltimit tek shumica e popullit! Së pesti, nëpërmjet emigracionit masiv e të pandalshëm të moshave të reja, që mund të mbartnin dhe shkaktonin kundërvënie masive ndaj politikës dhe qeverisjeve! Shkurt e më shqip: falë kësaj "të majte" jo “TË MAJTË PERËNDIMORE”, por allashqiptarçe, monstruoze sot ne nuk kemi as "të majtë" dhe as pozitë; as "të djathtë" dhe opozitë! As POPULL dhe as SHOQËRI CIVILE! As LIRI dhe as DEMOKRACI! As "SOCIALIZËM" e as KAPITALIZËM”! As rini dhe as perspektivë...!Konkluzioni: kemi vetëm edramizëm apo neoenverizëm! Prandaj, një kujtesë apo këshillë për të gjithë antidjathtistët, antipd-istët dhe antiberishistët: duke i mbajtur sytë dhe mendjet nga "të këqijat" e PD-së e të Sali Berishës, pa ua pranuar edhe ca të mira, që i kemi përjetuar të gjithë, sa jemi gjallë e në moshat 40-80 vjeç, mos "harroni" të shikoni dhe analizoni me objektivitet edhe “ferrin 47 vjeçar” nën Enverin dhe Ramizin, edhe të këqijat që ka bërë e po bën dita ditës në të keq të shumicës së popullit, të vendit dhe kombit, Rama-parti-qeveria gjatë mbretërimit të tij mbi 10 vjeçar. Mbi të gjitha si qytetarë: mos harroni se të gjithë çmimet e artikujve ushqimorë të konsumit jetik të përditshëm më 2023-tën e Ramës janë dyfish më të lartë se sa në 2013-tën e Berishës, kur pagat dhe pensionet janë rritur vetëm 30-40% gjatë këtyre 10 viteve!? Sipas gjykimit tim, në këta 10 vjet, e keqja më e madhe është bërë Edi Rama! Për më tepër: ndërsa Sali Berisha për 10 vjet ka pasur “çelësat e kashtës”, Edi Rama mban “çelësat e thesarit të shtetit” dhe plotpushtetet...si të mbretit. Kështu që, për sinqeritet dhe objektivitet na mbetet të pranojmë se në këta 10 vjet kemi dy të këqija të mëdha!

Për më tepër, që vetëm me “ kandar Venecie, Strasburgu, Hage...”, mund të përcaktohet më me saktësi dhe paanshmëri se cili është e keqja më e madhe për sot e nuk dihet se deri kur...!? Në kuadër të “strategjisë” 33 vjeçare për të mjegulluar, minimizuar dhe mohuar krejt të mirat e përjetueshme dhe të shikueshme nga shqiptarë e ndërkombëtarë gjatë 13 viteve të qeverisjes nga PD dhe individualisht nga Sali Berisha, nuk mund të biesh kurrsesi dakord me ata enveristë dhe edramistë, që, pa qenë të dobët në aritmetikë, vënë shenjën e barazimit apo të njësojllëkut, nuk pranojnë se 13 vitet e PD-Berishës janë 66 vjet apo mbi 5 herë më pak se të PSSH-Ramës... apo “të majtës së tyre të zemrës dhe votës...! Ndryshe nga këta, unë kam bindjen, natyrisht subjektive, se kemi qenë, jemi dhe do të jemi viktima të skenarit, me autorësi të plotë nga Ramiz Alia apo që ia kanë dhuruar atij “misionarë” apo “postierë” nga Moska, Beogradi, Katovica...Në këtë kontekst, nuk mund të përjashtohet kategorikisht edhe mundësia se disa prej figurave qendrore të politikës shqiptare në këta 33 vjet, të kenë qenë dhe të jenë "kukulla", "gurë shahu", "aktorë" të këtij skenari dhe kësaj regjie...! Natyrisht, pa mohuar edhe vrasjen e ndërgjegjeve, reflektimet dhe përpjekjet e tyre "heretike", për të mos mbetur gjithmonë të tillë, për të qenë sa më tepër të çliruar nga “prangat e padukshme” të së shkuarës dhe vetvetja. Për të gjitha këto gabime, faje, dështime, dëmtime...të PD-së, shkaktuar nga brenda saj si dhe nga skenari 33 vjeçar i “së majtës”, për ta dëmtuar atë sa më shumë duke e sulmuar tek pika më e fortë, tek Sali Berisha, për shkak të elitarizmit intelektual, profesional, shkencor, kulturor, sidomos në përballjen me Edi Ramën problematik qysh nga lindja e më vonë nga trotuaret e Parisit dhe lejet e ndërtimit në “Komunën e Parisit” si dhe për shkak të gjëmave që Berisha i shkaktoi enverizmit dhe komunizmit në Shqipëri, përgjegjësia kryesore i mbetet në derë Sali Berishës. mund të përjashtohet se “gogolizimi” apo “përbindëshizmi” i Berishës masivisht në bastione dhe kontigjente enveristo-edramiste mund të ketë si shtysë apo burim edhe urrejtjen patologjike ndaj tij për origjinën si verior apo “malok”!?

Krahas këtyre, Berisha duhet ta ketë kuptuar me kohë se është viktimë edhe e vetvetes! Së pari, se në stilin e tij të drejtimit, e kishte dhe e ka si gjenetik autoritarizmin, jo rrallë herë pa e shmangur animin nga bajraktarizmi!? Së dyti, se është ndëshkuar shpesh herë edhe nga besimi i tepruar ndaj “kuajve dhe pelave të Bllokut dhe Sigurimit” apo “mishrave të huaj” në PD, shprehur me falje të disahershme të “tradhtive” dhe “divorceve të përkohshëm” të tyre, edhe pse disa prej tyre kanë dashur ta shtypin me zinxhirë tankesh apo ta qëllojnë me topa!? Ose i kanë ngulur pas kurrizit thika e i kanë lënë në derë “kopilë” të pisllëqeve të veta me “motrat dhe vëllezërit socialistë”!? Tani është koha për tu bindur se e ka përmbyllur misionin me 4 fitore dhe 6 humbje në betejat elektorale qendrore dhe se duhet të sakrifikojë vetëm për PD dhe Shqipëri, me aktin e dytë dhe përfundimtar të dorëheqjes. Natyrisht, as sot e as nesër, por duke gjetur, ndihmuar të piqet dhe forcohet një kryetar të ri! Me kushtin e parë, që ndryshe nga ai, të jetë i çliruar nga atavizmat, njollat, "viruset"...e enverizmit, marrë pashmangshmërisht gjatë 45 viteve jetë në epokën e komunizmit. Por, edhe të jetë më modern si politikan evropiano- perëndimor, me simpati e mbështetje të gjerë nga shtetet dhe qeveritë e Perëndimit; pa "non grata" amerikane, edhe pse e pa argumentuar deri më sot nga DASH dhe si më shumë e investuar nga Xhorxh e Alex Soros- Edi Rama- Yuri-Charles McGonigal...Një kandidat i tillë i denjë për postin dhe si vazhdues edhe më i suksesshëm se Berisha ekziston dhe gjendet lehtësisht në PD! Por, jo detyrimisht brenda familjes dhe klanit Berisha!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat