Berisha, ylli nga dritarja e shtëpisë së tij!

Opinione

Berisha, ylli nga dritarja e shtëpisë së tij!

Nga: Sherif Ramabaja Më: 4 janar 2024 Në ora: 14:07
Sali Berisha

Kurrë nuk është vonë. Yjet e ndryshme botërore, me përvojën e tyre, i frymëzojnë njerëzit që të luftojnë deri në suksesin e tyre. Një rrëzim nuk do të thotë edhe dorëzim, apelojnë ata.

Si duket edhe zoti Berisha është entuziazmuar dhe po bënë apel që të ngriten shqiptarët, jo për te, po për përmbysjen e diktaturës.

Ku të ngriten shqiptarët dhe si të ngriten kur të ngratit kurrë nuk janë ulur, po kanë përfunduar nga një pushtim në tjetrin, nga një diktaturë në tjetrën. Tash si duket e kanë humbur edhe busullën. Demokracia u duket e rrezikshme me plot të panjohura, kurse diktatura dhe autokracia u ngjan me shpëtimin e tyre.

Me diktaturë dhe autokraci nuk kanë nevojë që të angazhohen për asgjë. Për gjithçka e kanë të zgjedhurin e tyre, i cili përkujdeset për të gjitha. Flet për ta, punon për ta, ua siguron bukën e gojës, ua servon lajmet, ua drejton mediat, politikën herë djathtas e herë majtas, ashtu si e kërkon situata. Pra ai mendon për popullin. Për të pabindurit ekzistojnë konsekuenca, kuptohet sipas ligjit, u rrëzohen objekte dhe fol në ta mbajt pastaj.

Shqiptarët kanë edhe një personalitet në shtetin amë, (sepse në Kosovë ka edhe të tillë që Albin Kurtin e krahasojnë me kriminelin Miloseviq), Berishën i cili është i detyruar të qëndroj mbyllur në shtëpinë e tij.

Së pari SHBA Berishën e shpallën non grata (me ardhjen e Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, pritet që kjo masë të bie) ku ai ndaj një vendim i tillë reagoi në mënyra të ndryshme. Së pari e pushtoi ish kështjellën e tij që ta flakte Lulin.

Shpalli revolucion mbi revolucione. I ashpërsoi raportet me piktorin, i cili sundon në Shqipëri sikurse Vuçiqi në Serbi e Putini në Rusi dhe tash përfundoi i mbyllur në shtëpinë e tij, pa guxuar të dal edhe te pragu i shtëpisë.

Si t´i ndodh kjo një lideri i cili ishte kryeministër i vendit. I kishte luftuar Skemat Piramidale, me të cilat u plaçkitën shqiptarët. Në vitin 1991 e kishte shpëtuar atdheun nga shpërbërja. Për t´i tërhequr investimet e sheikëve e kishte inkuadruar Shqipërinë në Konferencën Islamike etj. etj.

Po sot ku ndodhet ky lider? Ku janë shqiptarët ? Si lejojnë që lideri i tyre të mbahet mbyllur në shtëpi, i cili ishte në ballë të tyre dhe u printe prej një fitore  në tjetrën, prej një revolucioni në tjetrin.

Berisha as sot nuk po dorëzohet. Së paku po e hap dritaren dhe me megafon po u mban mitingje simpatizantëve të tij. Ta përmbysni diktaturën. Unë jam me ju dhe po triumfuam, që s´ka dyshim, unë do jem prijësi i juaj deri në frymën e fundit. Këtë po u garantoj me tërë qenien time. Dhe të pranishmit i duartrokasin liderit të tyre. Disave u rrjedhin edhe lotët. Shpëtimtari, shpëtimtari, mesia, mesia dëgjohen ovacionet.

 Berisha mallëngjehet. Ngrit dy gishta, sepse energjia i zbehet. Vite o vite, ofshan pa e dëgjuar masa. E rrëzova diktatorin më të rrezikshëm të botës, po më iku koha. Mendova se edhe piktorin do e rrëzoja njëherë, po s´di a do më premtoi shëndeti.

Kur po e shoh Bidenin vetja po më duket ende i fuqishëm, po nuk i dihet, momentet të tradhtojnë. Edhe Biden po mundohet të tregohet vital, po shpesh po e puth tokën. Rini, o rini se piktorin do e përpija./Mars – Rover (satirë)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat