Peligrinazh diplomatik i Kosovës, në Kosovë e për Kosovën!

Opinione

Peligrinazh diplomatik i Kosovës, në Kosovë e për Kosovën!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 11 janar 2024 Në ora: 19:12
Foto ilustrim

Prej një janarit e deri sot, në 11 ditët e para të vitit, Kosova shënoi disa suksese diplomatike. Wshtë rekord i paparashikueshëm që ta nisësh vitin e ri me lëvizjen e lirë në zonën Shengen dhe njëherësh të marrësh njohjen e pasaportave dhe dokumenteve të udhëtimit nga Spanja, një vend “i betuar” për të mos bërë lëshime ndaj shtetësisë dhe pavarësisë së Kosovës. Diplomacia e Kosovës ia arriti që “me një gur të vrasë dy zogj”, të liberalizojë vizat dhe të zbutë qëndrimin refraktar të Spanjës. Rrallë, shumë rrallë, ndodhin “mrekulli” si kjo! Dhe qershia mbi tortë vjen nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani ndërmjetësoi dhe ia arriti që të marrë përgjigje pozitive nga Abu Dhabi për lëvizjen e qytetarëve të Kosovës pa viza në këtë vend. 

Paralel me këto zhvillime inkurajuese erdhën gjatë këtyre 11 ditëve dhe dy vizita nga ishujt britanikë. Para një jave ishte në Kosovë ministri i Jashtëm, David Kameron. Ai erdhi në Kosovë me vendosmërinë e një krye diplomati të diplomacisë më të zhvilluar në botë për të garantuar lirinë dhe shtetësinë e Kosovës dhe për të paralajmëruar Serbinë, nëse ajo vijon edhe më tej përpjekjet e saj destruktive në këtë vend. Megjithatë presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, është përgjigjur në mënyrën e vet dhe ka sqaruar se nuk ka ndërmend të largohet nga hija e presidentit rus, Vladimir Putin. Kreu i shtetit serb torturoi me urdhrin e tij politikanin opozitar, Nikola Sanduloviç, ndërkohë që urdhëroi djalin e tij të festojë ndërrimin e viteve me dy kriminelët terroristë, Radoiçiq dhe Veselinoviç. Dhe jo vetëm kaq! Ai i rekomandoi Milorad Dodik të shpallë platformën e Serbisë së Madhe publikisht, duke pretenduar bashkimin me Serbinë të Kosovës, Malit të Zi dhe Republikës Srpska.  

Mesa duket këto qëndrime destruktive të presidentit të Serbisë bënë që Kameron të shprehet në Komisionin e Jashtëm të Dhomës së Ulët se “Durimi ndaj Serbisë ka një kufi”! Ose që Michael Roth i Gjermanisë të paralajmërojë bllokimin e rrugës serbe drejt integrimit në BE. Pikërisht në këtë situatë kritike për Serbinë dhe rajonin, në Kosovë mbërriti kryeministri i Irlandës, Leo Varadkar. Është hera e parë që një kryeministër irlandez viziton Kosovën. Madje asnjë kryeministër i këtij vendi nuk ka vizituar ndonjëherë shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kësisoj Kosova u bë vendi i pelegrinazhit diplomatik në hyrje të vitit 2024. Edhe mesazhet e kreut të ekzekutivit irlandez për Kosovën janë tejet premtuese dhe inkurajuese.  

Këto zhvillime diplomatike në fillim-viti shprehin esencën e punës së presidentes Osmani, qeverisë Kurti dhe diplomacisë së Kosovës. Janë sintezë e politikave identitare dhe jo në peng-marrje të institucioneve të vendit. Ato japin shumë shpresë dhe i bëjnë njerëzit optimistë se fundi i refuzimit jo estetik e absurd të pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës po vjen. Por gjithë këto zhvillime pozitive vijnë edhe për një arsye tjetër: - Për shkak të profesionalizmit dhe suksesit të pa imagjinuar të policisë së Kosovës në Banjskë, sukses për të cilin foli me superlativa në Komisionin e Jashtëm të parlamentit, ministri i Jashtëm Kameron.  

Nëse terroritët serbë të Aleksandër Vuçiq nuk do të ishin izoluar dhe paralizuar nga policia e Kosovës, sot situata në veri të Kosovës do të ishte krejt në disfavorin e shtetësisë së këtij vendi. Dhe duhet thënë se ai sukses është jo vetëm profesional, por edhe politik. Sepse politika e presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti ka promovuar frymë, angazhim, motivim për fitore. Nuk ka lënë asnjë boshllëk ku ngjallet dyshimi e skepticizmi. Imagjinoni nëse ky akt terrorist të ishte organizuar në kushtet e debateve dhe angazhimeve të Kosovës për ndarje territoresh ose për bashkëpunime të tipit Open Balkan! Asnjë njësi e strukturës policore dhe forcave të sigurisë nuk do ishte e motivuar si në këtë rast për të përballuar provokacione kaq të sofistikuara e të organizuara brutalisht. Thjesht për faktin se politika e ndarjes ose e bashkim-vëllazërimit me Serbinë do t’i demotivonte ata. 

Në këtë kuptim, Banjska na jep mesazhin se politika, siguria dhe diplomacia duhet të jenë në një lidhje, ekuilibër dhe harmoni sa më të përsosur. Se nuk duhet nënvleftësuar asnjëra prej këtyre elementëve. Banjska ka shërbyer për Kosovën, njësoj siç ka shërbyer Lufta e Vlorës për Shqipërinë në Konferencën e Parisit në vitin 1920. Lufta e Vlorës i dha fund diskutimeve në atë konferencë për rindarjen e territorit të Shqipërisë në jug të vendit. Banjska i dha fund diskutimit për ndarjen e veriut të Kosovës. Këtë e shohim edhe gjatë këtij pelegrinazhi diplomatik e politik të vendeve perwndimore në Prishtinë dhe në qëndrimet euro-amerikane ndaj Serbisë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat