A ka diçka me të cilën mund të krenohen Rusia e Serbia?

Opinione

A ka diçka me të cilën mund të krenohen Rusia e Serbia?

Nga: Sherif Ramabaja Më: 4 shkurt 2024 Në ora: 18:49
Sherif Ramabaja

Shumica e shteteve dhe kombeve përpiqen të lënë gjurmë Historike me të cilat vetë, apo pasardhësit  e tyre do të krenoheshin me ta.

Në këtë rast po përmendim dy shtete aktuale në botë Rusinë dhe Serbinë, me të cilat edhe shqiptarët drejtpërdrejtë apo tërthorazi kanë të bëjnë me këto dy vende.

Derisa me Serbinë kufizohemi dhe ballafaqohemi drejtpërdrejtë, me Rusinë ndeshemi indirekt, si përkrahëse e ideve hegjemoniste të Serbisë.

Me shekuj Serbia me ndihmën e Rusisë, është zgjeruar në trojet shqiptare, kurse shqiptarët thuajse vetëm me forcat e tyre, pa ndihmën e askujt, kanë shpëtuar atë që kanë mundur të shpëtohej.

Pra që nga ajo kohë apetitet serbe ndaj trojeve shqiptare ende s´kanë pushuar, por kohë pas kohe intensifikohen herë më shumë e herë më pak.

Sot kur Kosova me ndihmën e perëndimit dhe NATOS e fitoi pavarësinë, po ballafaqohet me metoda të ndryshme serbe, të cilat kanë për qëllim që t´i shkëpusin edhe pjesë të territorit të saj.

Tash kjo po bëhet me metoda kërcënuese, sulme sporadike, intriga politike dhe taktizime, duke e marr rolin e viktimës.

Shqiptarët i njohin shumë mirë këto metoda, të cilave me sukses tash së fundi po u kundërvihen, por siç duket po na mungon një strategji për t´i bindur ndërkombëtaret për qëllimin dhe prapavijën e tyre, apo qëllimisht ata nuk po duan të binden.

Serbia qysh në vitet e 90 mundohej me hegjemoninë e saj t´i dominonte dhe t´i mbante nën ombrellën e saj të gjitha kombet e ish Jugosllavisë, kurse perëndimi për t´i ikur përgjegjësisë dhe angazhimit më me dëshirë preferonte ruajtjen e ish Jugosllavisë, sesa të ballafaqohej me problemet e saj. Dhe çfarë ndodhi, tashmë është e njohur: katër luftëra të tmerrshme, me mijëra viktima, gjenocid, masakra, rrënime e tmerre lufte.

Të njëjtën rrugë e ka ndjekur edhe Rusia duke aneksuar pjesë të ish republikave të saj, kurse perëndimit i mjaftonte një reagim, derisa në anën tjetër zgjeronte dhe ndërtonte trasetë nënujore për importimin e gazit, ku Rusia fitonte miliarda nga perëndimi dhe EU.

Kjo do të vazhdonte në këtë mënyrë, sikurse Putini mos ta sulmonte edhe Ukrainën për ta aneksuar, pasi më 2014 ia kishte shkëputur Krimenë.

Më në fund perëndimi u zgjua nga gjumi, por vetëm kur e vërejti se edhe vetë do të rrezikohej nga ekspansioni rus.

Diktatori Vuçiq dhe ish ministri i kasapit të Ballkanit Millosheviqit, po vepron me metoda perfide që t´u shkëpus territore Kosovës dhe Bosnjës.

Pra, as Rusia dhe as Serbia nuk turpërohen para askujt për veprimet që po planifikojnë t´i kryejnë ndaj fqinjëve, popujve të tjerë dhe botës demokratike, përkundrazi do të krenoheshin se ia arritën qëllimit të tyre.

Në këto rrethana të rrezikut, Kosova po armatoset dhe po merr veprime që ta forcoi shtetësinë, duke i penguar apetitet e diktatorit Vuçiqi, i cili po shtiret si i viktimizuar.

Perëndimi i ballafaquar nga luftërat dhe krizat e shumta në botë duke u nisur nga Ukraina, Lindja e Mesme, Irani, Korea Veriore, Tajvani etj. më me dëshirë do ta ruante një status quo duke i bërë presion Kosovës, e lëshime Serbisë, sesa të eskalonte situata.

Kosova dëshiron fuqishëm të mbetet aleate e SHBA, EU dhe perëndimit, po i duhet patjetër me të gjitha forcat t´i mbroj interesat e veta shtetërore.

 Në këto momente vendimtare, këtë po detyrohet ta bëjë edhe pa ndihmën e shtetit amë Shqipërisë, që nuk do të duhej të ishte kështu. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat