Rama i habiti shqiptarët: Çdo sulm ndaj Kosovës, do të jetë edhe ndaj Shqipërisë!

Opinione

Rama i habiti shqiptarët: Çdo sulm ndaj Kosovës, do të jetë edhe ndaj Shqipërisë!

Sherif Ramabaja Nga Sherif Ramabaja Më 16 shkurt 2024 Në ora: 11:14
Edi Rama

Rama është i njohur me deklarata surprizë. Në vizitën e parë si kryeministër i Shqipërisë në Beograd i kishte kërkuar Serbisë, njohjen e Kosovës!

Dhe shqiptarët në Kosovë, Luginë, Maqedoni, Mal të Zi, diasporë etj. kishin mbetur gojëhapur. Më në fund shqiptarët kudo që ishin, i bëri krenar një figurë qendrore në të cilin mund të mbështeteshin.

Një deklaratë e Ramës po aq me peshë dhe e guximshme ishte edhe ajo mbi bashkimin kombëtar. Dhe çfarë kishin përjetuar shqiptarët nga kjo figurë nga e cila i kishin vënë shpresat e tyre, nga e cila i kishin drejtuar sytë, nga e cila pritej e ardhmja e popullit shqiptar?

 Fatkeqësisht ishin zhgënjyer. Rama nga një shpresë për shqiptarët, i kishte ngatërruar rolet.

U afrua me Serbinë në dëm të Kosovës. U bë avokati i saj në arenën ndërkombëtare. U vëllazërua me Vuçiqin, një personazh i cili njësoi konsiderohet fajtor për krime dhe masakra në Kroaci, Bosnje e Kosovë, sikurse krimineli Miloseviç.

Me Vuçiqin e ç´pikën Ballkanin e Hapur, projekt serbo – rus për botën serbe.  Filloi t´i mbroj qëndrimet ndaj Serbisë dhe Vuçiqit edhe atëherë kur bashkësia ndërkombëtare kërkonte llogari prej saj. Të gjitha këto ndikuan që Rama nga një figurë e adhuruar nga gjithë shqiptarët, u shndërrua në një figurë të urryer sot e asaj dite.   

Kështu pra Rama erdh duke i ftohur raportet me Kosovën që shqiptarët, përpos në Shqipëri, e krahasuan me Esad Pashën dhe të bëmat e tij.

Kurse një ditë para vizitës së sekretarit amerikan zotit Blinken, Rama doli me një deklaratë të bujshme që prapë i befasoi të gjithë: Çdo sulm kundër Kosovës, do të jetë edhe kundër Shqipërisë.

Shqiptarët sërish mund të pyesin se ç´po ngjet sërish me piktorin. Është një figurë kontroverse sa majtas, sa djathtas, sa me engjëllin, sa me djallin, apo njerëzit i nxitë që të merren me te dhe askush nuk di se në cilin rreth të Dantes ta përcaktoi.

 Apo e tërë kjo është vetëm një blof i tij. Kush mund t´i besoi një personazhi të tillë, i cili nuk vjen nga letërsia, i cili nuk vjen nga arti, i cili nuk vjen nga mediat, i cili nuk vjen nga sporti, apo i ka të gjitha nga pak, por në të gjitha këto fusha është një dështuar.

 Të gjitha këto janë dilema me të cilat do të konfrontohen shqiptarët, me të cilat duhet të merren studiuesit e fushave të ndryshme, po derisa të vjen puna deri aty, mund të përjetojmë të papritura të shumta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat