Ambasadori Christopher Hill po tallet me Serbinë!

Opinione

Ambasadori Christopher Hill po tallet me Serbinë!

Sherif Ramabaja Nga Sherif Ramabaja Më 21 mars 2024 Në ora: 10:20
Christopher Hill

Së pari ishte vetëm ish ambasadori Grenell i cili dallohej me deklaratat e tij kundër Kosovës duke e favorizuar haptas Serbinë. Kohët e fundit zërat erdhën duke u shtuar edhe nga Escobar, por sidomos me të madhe tash po bie në sy, me deklarata të tilla, ambasadori në Serbi zoti Chrostopher Hill.

Për Kosovën s´është aspak problem, secili mund të flas për te pa droje, krejt çka i vjen n´gojë.

Ekziston përshtypja sikurse Kosova të ishte një fazë eksperimentale e bashkësisë ndërkombëtare dhe e politikanëve të tyre. Shumë gjëra të cilat thuhen, përkojnë më tepër me një gjendje tragjikomike, sesa kanë të bëjnë diçka me realitetin.

Ambasadori Hill sikurse të ishte koordinuar me Vuçiqin, i cili përsëri e kërcënoi Kosovën dhe bashkësinë ndërkombëtare duke u thënë që të përcaktohen se a janë me ne apo me Prishtinën. Ai shkoi edhe më larg dhe ua bëri me dije se e pret vetëm momentin e duhur, që t´i vërsulet Kosovës.

Në anën tjetër ambasadori Hill, pothuaj paralelisht, sikurse të ishin marr vesh  me Vuçiqin, deklaronte se Serbia është më afër NATOS, sesa Kosova. Pra këto dy gjëra të thëna paraprakisht, pothuaj në të njëjtën kohë, nuk përkonin fare me njëra tjetrën.

Shikuar dhe analizuar kjo më tepër përkonte me një tragjikomedi, sesa kishte të bënte diçka me realitetin.

Për Vuçiqin shqiptarët s´kanë se çfarë të shtojnë: për një qastë e merr rolin e vajtuesit, të kërcënuesit, të viltimës, të kriminelit, të ruajtësit të paqes etj. pra janë mësuar me te, por i habiti deklarata e ambasadorit Hill.

M e deklaratën e zotit Hill u morën shkencëtarët, hisorianët, akademikët, studiuesit, analistët, studentët, gazetarët, antropologët, parashutistët, mjekët, peshkatarët, infermierët etj. dhe erdhën në përfundim se kjo deklaratë e zotit Hill, mund të interpretohet sikur një tallje me Serbinë, sepse askush nga këta studiues dhe nga bashkësia ndërkombëtare, nuk mund ta besojnë e ta marrin me mend që i afrohet seriozitetit.

Kësaj nuk mund t´i besoj as vetë Vuçiqi me kompaninë e tij:  Daçiqin, Vulin, Dodik, Gjuriçin, Sheshelin, Bërnabiç – kën etj. e mos të flasim edhe për të tjerët.

Thënë thjesht kjo ishte një tallje e hapur e ambasadorit Hill ndaj Serbisë. Nëse kjo deklaratë kalon kështu në heshtje, të gjitha palët do të ishin të kënaqura, po nuk i dihet Vuçiqit. Nga një tallje e tillë mund të zemërohet dhe ta ftoj në bisedë informative zotin Hill, për nënçmimin që po i bënë popullit serb dhe Serbisë.

Në anën tjetër ai mund po ashtu t´i paraqes notë proteste SHBA, për sjelljet jo të hijshme të ambasadorit Hill në Serbi. Masa më drastike do të ishte, nëse Vuçiq do të kërkonte largimin e tij nga Serbia.

Në këtë rast ambasadori Hill do të gjendej në një situatë të pa lakmueshme dhe do të detyrohet ta sqaroi deklaratën e tij qesharake, e cila s’përkon fare me realitetin dhe më tepër do të ishte një tallje me ndjenjat e popullit serb dhe personalisht të vetë Vuçiqit.

Sa i përket Kosovës, gjithkush ndaj saj mund të flas çfarë t´i vjen n´gojë, sepse ajo ndodhet në defensivë, e sulmuar nga të gjitha anët. Për shqiptarët kurrë s´ka qa kush kokën, duke u nisur nga thënia: ata durojnë çfarë do qoftë, ngase janë të kalitur me gjëra të tilla. /Mars – Rover (Satirë)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat