O zot, hiqja mallkimin tënd popullit shqiptar!

Opinione

O zot, hiqja mallkimin tënd popullit shqiptar!

Nga: Besim Ndregjoni Më: 21 mars 2024 Në ora: 17:26
Autori Besim Ndregjoni

Sot mbushen 32 vite nga dita e 22 marsit 1992, kur sheshi Skënderbej u mbush me thirrjet e 2 milion shqiptarëve "E duam Shqipërinë si gjithë Europa", një ëndërr aq gëzuese për mijëra familje shqiptare që kishin paguar lirinë me gjak, me kufoma dhe që kishin besuar në idealet e tyre, duke pritur ditën kur ata që ishin vrarë nga diktatura do të gjenin qetësi. Kjo ditë ishte e trishtueshme vetëm për xhelatët e komunizmit. Për herë të parë, shqiptarët votonin lirë. Ata votuan për atë të drejtë për të cilën kishin sakrifikuar jetën e tyre. Në sytë e përhumbur të gjysmë shekullit, shqiptarët shihnin gëzimin e kësaj dite, kur e djathta e masakruar, e lodhur nga genocidi komunist, shkonte drejt atdheut të vet, drejt Europës, drejt lirisë, drejt të ardhmes euroatlantike. Revolucioni antikomunist "triumfoi". Dhe ne shqiptarët besuam në sinqeritetin e datës 22 mars 1992. Besimi tek Partia Demokratike nga ne antikomunistët ishte i madh, ne besonim se do të fillonin proceset gjyqësore ndaj krimeve të komunizmit. Edhe sot, pas 32 vitesh, kërkohet të denohen krimet e komunizmit me ligj, një kërkesë e mbeshtetur nga komunitetet fetare.

Por opozita shqiptare, siç ka vepruar për 32 vite, vazhdon heshtjen duke i bashkuar forcën partisë së diktatorit, duke u kundërshtuar denimit të këtyre krimeve. Duhet të denohet Partia e Punës së Shqipërisë si një organizatë kriminale që kishte kryer genocide ndaj shqiptarëve me forcën e dhunës, për shkatërrimin e doktrinave dhe zakoneve shekullore. Pronarët e vërtetë do të gëzonin pronën e tyre. Qëndrestarët antikomunistë, të shkatërruar deri në tre breza, jo vetëm do të kishin trajtim njerëzor, por edhe do të ishin në bashkëqeverisjen e vendit në një sistem demokratik, për të ndërtuar Shqipërinë e re të lirë dhe demokratike. Parulla e famshme "bashkuar dhe fajtor" u shëndrrua në një angazhim total për kapjen e shtetit nga agjentët e sigurimit të shtetit dhe të priviligjuarit e diktaturës.

Kur prisnim të hapeshin dosjet e xhelatëve komunistë që shoqëria të njihesh me krime të tmerrshme, pushteti i quajtur "demokratik" filloi të nxjerrë dosjet e viktimave të torturuara me metoda të çnjerëzore nga sigurimi i shtetit komunist. Ngriti jashtë ligjit një Parti komuniste e krijuar në 1991, dhe u përshëndet ndryshimi i emrit të Partisë së Punës Shqiptare në Parti Socialiste. Institucionet e shtetit demokratik u zëvendësuan me elementët më të privilegjuar të diktaturës komuniste. Shtresa që kishte vuajtur u përdor për të gjithë makinerinë propagandistike për të paraqitur përballë komunitetit ndërkombëtar se këta njerëz duhet të trajtoheshin me kujdes, sepse ata do të merrnin "drejtësi", dhe pas një greve urie të burgosurit politikë ata u përdorën për të dhënë dhunë si pararendësit e tyre komunistë. Për punën e pa paguar që kishin bërë në kampet e përqëndrimit të Spaçit dhe Qafë Barit, ata u dhuruan letra me vlerë, ndërsa për të priviliguat e komunizmit u privatizuan pallatet me një shumë simbolike, duke e bërë pronarë të ligjshëm me hyrje prej 100 dollarësh, ndërsa pronarët e vërtetë u mbytën në gjykata, duke u shndërruar në viktima të gjyqtarëve të korruptuar të komunizmit. Asnjë prej mbijetuesve të diktaturës nuk u lejua, dhe vazhdon të mos lejohet, të drejtojë institucionet shtetërore apo kushtetuese.

Lufta e klasave mori përmasa "demokratike" jo më në emër të partisë, por në emër të shtetit "demokratik". Kur ne pritnim që xhelatët të jepnin llogari para gjyqit, ata jepnin llogari sa kafe kanë hargjuar. Kur ne pritnim të denohej me ligj krimet e komunizmit, udheheqja përdorte sloganin "Poshtë Komunizmi" dhe Partia komuniste, e kthyer në socialiste, trumbetonte çdo ditë se të drejtat dhe liritë e njeriut po shkelnin. Shoqëria civile u kamuflohet në një rrip transmetimi për të mbrojtur partinë komuniste socialiste. Partia demokratike dhunonte çdo të drejtë që kishin antikomunistët duke i quajtur ekstremistë dhe me këtë veprim mbështeste platformën djallëzore për mos të dënuar me ligj diktaturën komuniste. Ne sot jemi kthyer në një popull të pafuqishëm, të detyruar të qëndrojmë në këtë gjendje, nga deformimi i vazhdueshëm i votës dhe nga kornizat e hekura që ka krijuar sistemi. Me marrëveshjen e 2008, u hoq pluralizmi dhe vota e lirë. Ky sistem zgjedhjesh u bë terren i favorshëm për lindjen, rritjen dhe mbijetesën e harlisjes së komunizmit "demokratik", i cili sot harbon pa ndonjë ndërmjetës. Krijohet në shkretëtirën sahariane të politikës shqiptare. Letërsinë na e bëjnë grafomanët, organizatat jofitimprurëse na i kryesonin militantët e komunizmit, politikën banditët, ekonominë mafiozët, nëpunësit hajdutë, mitomanët na mbahen për dijetarë, grafomanët për shkrimtarë, gazetat dhe televizionet janë plot me kryqëzime që vetëmbrojnë veten dhe njëri-tjetrin.

Katrahura politike që u ngrit pas shembjes së turpshme të komunizmit është një plagë e rëndë, por e kalimtare. Shqipëria meriton më shumë se tërheqjen e "karrikes" në pushtet dhe përfitimin nga korrupsioni. Shqipëria meriton një shtet dhe një shoqëri të lirë, të lirë nga frika, sidomos frika qeveritare, dhe të lirë nga uria, papunësia dhe varfëria. Shqipëria meriton një sistem politik të hapur, transparent, dhe me respekt për çdo qytetar të lirë.

Shqipëria meriton një emër që të respektohet nga bota e jashtme. Shqipëria meriton këtë respekt sepse e ka paguar me gjak detyrën që i vuni mbi shpatullat e saj, një histori e egër e imponuar mbi shqiptarët pa miratimin e tyre. Shqipëria meriton një të ardhme të lumtur dhe premtuese, sepse ka derdhur gjakun si lumi. Por kjo përgjigje, kur të vijë, duhet të jetë e përgjithshme, universale në kuptimin e saj. Një përgjigje që ka përmasa thjesht personale është "e kufizuar" dhe mohon karakterin universal të "ësës së Keqe" të madhe që quhet komunizmi.Megjithatë, ky qytetnim që dëshirojmë, kërkon denimin e krimit, ndëshkimin e kriminelit, dhe vendosjen e një drejtësie që siguron barazinë për të gjithë, pa përjashtim. Këtu qëndron çelësi i pakënaqësisë së thellë që kemi të gjithë: drejtësia në Shqipëri ka dështuar, krimi nuk është denuar, dhe krimineli shet lirshëm në qytetet e fshatrat tona pa frikën e përgjegjësisë për aktin e tij kriminal.

Pushteti i vendosur ka shkelur njërën nga detyrat më themelore të qeverisjes: zbatimin e drejtësisë kundër krimit komunist. Në këtë pikë nuk ka vend për diskutim. Lejuar kriminelët komunistë të jetojnë pa dhënë llogari për krimeve monstruozë që kanë kryer në dëm të popullit tonë, do të thotë të mohosh ekzistencën e këtyne krimeve, do të thotë se nuk ka pasur rezistencë anti-komuniste, nuk ka pasur të arrestuar, të torturuar, të dënuar, të internuar, nuk ka pasur mbi 10.000 të pushkatuar, që sot nuk kanë një varr. Kjo, nuk është Shqipëria për të cilën kemi luftuar. Kjo nuk është Shqipëria demokratike, Shqipëria e qytetarit të lirë për të cilën ne kemi ëndërruar. 22 mars 2024, pas 32 vitesh, mashtrimi i popullit shqiptar nga kjo klasë politike që nuk ka asnjë gjë të përbashkët me demokracinë. Sot në këtë 22 mars na vijnë në mendje thirrja e Nënë Terezës, e cila sot është e shenjtë Tereza, kur në Rinas, në vitin 1997, tha: "O Zot, Hiqja mallkimin tand Popullit Shqiptar!"

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat