Pse çmimet e biletave janë më shtrenjtë në Prishtinë se në Tiranë dhe Shkup, qeveria të reagojë urgjentisht?!

Opinione

Pse çmimet e biletave janë më shtrenjtë në Prishtinë se në Tiranë dhe Shkup, qeveria të reagojë urgjentisht?!

Nga: Faton Mehmeti Më: 31 mars 2024 Në ora: 15:35
Autori Faton Mehmeti

Pas liberalizimit të vizave, që nga 1 janar i këtij viti, është shtuar edhe numri i udhëtarëve. Qytetarët e Kosovës, në mungesë të vizave ishin të mbyllur andaj edhe mezi kanë pritur të lëvizin lirshëm. Trendi vazhdon të jetë i lartë, vetëm në janar të këtij viti janë shërbyer 287 mijë e 205 udhëtarë apo 21.9 për qind më shumë se sa në muajin janar 2023. Gëzimin për lëvizje të lirë e ka "trishtuar" rritja e çmimit të biletave.

Edhe pse vazhdimisht ka trend të rritjes së numrit të udhëtarëve, çmimet e biletave për fluturime nuk po shënojnë rënie sikur në disa prej vendeve të rajonit. Ndonëse, në krahasim me Kosovën në Shkup e Tiranë çmimet janë më lira. Kjo ndodh sepse në Maqedoninë e Veriut qeveria subvencionon çmimet e biletave, për 9 deri në 11 euro për një person.

Edhe në Kosovë për të pasur çmime më lira, aviokompanitë ajrore kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që të subvencionojnë çmimet e biletave. Edhe Shqipëria ka kohë që ka marrë vendim që të gjithë qytetarët që do të dalin nga vendi nëpërmjet aeroportit të Rinasit, do të paguajnë vetëm 1 euro tarifë fluturimi nga 10 euro që ishte deri më tani.

Kjo tarifë paguhej në momentin kur blihej bileta dhe një vendim i tillë ka reflektuar në ulje të çmimit të biletave. Krahas nevojës për subvencionim, duhet mbikqyruar edhe kompanitë e biletave të cilat po abuzojnë me çmime në mënyrë abuzive. Qytetarët po dëmtohen, kompanitë fitojnë, kjo duhet të rregullohet me ndërhyrje të qeverisë, subvencionim dhe mbikqyrje në mënyrë që qytetarët të kenë çmime sa më të volitshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat