Zëdhënësi i BE-së, P. Stano, me besnikëri po ia kryen detyrat Vuçiqit

Opinione

Zëdhënësi i BE-së, P. Stano, me besnikëri po ia kryen detyrat Vuçiqit

Nga: Dedë Preçi Më: 3 prill 2024 Në ora: 13:14
Autori Dedë Preçi

Zëdhënësi i BE-së, Petar Stano, me besnikëri po ia kryen detyrat Vuçiqit, i cili i jep "ultimatum" qeverisë së Kosovës, për çështjen e "dinarit", ndërsa Asociacionin e do në "tanur" sa më parë, por për palën serbe nuk ka fjalë apo të kërkohet diçka, sepse Serbia, sipas Stanos, i ka kryer të gjitha "obligimet" e saj. Po e zëmë se BE-ja, bëri një zgjedhje të "duhur" kur për kryediplomat Evropian e zgjodhi Josep Borrel, që vjen nga Spanja, që shteti i tij nuk e njeh shtetin e Kosovës, dhe mu për atë edhe marrëveshjet në mes Serbisë dhe Kosovës, shkuan ashtu siç shkuan pa ndonjë sukses.

Pastaj, Mirosllav Llajçak, që vjen nga Sllovakia, u zgjodh si emisar i posaçëm i BE-së, për dialogun Kosovë-Serbi, i cili në këto negociata me palët u mundua mjaft, por nuk i pati fryt nga këto negociata, sepse aktiviteti i tij u dallua vetëm për njërën anë. Edhe zëdhënësi i BE-së, i ngarkuar për Ballkanin Përëndimor, Petar Stano, vjen nga Sllovakia, sikur po i luan dy role, edhe zëdhënës i BE-së, edhe zëdhënës i palës serbe, po duket se është i ngarkuar shumë më shumë se të tjerët, duke ia dhënë besimin Vuçiqit, për t'i trajtuar dhe "sanuar" sa më mirë serbët e veriut.

Vetëm njerëzit e luhatshëm bien menjëherë në mashtrime dhe ngrenë pretendimin me fuqitë e veta të japin kontributin e tyre edhe pse e dinë fort mirë se janë të orientuar në anën e mbrapsht, duke menduar se lakuriqsia e ka edhe një përkthim tjetër, që nuk është i zhveshur. Prej këtij këndvështrimi edhe Kosova, në këto momente po ballafaqohet dhe atakohet me përceptime të ndryshme nga brenda dhe nga jashta, dhe ajo që po e ç'rregullon dhe turbullon këto marrëdhënie në këtë shtet të ri, do të ishte përmbysja e një rregulli ligjor dhe shoqëror në këtë vend, sipas të cilit edhe pushteti i dalë nga vota e popullit të këtij vendi nuk duhet shkëputur nga përgjegjësia që i takon.

Kosova dhe populli i këtij vendi ndjenë në vazhdimësi nevojën e bashkëpunimit dhe inkorporimit të saj me vendet perëndimore, pa të cilat nuk mund të rimëkëmbet dhe të ecë përpara, në veçanti me SHBA-të, dhe aleatët nga BE-ja, për të arritur zhvillimin e këtij vendi dhe integrimet e saj në organizatat ndërkombëtare. Mirëpo, orvatjet e Serbisë, me politikat dhe kërcënimet e saj ndaj Kosovës, e kanë domethënjën e rrezikshme, që verteton pamundësinë e krijimit të një realiteti të ri, apo krijimin e marrëdhënjëve ndërfqinjësore dhe paqësore në mes këtyre dy vendeve, me ç' rast për sa kohë Serbia, nuk e fsheh qëllimin e saj, për ta aneksuar veriun e Kosovës.

Kosova dhe qeveria e saj, nuk mund të pranojë diçka që i rrënon themellet e këtij shteti, apo diçka që e shëmton integritetin dhe ligjet e Kushtetutës së këtij vendi, siç është Asociacioni një etnik, sipas Serbisë, dhe një perceptim i tillë i gabuar, që po mbështetet edhe nga bashkësia ndërkombëtare, ndërsa çështja e dinarit serb në Kosovë, duhet të mbetët si çështje e brendshme e këtij shteti.

Përkundrazi, brenda këtij opsioni ka diçka brenda saj, duke ditur se qëllimet e Vuçiqit janë të rrezikshme, që përmes Asociacionit një etnik serb të fitohet veriu i Kosovës, për të krijuar një "mini republikë", ose përmes një lufte të mundshme, duke provuar në fillim me terroristat e vet, pastaj të dëpërtojë edhe me forca ushtarake, të cilat i pozicionon përditë rreth kufirit me Kosovën.

Pse zëdhënësi i BE-së nuk i jep ultimatum Serbisë dhe nuk ia tërheq vërejtjen asaj, e cila nuk po e lë Kosovën të qetë, njëherazi duke i shkelur edhe Marrëveshjet e parapara në Bruksel, poashtu duke iu kërcënuar çdo ditë dhe duke e penguar në integrimet e saj, ndërsa në anën tjetër vetë BE, në krye me Borrelin, Llajçakun dhe të tjerë, sanksionuan Kosovën, pa ndonjë shkas të cilësuar. Do të kishim edhe shumë e shumë për të thënë zëdhënës i dy roleve Petar Stano, që do ti shpaloste ky popull i Kosovës, vullneti i të cilëve shprehet në një formë, apo tjetren, pra ky popull në fund të fundit përbënë edhe hallkën e fundit të masave që merr shteti me qeverinë e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat