Integriteti njerëzor, moral dhe kombëtar i punëtorëve te arsimit!

Opinione

Integriteti njerëzor, moral dhe kombëtar i punëtorëve te arsimit!

Nga: Ismail Muçiqi Më: 21 prill 2024 Në ora: 15:13
Autori Ismail Muçiqi

Populli shqiptar me admirim dhe pasion e adhuruan Shkollën Shqipe, institucionin që ishte bartës i arsimimit dhe edukimit të gjeneratave, të cilat më vonë morën fatin në zhvillimin dhe emancipimin kulturor të shoqërisë kosovare. Për shkak të sundimit të gjatë dhe kolenjal të Kosovës nga perandoritë dhe ideologjitë që ishin pengesë për shkollimin e shqiptarëve, Shkolla Shqipe ishte therr në sy për kundërshtarët dhe armiqtë e shqiptarëve të Kosovës. Kështu gjatë periudhave të ndryshme, e sidomos gjatë shekullit të kaluar, ndjenja kombëtare e gjeneratave u zgjua duke kërkuar shkollim, dije, dhe njerëz me vizion dhe ideale për t'i hapur progres popullit për ta ndërtuar identitetin dhe ardhmërinë, krahas popujve tjerë të Evropës.

Duhet pranuar se vizioni i gjeneratave të kaluara, të cilat ishin pjesë e politikës të Kosovës, e bëri të mundur zhvillimin e Sistemit të Arsimit në Kosovë duke hapur dhe rrënjësuar analfabetizmin që mbretëronte në shoqërinë kosovare. Në këtë drejtim u hapën shkolla të reja fillimore, të mesme, të larta, e më vonë edhe Universiteti i Prishtinës. Bartësi i këtij progresi në shkollimin e kuadrave të reja, përkatësisht të mësuesve, arsimtarëve, e pedagogëve ishte Shkolla Normale, e cila kishte program të mirëfilltë të shkollimit dhe edukimit, në ndërtimin e personalitetit të njeriut, i cili më vonë mori përgjegjësi për përgatitjen e kuadrave të reja në Sistemin e Arsimit.

Integriteti, humaniteti, moraliteti dhe kombëtarizmi i këtyre gjeneratave ishin parakusht dhe mision për të shkolluar kuadra profesionale që i duheshin Kosovës. Misioni i punëtorit të Arsimit ishte i shenjtë, një simbol që e donin të gjitha gjeneratat e kohës. Mjerisht, pas luftës, Sistemi i Arsimit mbeti i pa reformuar. Shkollat profesionale që dikur shkollonin mësues dhe arsimtarë u lanë pas dore dhe ato u shuan për shkak të papërgjegjësisë dhe mosdijes së institucioneve që u themeluan pa ndonjë koncept të mirëfilltë strategjik të zhvillimit të Sistemit të Arsimit. Këto eksperimente të pa nevojshme dhe të dështuara krijuan shumë probleme në punë, cilësi, dhe në të gjitha segmentet e jetës shoqërore në Kosovë.

Kështu, nëpër shkolla dhe universitete u punësuan individë pa integritet, moral, e humanitet, pa përgatitje profesionale shkollore, të cilët e dëmtuan dhe e degraduan Shkollën Shqipe pothuajse në të gjitha instancat e shkollimit. Pati profesorë të cilët u korrën nga ligjëratat e tyre e shndërruan në biznes personal duke u korruptuar materialisht. Ngjarjet e fundit, të cilat tronditën opinionin kosovar, se në disa shkolla dhe institucione, ngacmimi seksual i arsimtarit ndaj nxënëses ishin fenomene të dhimbshme, të cilat po e tronditnin çdo familje shqiptare.

Duhet theksuar se një numër i këtyre të quajtur "profesorë" ose "edukatorë" ishin të përfolur edhe para luftës nëpër fakultete dhe institucione të tjera të Arsimit në Kosovë. Ishin disa profesorë të pamoralshëm – demagogë, të cilët në shumë raste i ngacmuan dhe i shantazhuan femrat duke i kushtëzuar me kalimin e provimit për të shfrytëzuar ato. Mjerisht, disa prej këtyre të ashtuquajtur "pedagogëve" e që tani kanë shkuar në pension, promovohen nëpër televizione duke u shfaqur si shpërndarës të mendjeve dhe moralit para audiencës.

Po ata ishin ata të cilët u përfolën me vite si individë të cilët morali dhe integriteti i tyre ishin kontestues dhe i dyshimtë. Kjo mentalitet e "intelektualit të kohës" edhe sot po manifestohet në mënyra të ndryshme në institucionet tona shkollore, të cilat kanë detyrim moral, human, e kushtetues të arsimojnë dhe edukojnë gjeneratën e re në të gjitha aspektet për të ndërtuar një personalitet të integruar njerëzor dhe profesional, që i duhet popullit të Kosovës në kohën e demokracisë në të cilën po jetojmë. Ky është misioni dhe amaneti i të gjithë atyre intelektualëve që u sakrifikuan për idealet e shkollimit, arsimit, dhe edukimit të shqiptarëve, të cilët ishin të shkelur dhe të braktisur nga sistemi në fuqi. Prandaj, në fund më thotë mendja se politika kadrovike në Sistemin e Arsimit duhet të kalojë filtrat që e përcaktojnë karakterin njerëzor, moralin, profesionalizmin, dhe kombëtarizmin e individit edukator.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat