Opozitarët milionera, urgjentisht të konfiskohet pasuria e paligjshme

Opinione

Opozitarët milionera, urgjentisht të konfiskohet pasuria e paligjshme

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 21 prill 2024 Në ora: 21:29
Foto ilustrim

Deklarimi i pasurisë shpërfaq nevojën e madhe për hetim të prejardhjës së saj. Nga sa u publikua, del se opozitarët në përgjithësi janë më të pasur se udhëheqësit aktual të shtetit. Gjithsesi, pa marrë parasysh se kush e si duhet të hetohen, të gjithë duhet të hetohen. Konfiskimi i pasurisë së paligjshme të fituar përmes aktiviteteve kriminale është sfida më serioze për Kosovën, për kthimin e saj në ligjshmëri.

Qeveria e Kurtit e ka theksuar disa herë kur ishte në opozitë se do ta bëjë të mundur një gjë të tillë, megjithëse një gjë e tillë duket shumë e vështirë për rrethanat aktuale, ndonëse ndryshimet janë bërë në legjislacion lidhur me konfiskimin e pasurisë së paligjshme. Ndryshimet janë bërë në Kodin Penal, si dhe në Ligjin për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së fituar me vepra penale.

Ndonëse është krijuar një Fond Kombëtar i Konfiskimit, në bazë të të cilit vlera më e madhe e mjeteve të mbledhura do të destinohet për organet e rendit. Ndonëse kështu duhet të jetë, është e vështirë të besohet se edhe në këtë fond, që akoma nuk ka filluar të mbushet aq sa ka pasuri të paligjshme, arsyet janë të shumta për të dyshuar se edhe këtu do të ketë keqpërdorime. Nuk është e mundur që me një pagë të Kosovës të ketë vila, vetura të shtrenjta dhe jetë luksi. Janë gjëra që shihen, jemi një vend i vogël ku secili njeh njëri-tjetrin.

Ka kohë, diku para 12 viteve është miratuar projektligji për konfiskimin e pasurisë së paligjshme dhe vetëm pak është vepruar. Ndonëse është mirë, ajo që vlerësohet të jetë shqetësuese në këtë projektligj është mungesa e fuqisë së tij prapavepruese, që do të thotë se ata që kanë fituar pasuri në mënyrë të paligjshme para se ky ligj të hyjë në fuqi, nuk do të mund t'u konfiskohet pasuria. Kjo pasi në dispozitat e këtij ligji parashihet që vetëm pasuria e fituar paligjshëm pas hyrjes në fuqi të ligjit do të mund të konfiskohet.

Atëherë, kjo nënkupton se projektligji në fjalë është krijuar për të amnistuar të kaluarën dhe jo për të bërë drejtësi. Është shqetësuese mungesa e retroaktivitetit që duhet të ketë ky ligj në kuadër të zbatimit. Të kundërtën e kësaj përvoje na e japin shtetet e ndryshme, që në ligjet e tyre kryesisht fushëveprimin e kanë edhe për të kaluarën. Prandaj, në mandatin e tjetër, Albin Kurti duhet të ketë fuksin në konfiskimin e pasurisë, të kthehet tek populli çdo gjë që është vjedhur nga populli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat