Policia në Pejë thotë se është shtuar numri i qytetarëve që nuk respektojnë vendimet për kufizim të lëvizjes

Peja

Policia në Pejë thotë se është shtuar numri i qytetarëve që nuk respektojnë vendimet për kufizim të lëvizjes

Më: 15 maj 2020 Në ora: 17:21
Foto ilustrim

Drejtoria rajonale e Policisë së Kosovës në Pejë, ka njoftuar se kohëve të fundit është vërejtur numër i shtuar i qytetarëve të cilët nuk kanë respektuar vendimet e institucioneve të vendit, për të cilat Policia dhe Inspektorët komunalë janë obliguar që të iniciojnë procedura ligjore.

Policia thotë se që nga fillimi i implementimit të urdhrit operativ “gatishmëria vepruese për parandalim të COVID-19”, ka kryer punën në mënyrën me të mirë dhe më profesionale të mundshme dhe atë me të gjitha kapacitetet e veta.

“Që nga data 04.05.2020 kanë hyrë në fuqi masa lehtësuese të veprimit për parandalimin e sëmundjes COVID-19, mirëpo kohëve të fundit është vërejtur numër i shtuar i qytetarëve të cilët nuk kanë respektuar vendimet e Institucioneve të vendit, për të cilat Policia dhe Inspektorët komunal janë obliguar që të iniciojnë procedura ligjore. Nga data e lehtësimit të masave nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, kur ka filluar faza e parë e deri me sot, janë iniciuar 11 (njëmbëdhjetë) raste Mosveprim sipas Dispozitave Shëndetësore gjatë Epidemisë, ndërsa vetëm gjatë kësaj jave janë iniciuar 8 (tetë) raste. Personat e dyshuar janë arrestuar dhe në shumicën e rasteve Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimi për 48 orë. Po ashtu, për mos respektim të orarit të lëvizjes, mos bartje të pajisjeve mbrojtëse (maska, doreza) dhe për mos mbajte të distancës – janë proceduar 189 raste”, thuhet në komunikatë.

Policia në Pejë vlerëson që veprimet ligjore të përbashkëta të institucioneve dhe sjellja e përgjegjshme e bashkëpunuese e qytetarëve, në respektim të dispozitave ligjore për parandalim të sëmundjeve ngjitëse, ka dhënë rezultate pozitive konkrete.

“Andaj apelojmë tek qytetarët që të tregojnë vetëdije dhe përgjegjshmëri të lartë qytetare në respektimin e masave parandaluese te vendosura nga institucionet e vendit edhe gjatë kësaj faze dhe në të ardhmen në mënyrë që të kalojmë së bashku ketë situatë pandemie”, thuhet në komunikatë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat