​Vërshimet në Pejë, sot situatë më e qetë

Peja

​Vërshimet në Pejë, sot situatë më e qetë

Më: 23 nëntor 2022 Në ora: 13:45
Pejë

Pas reshjeve të dendura disa pjesë të qytetit të Pejës mbrëmë u vërshuan nga uji, por sot në këtë qytet situata është e qetë dhe niveli i ujit në lumë ka rënë.

Por, si pasojë e këtyre vërshimeve familja Shabani, të cilës iu vërshua shtëpia ku jetonte me qira, tash ka mbetur pa kulm mbi kokë.

Kanali i ujit që përshkon lagjen “Asllan Qeshme”, vërshoi shtëpinë me qira ku jetonte Albatrit Shabani me familjen e tij.

Ai për KosovaPress tregon se tashmë kjo shtëpi është e pa banueshme dhe do të detyrohet të largohet.

Shabani, babai i dy fëmijëve, thotë  se të gjitha pajisjet janë dëmtuar.

“Me pajisje, me të gjitha m’i ka hedhë poshtë… Fëmijët janë te motra, djali 6-vjeçar dhe vajza 4- vjeçar… Krejt pajisjet që janë këtu brenda janë të mijat, shtëpia kur e kam marr unë ka qenë e zbrazët… Këto janë të gjithë të dëmtuara… Ka pasur vërshime edhe të mëhershme, por kanë qenë të nivelit më të ulët… Tash më duhet të bëjë një zgjidhje tjetër, sepse këtu më nuk mund të jetoj sepse uji ka kapluar gjithçka dhe nuk është më për mbijetesë. Ka filluar ajo aroma e ujit të ndotur të shfaqet… Për momentin, jam pa kulm mbi kokë”, tha ai.

Kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri thotë se për dallim nga mbrëmë sot është qetë. Duke i përmendur pikat kritike që më pas edhe erdhi deri te vërshimet e disa shtëpive dhe lokaleve, i pari i Pejës thotë se tashmë kanë bërë disa ndërhyrje që mund të ndikojnë në rrjedhën më të lehtë të ujit.

“Uji ka dalë nga shtrati në një pjesë të Qokolicës dhe pas një orë apo gjysmë ore është kthyer prapë në gjendjen siç ka qenë. Është intervenuar shpejt, edhe kanali i Zatrave ka dalë disa orë nga shtati i tij, ka pasur një ngulfatje të kanaleve, e kemi rregulluar. Në lagjen ‘Fidanishte’ është problem i kahmotshëm. Sa herë bie shi, ka përmbytje të rrugës dhe lagjes komplet besojmë që vitin tjetër kjo gjendje të sanohet… (Situata) E qetë nëse nuk ka shumë shi, besoj e përballojmë, por edhe nëse ka kanalin e Zatrave e kemi siguruar nuk do të vërshojë më pjesa e Qokolicës është nën vëzhgim. Mbetet vetëm ajo pjesa te furra ‘Husaj ‘ që gjithmonë mbetet problematike”, tha Muhaxheri.

Ai tha se ditëve të kaluara vërshime ka pasur edhe nëpër fshatra, por sipas tij mbrëmë ishin vetëm disa pjesë të qytetit të vërshuara.

Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri për KosovaPress tregoi se tashmë kanë krijuar një komision për vlerësim të dëmeve, për çka tha se nga informacionet në terren nuk raportohet për dëme të mëdha.

“Është krijuar komisioni, por dëmet në lokale janë të vogla… por nga informacionet që i kemi marr në terren nuk ka dëme të mëdha… Ka dëme në disa institucione, në disa shtëpi është bërë komisioni për vlerësim. Qeveria e ka kryeinspektorin, i cili merret me këtë çështje. Jemi në kontakt me të dhe të gjitha dëmet që janë shkaktuar do t’i referojmë”, theksoi ai.

Udhëheqësi i sektorit për siguri dhe emergjenca në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në Pejë, Gani Krasniqi u shpreh se nëse do të ketë përsëri reshje shiu të mëdha Peja rrezikohet në disa pjesë nga vërshimet e serishme.

Ai tha se uji mbrëmë ka depërtuar në disa biznese dhe shtëpi, për çka ekipet e zjarrfikësve kanë ndihmuar qytetarët të largojnë ujin nga bodrumet e tyre.

“Pas reshjeve që filluan me intensitet të shtuar në disa vende kritike, ta quajmë dhe të ndjeshme që janë për këtë pjesë të qytetit, erdhi deri tek eskalimi i gjendjes për të keq. Meqenëse kishim edhe intervenime në këtë zonë, por intensiteti i shirave u rrit dhe uji arriti në kulminacion… Gjenda është e qetësuar dhe nuk kemi ndonjë problematikë. Dëmet janë shkaktuar sikurse te bizneset ashtu edhe te qytetarët ku kemi pasur edhe futjen e ujit brenda dhe vazhdon edhe paraqitja e kërkesave në Drejtorinë e Emergjencës dhe do të shohim që në të ardhmen e afërt si komision të bëhet vlerësimi, por po shpresojmë që edhe niveli i të reshurave të zvogëlohet apo të pushoj për arsye se Peja ka predispozita shumë lehtë në ato pjesë që të vije në situata shumë të këqija”, tha ai.

Nga e diela shirat e mëdha kanë bërë që shumë lumenj në Kosovë të dalin nga shtrati i tyre dhe të vërshojnë. Më të prekurat kanë qenë komuna e Vushtrrisë, Istogut, Pejës dhe Gjakovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat