Teki Dervishi, i papërsëritshëm dhe i pazëvendësueshëm në publicistikën shqiptare

Politika

Teki Dervishi, i papërsëritshëm dhe i pazëvendësueshëm në publicistikën shqiptare

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 29 qershor 2019 Në ora: 07:56
Teki Dervishi

Po mbushen 8 vite që kur u nda nga jeta publicisti, dramaturgu dhe ish drejtori i gazetës kombëtare “Bota sot”, Teki Dervishi.

Ai ishte ndër të parët që krijoi stafin e redaksisë së gazetës “Bota sot”. Një redaktor, kolumnist dhe së fundi drejtor i përgjithshëm i gazetës.

Një dramaturg dhe publicist si Teki Dervishi, mungon më shumë se asnjëherë në letrat shqipe, në kohën kur thuajse çdo gjë është përfshirë nga mediokriteti.

Miqtë e tij të afërm, thonë e shkruajnë se Tekiu,  veçohej si një shkrimtar dhe publicist i rrallë.

Don Lush Gjergji: Teki Dervishi është i papërsëritshëm dhe i pazëvendësueshëm

Image
Don Lush Gjergji 

Njerëzit e mëdhenj nuk vdesin. Ata janë të pavdekshëm. Ata vazhdojnë të jenë në mesin e të gjallëve ndonëse nuk janë të pranishëm fizikisht.

Me të tilla fjalë, Don Lush Gjergji  nga Ipeshkvia e Kosovës, i shoqëruar me një entuziazëm, kujton Dramaturgun e mirënjohur Teki Dervishin, i cili ishte edhe miku i tij.

“Teki Dervishi, ishte dhe mbetët për mua një mik, një vëlla, një krijues, një artist e një dramaturg i rrallë, shumë i shquar e i dalluar për shumëçka”, tha Gjergji.

Ipeshkvi, tha se Dervishi, në rend të parë ishte një njeri i formuar dhe i kompletuar si nga aspekti i kaluarës, si nga aspekti i jetësimit dhe përgjegjësisë për të tashmen dhe si për nga vizioni që kishte për të ardhmen.

“Ai ishte një intelektual i mirëfilltë në tri elementët bazë të jetës, në histori si mësuesja dhe nana e jetës, në të tashmen për guxim dhe dituri për t’u ballafaquar me baticat dhe zbaticat e jetës së përditshme siç ishte koha e tij dhe e jonë dhe sidomos për të ardhmen, një njeri që kishte vizion dhe profetizim. Sepse ai, besonte gjithmonë në zotin dhe besonte gjithmonë në popullin”, tha ai.

Gjergji, më tej, theksoi se Dervishi me damarin e tij krijues, me atdhedashuri të spikatur dhe shembullore me një guxim të pashtershëm për jetë dhe krijimtari ishte dhe është një njeri i cili ka lanë gjurmë të pashlyeshme në kulturën tonë. Si i tillë sipas Gjergjit, është i papërsëritshëm dhe i pazëvendësueshëm. Ai njeri i mungon kulturës dhe jetës tonë shoqërore.

 “Fatkeqësisht nuk la kënd prapa, se njerëzit karizmatik siç ishte Teki Dervishi, në shumë raste janë të papërsëritshëm dhe janë pa trashëgimtar në kuptimin kulturor sepse gjenitaliteti nuk bartet brez pas brezi por është tek njerëzit të cilën dinë ta shfrytëzojnë këtë gjenitalitet dhe të vihen në shërbim të së mirës të përbashkët për popullin. Njerëz të tillë fatkeqësisht janë shumë rrallë”, theksoi Gjergji.

Ipeshkvi, për “Bota sot”, shtoi se Dervishi, përtej të gjithave, ka qenë në shërbim sepse ai ka qenë i vetëdijshëm për aftësitë dhe mundësitë e tija që kishte dhe kënaqësia e tij e lumturia tij ka qenë shërbimi.

“Po më vjen ndërmend fjala e vjetër latine: Të shërbesh do të mbretërosh, prandaj Tekiun e kishim mbret për të shërbyer”, tha ai.

Kurti:  Dervishi është ndër dramaturget më të mirë në mbarë hapësirën shqiptare

Image
Muharrem Kurti

Kurse, Muharrem Kurti, Kryetar i Klubit letrar “Gjon Nikollë Kazazi” Gjakovë, për “Bota sot”, tha se Teki Dervishi si personalitetet është i veçantë, sepse që i ri, madje ishte i burgosuri më i ri politik në burgun e  Goli-Otokut.

“Sepse, ai,  gjatë gjithë jetës së tij qëndroi vertikalisht, edhe në diktaturë, edhe në pushtimin barbar të regjimit të Millosheviqit gjakpirës, edhe në lirinë e pasluftës së fundit. Madje , edhe ndarja nga jeta e përkohshme e Teki Dervishit ishte e veçantë, ai, ia la amanet familjes së vet, ta dërgonin në banesën e fundit pa ceremoni, pa kortezhe, pa komemoracion, veçse anëtaret e ngushte të familjes”, u shpreh Kurti.    

Ai shtoi se, Teki  Dervishi si poet është tejet me individualitet poetik të formuar dhe si nga tematika edhe nga forma, poezia e tij dallon në poezinë bashkëkohore shqipe, qofte se si shkruan dhe për çfarë shkruan.

Teki Dervishi, sipas Kurtit, është ndër prozatoret më të mirë të prozës bashkëkohore shqipe, por edhe si tregimtar, edhe si romancier.

“Le të kujtojmë “Palimseste për Dush Kusarin”, risi në ketë lloj shkrimi tek ne, edhe në Prishtinë edhe për në Tiranë.. Le te përkujtojmë romanin “Pirgu i lartë”,që asnjë biografi e prozës bashkëkohore shqipe nuk mund të përfaqësohet  pa ketë vepër elitare. Duke mos harruar edhe “Herezia e Dervish Mallutës” etj, etj”, tha ai.

Më tej, Kurti, pohoi se Teki Dervishi veçohej se një nga dramaturgët e rrallë.

“Është nder dramaturget bashkëkohor më të mirë në mbarë hapësirën shqiptare dhe hyn në rangun e dramaturgeve më të shquar shqiptar, jo vetëm tek ne, por dhe në disa gjuhe të botës është pranuar krijimtaria e tij me shume vlerësim të mirë, për shkak të nivelit të lartë që ka në ketë zhanër krijimtarie, dramaturgu i madh Teki Dervishi”, tha ai.

Një çmim në nderim të Teki Dervishit

Teki Dervishi si analist, si kolumnist, është ndër më të mëdhenjtë që ka publicistika bashkëkohore shqipe.  Kurti, përmendi se qasja që ka pasur Tekiu në shkrimet e veta dhe kolumnet e tij, dikur ishte pasuri e madhe kombëtare, ndërsa sot i mungon shume publicistikës sonë, gati-gati e nivelit të rrjeteve sociale.

Më tej, Kurti, theksoi se Klubi Letrarë Gjon Nikollë Kazazi, në nderim të veprës së Tekiut, ka propozuar që të ndahet çmim ose mirënjohje në emër të Teki Dervishit, por se propozimi i tyre nuk ka pasur vëmendjen e duhur.

“Klubi letrar Gjon Nikollë Kazazi, ka propozuar prej kohesh, publikisht,  që të ketë një çmim, për librin më të mirë në prozë gjatë një viti kalendarike dhe çmimin më të mirë për dramaturgun, përkatësisht dramën me të mirë brenda një viti kalendarik. Por, propozimi i ynë ka hasur në vesh të shurdhur dhe për shkak të mos përkrahjes financiare, qoftë nga Komuna apo MKRS, emri i Teki Dervishit, që i bën nder çdo letërsie, nuk po nderohet, siç e meriton”, theksoi ai.

Në nderim të veprës dhe jetës së këtij kolosi njerëzor dhe letrar,tejet elitar, Muharrem Kurti thotë se ka shkruar një poezi.

AMANETI I TEKI DERVISHIT

Amanet

Më varrosni

Vetëm vëllai im

Vetme motra ime

Vetëm fëmijët e mi

 

Nuk dua kortezh mëkatarësh

Vajtime fajdexhinjsh nuk dua

Lotë kriminelesh Të bien të qetë

Mos më mbuloni me dhe hipokritesh

Amanet....

Shahu: Teki Dervishi, shkrimtari më antikomunist shqiptar

Image
Rexhep Shahu

Rexhep Shahu, publicist dhe një njohës i afërt me Tekiun, për “Bota sot”, u shpreh se Dërvishi, njihet dhe mbahet mend si njeri i urtë dhe fisnik, dhe më antikomunisti që ka njohur koha.

“Teki Dervishi është shkrimtari ma antikomunist shqiptar, është gazetari më i pa kompromis kundër komunizmit e Enverizmit  që kanë nxjerrë shqiptaret deri sot. Teki Dervishi në vetvete arriti të bëhet shkollë e vërtetë për gazetarët e njerëzit e penës. Shkrimtari me i ri i dënuar nga Jugosllavia. Unë e kam vu në ballinën e Revistës Illz, revistë letrare e Tiranes. Teki Dervishin nuk e duan të majtët e enveristët në Kosovë e Shqipëri dhe ndaj edhe pse është dramaturgu më i madh ai nuk gjendet në literaturën shkollore”, tha Shahu.

Shahu, tha se është fatkeqësi e madhe që Dervishi njihet pak në Shqipëri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat