AAK dhe PDK dëmtuan rëndë kredibilitetin e UÇK-së - Bota Sot
AAK dhe PDK dëmtuan rëndë kredibilitetin e UÇK-së

Politika

AAK dhe PDK dëmtuan rëndë kredibilitetin e UÇK-së

Nga: Valon Rogova Më: 1 tetor 2019 Në ora: 08:32
Kadri Veseli dhe Ramush Haradinaj

Në një intervistë dhënë për një nga televizionet, Memli Krasniqi zyrtar i PDK-së, njëherit kandidat për deputet nga partia në fjalë, ndër të tjera, ka thënë se kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, nuk e ka pasur guximin që të jetë ushtar i UÇK-së.

“Albin Kurti nuk ka pasur guximin që të jetë ushtar i UÇK-së. Të mundohet ta patentojë veten që e respekton atë flamur më shumë se PDK që është pasuese e UÇK-së – këtë mund ta besoj dikush, por unë besoj se kjo rrjedh nga kompleksi i inferioritetit”, kë thënë Krasniqi.

Por jo të gjithë ndajnë të njëjtin mendim me Krasniqin. Madje, disa e konsiderojnë edhe deklaratë tendencioze, njëkohësisht edhe dashakeqëse të Krasniqit.

Zogiani: Kurti e ka përfaqësuar UÇK-në në mes të Prishtinës

Avni Zogiani, deklaratën e Memli Krasniqit e cilëson si injorante. Ngase sipas tij, Krasniqi, nuk e ditka që Kurti, ishte një nga përfaqësuesit e UÇK-së, në Prishtinë. Vepër kjo, që i ka kushtuar dhe me burg në Serbi.

“E para, Kurti e ka përfaqësuar UÇK-në në mes të Prishtinës, për ç'gjë edhe është burgosur nga shteti serb. E dyta, Memli Krasniqi dhe familja e tij nuk kanë parë UÇK në jetën e tij”, tha ai.

Tutje, Zogiani, deklaroi për “Bota sot” se kjo nuk ka rëndësi më. Rëndësi, sipas tij, ka fakti që kredibiliteti i UÇK-së, është dëmtuar rëndë nga partitë që pretendojnë se dolën nga ajo.

“Mirëpo, kjo nuk ka rëndësi tashmë. E rëndësishmja është se kredibiliteti i UÇK-së është dëmtuar rëndë pikërisht nga partitë që pretendojnë që dolën nga ajo, sidomos AAK e PDK. Albini para do ditëve tha, në emër të popullit mund të sakrifikosh, në emër të popullit mund të kontribuosh, por në emër të popullit nuk bën të vjedhësh. Vjedhjet që bënë këta në emër të UÇK-së, kanë qenë goditja më e rëndë që i kane bërë vlerave të luftës për çlirim”, tha Zogiani.

Image

Avni Zogiani

Më tej, Zogiani, tha se qytetarët tanimë nuk votojnë për UÇK e as për Rugovizëm po për mirëqenie.

“Megjithatë, tashti nuk ka asnjë rëndësi më kjo, sepse qytetarët nuk votojnë për UÇK e as për Rugovizëm, por për mirëqenie e luftim të korrupsionit. Këtë mund ta bëjë vetëm VETËVENDOSJE!, sepse vetëm kjo i ka duart e lira për ta bërë këtë”, tha ai.

Shahu: Ata që kanë qenë vërtet në luftë kurrë nuk bëjnë bla bla bla

Nga ana tjetër, publicisti Rexhep Shahu, për “Bota sot”, ka thënë se tash e dy dekada pas luftës, janë shtuar luftëtarët edhe është shtuar trimëria, pasi nuk ka më Serbi në Kosovë.

Por sipas tij, nëse bëjmë fjalë për kohën e luftës, për UÇK, natyrisht që nuk dolën të gjithë në luftë me armë në dorë në male por lufta e vërtetë ishte me mbrojt pragjet e shtëpive shqiptare.

“Frika është njerëzore, nuk është mëkat, frika ka mbajtë gjallë njerëzit se Kosova pa njerëzit e saj nuk i duhet as dreqit. Asnjëherë askund nuk kanë dalë të gjithë njerëzit në luftë, pasi luftën e kanë bërë duke mbajtë gjallë jetën, duke mbajtë gjallë edhe djemtë në luftë. Nuk ka keqkuptime aspak për kohën e luftës siç vërtet, por keqkuptimet janë për luftën pas luftës, për UÇK e pas luftës. Ata që kanë qenë vërtet në luftë kurrë nuk bëjnë bla bla bla, ata që kanë qenë në luftë në Kukës, Has, Tiranë, Tropojë, Zvicër, Gjermani, ata bëjnë bla bla bla edhe bluajnë patriotizëm e trimëri”, tha ai.

Image

Rexhep Shahu

Sipas Shahut, në ato kohë të luftës nuk kishte trimëri më të madhe se mos-lëshimi i vendit.

“Rugova që qëndroi në Prishtinë natyrisht që ishte trim dhe nuk ishte udhëheqës i një fisi me dalë në mal e me u fshehë nën degë lisash me fisin e tij, ai ishte udhëheqës shteti dhe do të rrinte në kryeqytet. Albin Kurti ka bërë edhe ai luftën në mënyrën e vet. Ai ka qenë bashkëpunëtori më i afërt i Adem Demaçit që ishte udhëheqësi politik i UÇK-së. Nëse e duam Albinin killer me armë në dorë gabojmë se i tille nuk ka qenë as Hashimi dhe asnjë nga drejtuesit e shpallur që bënin ndonjë ekskursion nga Tirana në Kosovë pa hasë kurrë në ndonjë përpjekje luftarake. Kështu nuk bën të abuzohet me deklarata të tipit Memli Krasniqi”, tha Shahu.

Sipas publicistit, nuk është bërë lufta ose më saktë betejat e vogla nuk janë bërë në hënë por në Kosovë dhe janë bërë të gjitha të vëzhguara e të monitoruara e të fotografuara e të filmuara, ndaj çdo zmadhim e flliqë luftën e vërtet.

“Mund të jesh trim dhe hero pa qenë në UÇK sepse trimëria më e madhe është me mbet gjallë, me trashëgue jetën, me mbrojtë fëmijët e gruan tënde, e kështu mbrohet atdheu. Nëse flitet për Rugovën ai është trimi mbi trima se edhe kanceri nuk e lëshoi në shtrat, edhe vdekjen e priti në zyrë në punë, gjë që nuk është e lehtë. Ai nuk ishte pjesë e UÇK por ishte në bazë të kushtetutës së atëhershme të Kosovës president i Kosovës e për pasojë, siç më thoshte Sali Çekaj, Rugova ishte komandanti i përgjithshëm”, tha Shahu.

Haziri: Është një deklaratë që tregon frustrimin e vet PDK-së

Publicisti dhe njohësi i rrethanave politike, Nexhat Haziri, ka deklaruar për “Bota sot”, se kjo çfarë ka thënë Memli është për shkak të përhumbjes që ka përfshirë PDK-në.

“Është një deklaratë që tregon frustrimin e vet PDK-së nga paniku i humbjes së zgjedhjeve dhe refuzimi çdo ditë e më shumë nga ana e qytetarëve për ofertat e tyre të pabesueshme për askënd siç është ajo luftës kundër korrupsionit. Duke parë këtë situatë të tyre të pashpresë eksponentë të PDK-së ia janë kthyer gjërave apo proceseve që kanë ndodhur tash e 20 vite më parë, siç është ajo kush morri pjesë në UÇK, e kush jo, por edhe kjo "kartë" është e djegur, pasi qytetarët nuk duan histori, por duan prespektivë dhe një jetë më të mirë e më të dinjitetshme”, tha ai.

Image

Nexhat Haziri

Sipas Hazirit, është krejt e parëndësishme se kush ishte në UÇK, e kush jo.

“Është krejt e parëndësishme tani se kush ishte pjesë e UÇK-së apo kush nuk ishte, kjo për një 20 vjeçar apo 18 vjeçar në Kosovë është krejtësisht irelevante, kërkesat dhe nevojat e tyre janë krejtësisht të ndryshme, por si duket Memli Krasniqit dhe PDK-së, sikur vetëm kjo karta e tyre e "lavdisë" së rrejshme u ka mbetur në dorë në tentimin e tyre të fundit e të pashpresë për ti mashtruar votuesit për zgjedhjet e 6 tetorit”, tha ai.

Krasniqi: Lufta ka mbaruar. Vendi duhet të shkoj përpara

Nga ana tjetër, Faik Krasniqi, njohës dhe analistë, për “Bota sot”, ka thënë se deri më sot kemi patur përfaqësues, zyrtar qeveritar dhe këshilltar që ishin pjesë e UÇK-së, por se gjendja në Kosovë është pasqyra më e mirë për e kësaj skene politike.

“Deri më tash kemi pasur disa kryeministra që kanë qenë pjesë e UÇK-së. Kemi dhe kemi pasur me dhjetëra deputet dhe ministra që po ashtu kane qenë pjesë e UÇK-së. Këshilltarë dhe zyrtar të tjerë të lartë janë me qindra. Gjendja në Kosovë është pasqyra më e mirë e gjithë kësaj skene politike, jo vetëm e atyre që kanë qenë pjesë e UÇK-së, por edhe atyre që s'kanë qenë”, tha ai.

Të jesh kryeministër i vendit, sipas Krasniqit, nuk do të thotë të ketë kritere të veçanta përveç të mos e vjedhës atë dhe keqpërdorësh atë.

Image

Faik Krasniqi

“Të udhëheqësh vendin nuk ka kritere të veçanta, e aq me pak se a ke qenë pjesë e UÇK-së. Të jesh kryeministër duhet të jesh i pa korruptuar dhe njeri i ndershëm. Njeri që e do vendin e vet. Çdo qytetar i Kosovës e ka pasur obligim të rezistojë për vendin e tij. Lufta ka mbaruar. Vendi duhet të shkoj përpara”, tha Krasniqi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...