Krasniqi: Nëse SHBA kërkon të hiqet taksa, s’kemi pse të frikësohemi

Politika

Krasniqi: Nëse SHBA kërkon të hiqet taksa, s’kemi pse të frikësohemi

Nga: G.B Më: 8 tetor 2019 Në ora: 20:51
Ilustrim

Pas përfundimit të zgjedhjeve në Kosovë, SHBA pret që Qeveria e re e Kosovës të rifillojë menjëherë bisedimet me Serbinë drejt një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve.

Kështu ka thënë një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit.

"Ne mirëpresim mundësinë që të punojmë me një qeveri të re pro-dialog, që të jetë e angazhuar për forcimin e demokracisë dhe paqes, për drejtësi dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ne kemi qenë të qartë për pritshmërinë tonë, që udhëheqja e re e Kosovës të jetë e gatshme të rifillojë menjëherë bisedimet me Serbinë dhe të punojë drejt një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve", tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit.

Image
Faik Krasniqi

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Faik Krasniqi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se që kur është shpërndarë Kuvendi, SHBA ka thënë se Qeveria e re duhet ta rifillojë dialogun me Serbinë dhe kur amerikanët thonë se duhet të hiqet taksa, s’kemi pse të frikësohemi.

“SHBA e ka bërë të ditur qysh se kur u shpërnda Parlamenti se Qeveria e re duhet të rifillojë menjëherë dialogun me Serbinë. Kur amerikanët i futen një pune, aty s'ka fjalë dhe shaka. Nëse amerikanët thonë se duhet të hiqet taksa, atëherë kjo nënkupton se është gjë e sigurt dhe s'kemi pse të frikësohemi”, është shprehur ai.

Krasniqi thotë taksa është një gënjeshtër, pasi produktet e Serbisë shiten me të njëjtin çmim si pas vendosjes së saj.

“Kurrë s'ka pasur taksë të vendosur ndaj Serbisë. Thjesht një gënjeshtër. Si ka mundësi që produktet e Serbisë të shiten me çmime të njëjta si para taksës? Ka produkte që shiten më lirë pas taksës se sa para taksës. Nëse një produkt para taksës ka kushtuar një euro, me taksën 100 për qind është dashur të shitet 2 euro dhe jo me çmim të njëjtë”, ka deklaruar Faik Krasniqi.

Ndryshe, dialogu Kosovë-Serbi është ndërprerë qëkur Kosova u ka vënë taksë prodhimeve të importuara nga Serbia, në nëntor të vitit të kaluar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat