Zbulohet skenari i Kadri Veselit dhe tjerëve në seancën e Kuvendit ndaj Albin Kurtit

Politika

Zbulohet skenari i Kadri Veselit dhe tjerëve në seancën e Kuvendit ndaj Albin Kurtit

Nga: G.B Më: 4 shkurt 2020 Në ora: 22:37
Qeveria Kurti

Fjalime të gjata me fjalë të ashpra, gabime të shumta gjatë leximit të tyre nga deputetët e opozitës, e shoqëruan seancën e 3 shkurtit, të votimit të Qeverisë Kurti.

Ato e zgjatën seancën dhe bënë që votimi i qeverisë të bëhej në orët e mbrëmjes.

E për këto fjalime e gabime pati reagime e kritika të shumta.

Image
Skënder Zogaj

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Skënder Zogaj, ka thënë për gazetën “Bota sot” se opozita ishte për keqardhje, derisa habiti me nivelin e ulët të deputetëve dhe e humbi qëndrimin e PDK-së.

“Opozita në seancën e votimit të Qeverisë Kurti u korit si mos më keq duke na habitur me nivelin skajshmërish të ulët të deputetëve, që i deklamuan fjalimet si të ishin anëtarë të estradës kooperativiste! Shpërfaqja emocionale dhe akuzat e paqëndrueshme dhe sjellja agresive ishin për keqardhje, sepse e prishi krejtësisht qëndrimin e PDK-së, e cila pas zgjedhjeve, pati bërë një gjest shumë të mirë kur e pranoi humbjen dhe prerazi qe deklaruar se do të shkonte në opozitë! Ishte ky një qëndrim shumë civilizues, por fatkeqësisht, pardje u baltos, si mos më keq, duke irrituar edhe njerëzit më dashamirës të PDK”, është shprehur ai.

Sipas Zogajt, opozita duke u përpjekur ta bënte horë Kurtin, i bëri nder dhe kjo do t’i kushtojë.

“Opozita e përpoq ta bënte horë Albin Kurtin, por në mënyrën si veproi, i bëri nder, sepse, shumica e atyre që u thanë, kishin të bënin me qeverisjen e kaluar! Prandaj, opozita e nisi keq dhe kjo do t'i kushtojë shumë sepse, ishte zhgënjyese për vetveten e saj”, ka deklaruar Skënder Zogaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat