Hoti kërkoi liberalizimin e vizave në Bruksel, por njohësi i Integrimeve Evropiane i kundërpërgjigjet: Luftojeni krimin pastaj kërkoni vizat!

Politika

Hoti kërkoi liberalizimin e vizave në Bruksel, por njohësi i Integrimeve Evropiane i kundërpërgjigjet: Luftojeni krimin pastaj kërkoni vizat!

Nga: G.B Më: 12 shtator 2020 Në ora: 15:28
Avdullah Hoti

Pritjet dhe shpresat për qytetarët e Kosovës, për të dalë nga izolimi dhe se janë zbehur.

Kjo, pasi BE vazhdon të mos liberalizojë vizat për të udhëtuar në zonën Shengen.

Këtë kërkesë e ka pasur së fundmi kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti për zyrtarët në Bruksel, gjatë vizitës së tij zyrtare.

Derisa në Kosovë deklarojnë se janë përmbushur kriteret për liberalizim të vizave, shtete të BE-së ende janë kundër kësaj.

Se sa ka shpresë që liberalizimi i vizave të bëhet gjatë qeverisjes Hoti, njohësi i çështjeve për integrime evropiane, Sami Blakaj ka thënë për gazetën "Bota sot" se premtimi për viza është bërë traditë për secilin kryeministër dhe ky është bërë i neveritshëm për qytetarët e Kosovës që përballen me një gjë të tillë prej vitesh.

Image
Sami Blakaj

"Premtimi për liberalizimin vizave për Kosovën siç duket është bërë traditë për secilin kryeministër dhe qeverisjen e tij. Mbase një fjalor i tillë politik tashmë është bërë i neveritshëm për qytetarët kosovarë të cilët me vite të tëra po ballafaqohen me premtimet për heqjen e vizave, përderisa të njëjtit vazhdojnë të qëndrojnë me ditë e orë të tëra para ambasadave të huaja në pritje për marrjen e një vize të thjeshtë, qoftë ajo edhe vizë për vizitë apo bashkim familjar", është shprehur ai.

Sipas Blakajt, Hoti dhe secili kryeministër duhet që premtimet t'i zëvendësojë me veprime konkrete që lehtësojnë jetën e qytetarit.

"Prandaj marrë parasysh gjendjen e rëndë ekonomike në vend dhe nevojën e të rinjve për lëvizje të lirë drejt BE-së, konsideroj se Kryeministri Hoti, por edhe secili kryeministër i ardhshëm i Kosovës premtimet deklarative duhet t‘i zëvendësojnë me veprime konkrete që lehtësojnë jetën e qytetarit", ka vlerësuar ai.

Blakaj thekson se këto veprime janë luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, nepotizmit që është prezent në nivelet më të larta shtetërore, abuzimet me paratë publike etj.

"E veprimet konkrete nga të cilat varet e ardhmja e Kosovës, por në këtë rast edhe liberalizimi i vizave është luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, nepotizmit që është prezent në nivelet më të larta shtetërore, abuzimet me paratë publike etj", ka thënë ai.

Sipas tij, pa këto gjëra nuk mund të ketë zhvillim ekonomik për Kosovën e as perspektivë evropiane.

"Mendoj se pa luftimin serioz të dukurive të tilla negative dhe pa dhënien e rezultateve konkrete në sundimin e ligjit, nuk do të ketë jo vetëm perspektivë evropiane por as edhe zhvillim ekonomik për Kosovën", ka deklaruar Sami Blakaj për "Bota sot".

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat