Vjen parashikimi: Ja pazari i madh Thaçi-Mustafa - PDK e merr kryeministrin, ky është presidenti i ri i Kosovës

Politika

Vjen parashikimi: Ja pazari i madh Thaçi-Mustafa - PDK e merr kryeministrin, ky është presidenti i ri i Kosovës

Nga: P.R Më: 1 tetor 2020 Në ora: 14:16
Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa

Njëri ndër njerëzit më të fuqishëm në PDK, kryetari i Degës së kësaj partie në Skenderaj, Sami Lushtaku ka paralajmëruar se nëse PDK bëhet pjesë e qeverisë Hoti, ajo do ta marr postin e presidentit ose të kryeministrit.

“Për t’u bërë pjesë e pushtetit ne duhet ta marrim ose kryeministrin ose presidentin”, ka thënë Lushtaku, duke pranuar se në PDK kanë diskutuar për përfshirje ose jo në qeveri, por end nuk kanë marrë vendim.

E ditë më parë, ishte edhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ai i cili tregoi se i kanë hequr ‘vijat e kuqe’ ndaj PDK-së, të cilat i kishin vendosur para zgjedhje të 6 tetorit.

E së LDK po shkon drejt një koalicioni me PDK-në e thotë edhe profesori i njohur, doktor Enver Bytyçi.

“Që ditën kur Isa Mustafa deklaroi se "Tashmë Lidhja Demokratike e Kosovës nuk vija të kuqe me Partinë demokratike", është ditur se kreu I LDK-së po fliste sipas një skenari, të cilin ia kishte dhënë presidenti Thaçi. Pazari i heqjes së vijave të kuqe është i njohur për ata që e ndjekin skenën politike dhe zhvillimet e saj. Ky Pazar e ka zanafillën te marrëveshja Thaçi-Mustafa e vitit 2014, me të cilën ata kanë ndarë rolin e presidentit. Thaçi, për ta garantuar këtë post, i ka premtuar Isës se pas tij, do të ishte ai pasues i presidentit të sotëm. Kjo është arsyeja pse Isa Mustafa bëri blofin në procesin e zgjedhjes së kryetarit të Lidhjes Demokratike, duke bllokuar kandidimet e të tjerëve dhe duke luajtur rolin "e shpëtimtarit" në minutën e fundit! Duhej të ishte kryetar i LDK-së që të mundësonte bashkë me Thaçin rikthimin e tij në zyrën e presidentit. Por nëse ndodh kjo, Kosova do të ketë një president infantil!”, thotë Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

Sipas tij, propozimi i aktakuzën ndaj Hashim Thaçit ka bërë që të hapet debati për një koalicion mes këtyre dy partive.

“Debati për një koalicion midis LDK-së dhe PDK-së ka lindur në momentin kur u shpall akt-akuza ndaj presidentit në detyrë, Hashim Thaçit. Ky i fundit u angazhua fort që në ditët e para për të garantuar vazhdimësinë e politikës së tij në Kosovë, d.m.th për të mbyllur abuzimet dhe shkeljet e rënda ligjore e kushtetuese gjatë ushtrimit të pushtetit si shef i ekzekutivit dhe si kryetar shteti. Ndoshta do të donte që atë ta pasonte një njeri I besuar I tij në PDK, por pas kësaj ai ka më shumë besim te Isa Mustafa sesa te Kadri Veseli! Isa foli disa herë për mundësinë e krijimit të një koalicioni midis tij dhe PDK-së. Dhe ai e di se në një koalicion të tillë i duhet të mbajë ose postin e kryeministrit, ose atë të presidentit. Kryeministrinë ia dha Abdullah Hotit. Por provizorisht. Sepse plani i tij është të marrë postin e presidentit dhe postin e kreut të ekzekutivit t'ia japë PDK-së. Ramush Haradinaj ia turbulloi ujërat, ndaj ai hoqi vijat e kuqe me PDK-në”, shprehet profesor Bytyçi.

MË tëj, ai ka thënë se midis Isa Mustafës dhe Thaçit e PDK-së nuk ka pasur asnjë sekondë vija të kuqe.

“Nëse kreu i LDK-së në fushatë elektorale i vendosi këto vija, kjo ishte thjesht një taktikë mashtruese e tij për elektoratin, me qëllim që të maksimalizonte votat e partisë së tij. Tani që fushata duket pak larg, por nuk është se nuk afrohet, ai hoqi dorë nga këto lloj vijash dhe i zëvendësoi me vijat e jeshile”.

Bytyçi ka shkruar se nëse PDK hyn në koalicion me LDK-në, atëherë ajo do ta ketë postin e kryeministrit, dhe jo atë të presidentit.

“Nëse do të funksionojë skema politike Thaçi-Mustafa, atëherë nuk pritet që postin e presidentit ta ketë Partia demokratike e Kosovës. Ajo do të ketë postin e kryeministrit. Presidencën e synon dhe e ka në axhendën e tij Isa. Kryeministër do të jetë Kadri Veseli, ose një i përzgjedhur tjetër nga radhët e Partisë Demokratike, tek i cili Thaçi ka besim më shumë sesa te Veseli. Kjo do të thotë se qeveria Hoti është një qeveri e përkohshme. Se kryeministri Hoti është dhe do të jetë një kryeministër një përdorimesh me afat më pak se njëvjeçar”, deklaron Bytyçi për “Bota sot”.

“Ujqit e politikës së Kosovës janë shumë aktivë. Dy dinozaurët e saj, Thaçi dhe Mustafa, ndonëse në publik nuk kanë asnjë fuqi, kanë krijuar fuqinë e mafies politike dhe posedojnë armët më të fuqishme të politikës së frikës dhe presionit, siç janë lidhjet nepotike, favoret politike dhe afariste, përdorimi I parave publike për të krijuar rrethin mafioz të mbështetjes financiare dhe kriminale e për pasojë kanë siguruar mbështetjen e armikut numër një të Kosovës, Serbisë. Të tillë politikanë Serbia I ka mbështetur dhe do t'i mbështesë sa të jetë jeta. Sepse politikanët e korruptuar dhe inkriminuar janë të shantazhueshëm. Kaq do Serbia në Kosovë. Ta ketë shansin dhe mundësinë që ta shantazhojë kreun e shtetit dhe kreun e ekzekutivit. Pastaj ajo nuk e ka të vështirë t'i realizojë të gjithë skenarët anti-shqiptarë në Kosovë”.4

Bytyçi shprehet se Hoti është i vetëdijshëm se kurthi për rrëzimin e qeverisë së tij është i planifikuar nga dyshja Thaçi-Mustafa.

“Se PDK kërkon me çdo kusht njërin nga këto dy poste, këtë nuk e shpreh vetëm Sami Lushtaku. Kjo duket edhe nga deklaratat e Kadri Veselit dhe të Avdullah Hotit. Në deklaratat e Veselit lexohet qartë kërkesa e tij ndaj Mustafës, e cila përkthehet në formulën: "Mirë ne do të vijmë në koalicion me ju, por ju çfarë na ofroni ne"!? Synimi i Kadri Veselit është që ofertën ta bëjë Isa Mustafa dhe ajo të mos dalë si kërkesë e Partisë Demokratike. Ndërsa kryeministri Hoti kërkon që "vijat e kuqe", nëse hiqen me PDK-në, të mos hiqen ndaj presidentit të vendit, Hashim Thaçit. Edhe në këtë rast del qartë kontradikta. Hoti është i vetëdijshëm se kurthi për rrëzimin e qeverisë së tij është i planifikuar nga dyshja Thaçi-Mustafa. Në pamundësi për t'iu kundërvënë Mustafës, ai publikisht atakon me të drejtë Thaçin. Por jam I bindur se deklarata e kryeministrit e ka ithtuar kreun e Lidhjes Demokratike, i cili beson se është patriark i LDK-së dhe se të gjithë sa janë në atë parti duhet të marrin frymë nga gabzherri i tij!”, nënvizon Byytyçi për “Bota sot”.

“Përfundimisht mund të them se nuk ka më dilemë kush të jetë president dhe kush kryeministër. Rolet janë ndarë. Hashim Thaçi do të shkojë në Hagë. Presidenti dhe Mustafa nuk duan që Vjosa Osmani të ushtrojë detyrën e presidentit të përkohshëm. Prandaj po punojnë për skemën e koalicionit LDK-PDK dhe ndarjen e dy posteve kryesore të shtetit midis tyre, sipas dëshirës se zotit Thaçi. Nëse bashkohen Vjosa Osmani, Avdullah Hoti, Ramush Haradinaj dhe Albin Kurti skema prishet. Dhe nëse politika e qytetarët e Kosovës duan prosperitet dhe ardhmëri duhet të bëhen bashkë për ta prishur këtë skemë serbe në ndërtimit të institucioneve dhe të drejtimit të tyre në Kosovë!”, përfundon për gazetën “Bota sot”, profesori i njohur, doktor Enver Bytyçi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat