Përplasja në Kuvend, analisti politik: Kuvendi i Kosovës është bërë arenë gladiatorësh

Politika

Përplasja në Kuvend, analisti politik: Kuvendi i Kosovës është bërë arenë gladiatorësh

Nga: A.SH Më: 19 nëntor 2020 Në ora: 21:07
Kuvendi i Kosovës

Sot në seancën plenare përveç diskutimeve të shumta pati edhe përplasje mes deputetëve të LDK-së dhe VV-së.

Analisti politik, Skënder Mulliqi në një prononcim për “Bota sot”, ka komentuar situatën që ndodhi në Kuvend.

Sipas tij, kuvendi është mbushur me njerëz jo të përgatitur profesionalisht dhe moralisht për politikë dhe një farë mënyre Kuvendi është bërë arenë gladiatorësh, “Klub Cirku”.

“Ka shumë kohë që kjo klasë politike ka dështuar. Na është mbushur kuvendi me njerëz jo të përgatitur profesionalisht dhe moralisht për politikë. Edhe qeveritë janë bërë vend për punësime të ilakave dhe militantëve të ndryshem partiakë. Kuvendi i Kosovës është bërë arenë gladiatorësh, është bërë siç e them shpesh, “Klub Cirku”. Sa e sa zënka dhe përplasje, madje deri të ato fizike, pamë gjatë këtyre viteve në Kuvendin e Kosovës, si institucioni më i lartë i shtetit”, thotë Mulliqi.

Ai thotë më tej se, zënkat dhe incidentet e kanë kaluar tashmë shumë herë normalen.

“Zënkat dhe incidentet e kanë kaluar tashmë shumë herë normalen. Këta kanë “harruar” misionin për çka janë aty, kanë harruar se janë përfaqësuesit e popullit, për të sjellë ligje në dobi të qytetarëve të vendit. Kjo qeveri është duke mos pasur mundësi të funksionimit, kur brenda një harku kohor shumë të shkurtër, nuk po arrihet që të legjitimohet në kuvend Ligji për Rimkëmbjën Ekonomike aq i nevojshëm për kategorit e rrezikuara nga pandemia, e cila ka marr përmasa shqetësuese. Si nuk kanë pakëz inati nga armiqët tanë shekullor, nuk po kanë ndjenjën e përgjegjesisë, për sjelljet e tyre publike, kur çdo ditë po vdesin njerëzit nga COVID 19. Kjo kastë politike e pas luftës e ka dhi punën me ka krejt siç e ka thënë edhe ish-ambasadorja e Amerikës në Kosovë, Jakobson. Është koha për një zgjim të ri, për një vetëdije të re kombëtare, nëse dojmë të shpëtojmë qerren, e cila po rrokulliset për në humnerë!”, shprehet Mulliqi.

Ai shprehet se, Kuvendi dhe kjo qeveri e pakicës përfundimisht e ka humbur legjitimitetin

“Mjaft pamë shfaqje teatrore të turpit në Kuvendin e Kosovës, pikërisht kur për temë ishin të pagjeturit e luftës në Kosovë. Sikur në Kosovën e pas luftës liria është kuptuar që secili mund të bëjë çka të që don duke mos respektuar asnjë kod moral dhe ligj. Po shihet së ky Kuvend dhe kjo qeveri e pakicës përfundimisht e ka humbur legjitimitetin. Populli nuk ka nevojë për kuvendarë të cilët nuk janë në gjendje të marrin vendime të mira, ose marrin vendime të gabuara për shtet dhe qytetarët e saj”, përfundon Mulliqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat