Presidenti i takon LDK-së!

Politika

Presidenti i takon LDK-së!

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 5 dhjetor 2020 Në ora: 16:24
Isa Mustafa

Në muajin prill pritet që të zgjidhet presidenti i ri vendit. Tani në krye të saj është Vjosa Osmani, e cila është si ushtruese e detyrës.

Për këtë pozitë kanë shprehur ambiciet e tyre liderët e partive të koalicionit, si ish kryeministri Ramush Haradinaj, si dhe është përmendur edhe kreu i Nismës socialdemokrate, Fatmir Limaj.

Edhe pse ka tashmë disa muaj që është përfolur se kandidat i mundshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, do të jetë Isa Mustafa.

Por, ky i fundit, në një intervistë televizive është shprehur se nuk ka ambicie për postin e presidentit.

Ai nuk ka dhënë ndonjë informata se kush do të ishte kandidat për president.

Siç u patë deklaruar më parë nga zyrtarë të kësaj partie se pozita e kryeministri duhet kaluar nga zyrat e LDK-së, ashtu po përflitet edhe për postin e presidentit.

Ndërkaq, nëse LDK-ja do të bie dakord me partnerët e saj për postin e presidentit do të ishte hera e tretë që një zyrtarë i kësaj partie do ta udhëhiqte presidencën.

I pari që e mbajti postin e presidentit ishe presidenti historik Dr Ibrahim Rugova, ndërkaq, i dyti nga LDK-ja ishte Fatmir Sejdiu.

Lidhur me këtë pozitë ekspertët kanë dhënë mendime të ndryshme se kush do të ishte kandidati i mundshëm i LDK-së për president, duke përshirë këtu Isa Mutafën, si dhe Kujtim Shalën.

Zgjedhja që ofron zgjidhje, LDK-së, Presidenti!

Njohësi i çështjeve politike, Fatmir Bajraj, në një prononconim për “Bota sot” është shprehur se ky muaj i fundit për vitin 2020 është afati i fundit për t'i ofruar vendit një kandidaturë konsensuale për president.

Image
Fatmir Bajraj

“Dhjetori është afati fundit për klasën politike të vendit për t'i ofruar vendit një kandidaturë konsensuale e cila do merrte besimin dhe suportin e partive parlamentare përmes votës në Kuvend, ashtu siç e sanksionon Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe neni 86 i saj!

Bashkëpunimi dhe përafrimi i Qeverisë Hoti dhe i PDK-së opozitare në votimin e Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, jep sinjalin shpresëdhënës së më në fund, klasa politike po bëhet gjithnjë e më koshiente për rolin dhe misionin historik të saj në këto kohë kruciale për fatin e vendit, sjellje kjo e cila me gjasë do kurorëzohet me zgjerimin e koalicionit qeverisës me PDK-në, dhe evitimin e zgjedhjeve të të jashtëzakonshme të cilat nuk garantojnë zgjidhje të krizës politike por riciklim të saj.

- LDK-ja si lidere e qeverisjes dhe e koalicionit, duhet t'i rezervoj PDK-së, ofertën e arsyeshme në bashkëqeverisje, që nënkupton; ndarjen e përgjegjësive kushtetuese me ç`rast, pozita e presidentit duhet dakordësuar dhe balancuar me përgjegjësi në ekzekutiv”, ka thënë ai për “Bota sot”.

LDK, të mendoj edhe me tru dhe jo vetëm me zemër!

Për më tepër, Bajraj është shprehur se LDK-ja është e vetmja parti që ka bërë koncesione politike karshi partnerëve qeverisës, duke përmendur se kjo i ka kushtuar shumë kësaj të partie.

“Historikisht dhe tradicionalisht, LDK-ja ka qenë kooperative, zemërgjerë dhe e vetmja që ka bërë koncesione politike karshi partnerëve qeverisës, dhe kjo sjellje dhe kulturë politike, i ka kushtuar LDK-së, dhe vendit, ngase partneret e saj, asnjëherë nuk u sollën me të njëjtën qasje dhe kulturë politike, përkundrazi!.

PDK-ja, njihet si subjekt e cila shkelë marrëveshjet, thyen premtimet dhe ikë njëanshëm nga partneriteti dhe e dërgon vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme për kauzën e vetme ; ruajtjen ose forcimin e pushtetit për vete dhe kastën në shtetkapje.

Pas zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit 2019, rotacionit të pushtetit në Shtëpinë e Bardhë në janar të vitit të ardhshëm dhe përballjen me Pandeminë me Covid 19, Kosova nuk ka komoditetin e shkuarjes në zgjedhje të cilat edhe ashtu janë të kushtueshme dhe të cilat nuk sjellin zgjidhje por thellim të krizës dhe prolongim të proceseve nëpër të cilat po kalon vendi”, ka thënë ai për “Bota sot”..

Pse LDK, duhet ta marr Presidentin?

Më tej, Bajraj ka thënë se LDK dhe lidershipi i saj aktual duke llogaritë dhe kalkuluar hilet e partnerëve, ngase çdo zgjidhje që Presidenti të mos jetë i LDK-së, vendin e futë në krizë permanente

“Për të vetmen arsye; LDK është e interesuar fort për stabilitetin e institucioneve, menaxhimin e gjendjes me Pandeminë dhe shtyrjen para të proceseve politike; integruese, shtetndertuese dhe Dialogut me Serbinë për njohje reciproke, për çfarë, nuk është rasti me pjesën tjetër të spektrit politik dhe sidomos me PDK-në, e cila do ta inicionte mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së drejtuar nga LDK-ja, posa të kapte pozitën e presidentit dhe eventualisht kalimin e Ligjit të iniciuar nga ajo, për kinse Mbrojtjen e Vlerave të Luftës, vlera të cilat nuk janë atakuar kurrë dhe nga askush.

Kësaj radhe, LDK dhe lidershipi i saj aktual, duhet të mendojnë mirë, duke llogaritë dhe kalkuluar hilet dhe intrigat e partnerëve të cilët premtojnë e s'mbajnë fjalën, ngase çdo solucion që Presidenti të mos jetë i LDK-së, vendin e futë në krizë permanente dhe ricikluese...!”, ka theksuar ai për “Bota sot”.

Ndërsa sa i përket deklaratës së Mustafës, Bajraj shprehet se kandidat për postin e presidentit do të duhet të ishte Kujtim Shala.

“Pasi që, akademik Isa Mustafa, Kryetar i LDK-së, nuk ka shfaqë interesim për pozitën e Presidentit, atëherë LDK-ja duhet të ofroj: Akademik Kujtim Shala, kandidaturë superiore për President të vendit! LDK-ja, ka në mesin e vetë, njerëz të dijes, mendjes dhe shkencës, nga bota akademike, të shquar edhe në artin e politikes dhe poltikëbërjës, të spikatur në guximin intelektual, në vizion dhe në invencion të cilët janë në numër të konsiderueshëm që siguron një përzgjedhje cilësore të kualifikuar”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, ai i ka thënë arsyet se pse Shala do të duhet të ishte kandidati i LDK-së për president.

“Akademik Kujtim Shala, është ma i miri ndër të mirët, personaliteti kulturo-shkencor dhe nacional-politik, dhe i cili tejkalon përmasat kombëtare dhe rajonale.

Afirmimi i tij në skenën politikë të vendit, si intelektual i mirëfilltë me orientim të djathtë euro-perëndimor dhe mbi të gjitha, si promovues besnik i vlerave sublime të filozofisë dhe urtisë Rugoviane, e bëjnë akademik Kujtim Shalën, kandidat unik dhe të respektuar edhe nga oponentët.

Akademik Kujtim Shala, në pozitën e Presidentit të vendit, do t'i rriste prestigjin dhe reputacionin zyrës së Presidentit, dhe do të ishte një president unifikues dhe i gjithë qytetarëve të Republikës”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Mustafa president?

Image
Gani Qarri

Ndërkaq, analisti tjetër politik, Gani Qarri mendon se Mustafa po punon që të jetë president i vendit, përkundër që po e mohon këtë.

“Në fakt dhe nuk është e habitshme se si ai edhe tani, serish po deklarohet se kinse nuk ka ambicie të kandidojë për president, ndërsa prapa kulisave, përgatitet intensivisht për realizimin e kësaj ëndrre të kahershme dhe të papërsëritshme jetësore të tij, të cilën ai realisht nuk do të ketë më kohë, rast as mundësi të dytë, ta realizojë edhe një herë tjetër. Për aq më tepër, kreu aktual i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa edhe në kohën kur bëheshin përgatitjet për zgjedhjen e kryetarit të LDK-së, kishte deklaruar, madje sipas Fatmir Sejdiut, për ta vënë atë tërësisht në gjumë, Isa Mustafa edhe ishte betuar në "kokë të fëmijëve" para tij, se as që mendonte të kandidonte për kryetar, ndërsa prapa shpine kishte përgatitur terrenin, që të bëhej vet i pari i LDK-së, post të cilin siç jemi të gjithë në dijeni, nga atëherë e deri më sot, e mbanë ky vet.

Njëjtë edhe tani ai bënë sikur deklaron publikisht se kinse nuk ka ambicie as për postin e presidentit, por pas arrestimit të Hashim Thaçit, Isa Mustafa jo vetëm që nuk ka gjë tjetër në kokë, por natë e ditë punon prapa kulisave se si ta eliminojë edhe kandidaturën e Ramush Haradinajt, që për momentin është kandidati i vetëm potencial, i cili mund t`ia rrezikojë këtë post, në mënyrë që të krijojë rrethanat për të ardhur vet edhe në pozitën e të parit të shtetit. Ndaj prononcimet që jep herë pas here se kinse nuk është i interesuar, janë vetëm shprehje mashtruese deklarative të tij, për ti vonuar e vënë në gjumë të tjerët dhe sjellë edhe ata para aktit të kryer, njëjtë si Fatmir Sejdiun dikur, derisa ti rregullojë punët për marrjen, ai vet personalisht edhe të postit të presidentit”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Sa i përket kandidatit nga LDK-ja për president, Qarri mendon se LDK-ja duhet t`i bëjë ftesë Edita Tahirit që të rikthehet në parti dhe ta kandidoj për këtë pozitë.

“Përndryshe në LDK, aktualisht nuk shohë ndonjë kandidatë serioz e me potenciale bindëse për president, përveç faktit, nëse i bëhet ftesë zonjës Edita Tahiri të kthehet në LDK dhe të kandidojë për presidente të vendit në emër të kësaj partie, si një kandidate mjaft e ngritur intelektualisht, me përvojë të gjatë politike dhe dialoguese e suksesshme në procesin e bisedimeve me Serbinë”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Më tej, Qarri i ka numëruar arsyet se pse Tahiri do të duhej të ishte kandidate e LDK-së për postin e presidentit.

“Edita Tahiri ishte ajo e cila, si ish zëvendëskryeministre e parë e Qeverisë, u emërua qysh në fund shkurtin e vitit 2011,udhëheqëse e delegacionit të Kosovës për dialog me Serbinë, në të cilin ajo arriti që të realizojë shuarjen e strukturave paralele serbe në veri, shtrirjen e sovranitetit në tërë territorin e Kosovës, veçanërisht në pjesën veriore të Kosovës, e cila ishte kthyer në arenë të ndërhyrjeve nga Serbia, vënien e kufijve ndërshtetëror dhe vendosjen e pikave kufitare me Serbinë në veri të vendit, forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe shtimin e njohjeve të pavarësisë së Kosovës, realizimin e telefonisë shtetërore të Kosovës etj, e cila do të dinte ta unifikonte faktorin politik dhe ti printe edhe shtetit tonë të ri, si duhet”, ka përfunduar ai për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat