Etem Arifi kishte mandat, e ka ushtruar lirshëm postin e deputetit – Kuvendi u njoftua me vonesë për vendimin

Politika

Etem Arifi kishte mandat, e ka ushtruar lirshëm postin e deputetit – Kuvendi u njoftua me vonesë për vendimin

Arife Morina Nga Arife Morina Më 6 dhjetor 2020 Në ora: 08:23
Kuvendi i Kosovës

Vota e Arifit ishte vendimtarja që bëri të mundur ngritjen në pushtet të Avdullah Hotit, është konsideruar si e pavlefshme nga Lëvizja Vetëvendosje për shkak se ky i fundit është dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë për mashtrim në subvencione.

Për vlefshmërinë e votës së deputetit Etem Arifi, me dy dhjetor në Gjykatën Kushtetuese u mbajt një seancë, e cila zgjati 5 orë.

Kryetarja e Kushtetueses, Arta Rama-Hajrizi njoftoi se palët kanë kohë deri me datë 7 dhjetor të përcjellin me shkrim argumentet që janë dhënë sot.

“Palët kanë mundësi që argumentet që i kanë prezantuara ti dorëzojnë edhe me shkrim pranë Gjykatës, nuk janë të obliguar por mund ta bëjnë deri me datën 7 dhjetor, këto argumente që janë adresuar sot. Ne sot e kemi pranuar një shkresë nga avokati Berisha përmes emailit ku ka dërguar një përmbledhje vetëm që të jemi të qartë, ajo është përmbledhje e argumenteve të sodit”, ka thënë ajo.

Tutje, Kryetarja e Gjykatës tha se në ditët në vazhdim do të merret vendimi.

“Për njoftim do të njoftohen palët dhe publiku. Tash Gjykata Kushtetuese do të tërhiqet edhe në ditët në vijim do të mblidhet në seancën për këshillim dhe votim ku do të vendos për cështjen, Palët do të informohen me kohë”, tha Rama-Hajrizi.

Derisa kishte shumë reagime kundër vlefshmërisë së votës së deputetit Etem Arifi, kështu nuk mendoi avokati Besnik Berisha.

Berisha, insiston se vendimi për votimin e Qeverisë së Kosovës është i pakontestueshëm dhe vota e deputetit të dënuar me burg, Etem Arifit është e ligjshme.

Burjani: Vlefshmëria e votës së Etem Arifit, një nga rastet më të çuditshme që ka ndodhur në Kosovë

Blerim Burjani, njohësi i çështjeve juridike gjatë një prononcimi për gazetën “Bota sot”, rastin e Etem Arifit e cilësoi si një nga rastet më të çuditshme që ka ndodhur në Kosovë.

Ai tha se kjo ka ardhur si pasojë e mos koordinimit të institucioneve shtetërore.

Image
Blerim Burjani

“Gjykata kushtetuese pas seancës dëgjimore do të merr vendime, ky është një nga rastet më të çuditshme që ka ndodhë. Që nga janari njeriu ka ushtruar postin e deputetit në mungesë të legjislacionit dhe koordinimit në mes institucioneve”, deklaroi Burjani.

Në vazhdim, Burjani vlerësoi se kuvendi është njoftuar me vonesë për këtë vendim, pasi disa qeveri janë votuar nga ky person.

“Kuvendi është njoftuar me vonesë në muajin maj të këtij viti pasi që disa qeveri të deritashme janë votuar nga ky person, pra tash gjykata duhet të konstatoj postin e deputetit dhe a ka qenë deputet apo jo.

Ai ishte deputet me mandat të plotë të veprimit, pra ai ka ushtruar postin e deputetit lirshëm dhe pa iu marr mandati”, theksoi Burjani.

Në fund, Burjani tha se nuk pret që ky rast të kthehet në pikën zero, por gjykata do të ketë një verdikt final. Ani pse, sipas tij gjykata nuk ka kompetencë për të u marrë me përgjegjësi të institucioneve tjera.

“Nuk do të ketë kthim ne zero, por do të ketë verdikt që gjykata nuk është kompetente për të u marrë me përgjegjësi të institucioneve tjera”, përfundoi Burjani.

Kelmendi: Fati i Qeverisë Hoti varet nga vendimi i Gjykatës Kushtetues

Ndërsa, njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi në një prononcim për gazetën “Bota sot” tha se nga momenti kur Etem Arifit, iu ka marrë mandati nga KQZ-ja, Qeveria aktuale është jo ligjore.

Image
Muhamet Kelmendi

“Juridikisht Qeveria Hoti nga momenti kur Etem Arifit për shkak të dënimit iu ka marrë mandati nga KQZ-ja, është jo ligjore. Kjo d.m.th. se kjo Qeveri nuk i ka numrat në Kuvend prej 61 deputetëve për të funksionuar”, deklaroi Kelmendi.

Ai tha se në raste të kësaj natyre, Qeveria duhet të dal në rivotim dhe në rast se i merr votat e mjaftueshme vazhdon punë, nëse jo vendi duhet të shkoj në zgjedhje të jashtëzakonshme

“Në raste të tilla, del kjo Qeveri në rivotim në Kuvend për të shikuar ligjshmërinë e saj. Nëse i merr votat e vazhdon punën. Në të kundërtën kërkohet të jap dorëheqje qeveria dhe të shpallen zgjedhjet”, nënvizoi Kelmendi.

Kelmendi, vendimin e KQZ-së e cilësoi arsyen kryesore se pse kjo çështje ka shkuar në Kushtetuese. Sipas tij e tërë rrjedha e punës së Qeverisë Hoti varet nga Kushtetuesja,

Kelmendi nuk e përjashtoi mundësinë që gjykata të vendos në favor të Qeverisë aktuale dhe vazhdimit të punës së saj në Kuvend.

“Se pse çështja ka shkuar në Gjykatën Kushtetuese vjen nga fakti i vendimi të KQZ-së. Pala e ka paditur KQZ-në këtë gjykatë dhe tash kjo gjykatë i dëgjon palët dhe vendos mbi vendimin e KQZ-së. Pra, nëse anulohet vendimi i i KQZ-së dhe mbetet Etem Arifi ende deputet e vazhdon punën Qeveria.

Por, nëse refuzohet padia dhe vërtetohet vendimi i KQZ-së, deputeti Arifi vazhdon të jetë i shkarkuar dhe Qeveria Hoti duhet të dal para kuvendarëve për të fituar besimin me vota”, theksoi Kelmendi.

Sipas Kelmendit, vazhdimi i punës së Qeverisë Hoti apo edhe mbajtja e zgjedhjeve të reja, varet nga verdikti final i Kushtetueses.

“E tërë çështja tash varet nga verdikti i Gjykatës Kushtetuese. Mbi atë vazhdon punën Qeveria ose shkarkohet me vota dhe shkohet në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat