U akuzua si bashkëpunëtor i Kurtit, autori që hartoi raportin e PE-së i kundërpërgjigjet për “Bota sot” Mustafës

Politika

U akuzua si bashkëpunëtor i Kurtit, autori që hartoi raportin e PE-së i kundërpërgjigjet për “Bota sot” Mustafës

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 7 dhjetor 2020 Në ora: 16:39
Albin Kurti

Një studim prej 103 faqesh i publikuar në faqen zyrtare të Parlamentit Evropian me titull “Hartimi i Lajmeve të Rreme dhe Dezinformimi në Ballkanin Perëndimor dhe Identifikimi i Mënyrave efektive kundër tyre”, ka përfshirë edhe Kosovën në dy faqe.

Sipas dokumentit me autorë Samuel Green, Gregory Asmolov, Adam Fagan dhe Borjan Gjuzelov, thuhet se fenomeni i dezinformimit në Kosovë ka pasur ndikime të drejtpërdrejta politike që shkaktuan edhe rënien e qeverisë së Albin Kurtit.

"Vet koalicioni ishte jetëshkurtër dhe u rrëzua nga një operacion dezinformues amerikan”, thuhet në studimin e publikuar, të porositur për nevojat e Komitetit të Politikës së Jashtme të PE (AFET).

Në dokument përmenden edhe media të caktuara me ndikim në Kosovë, si dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa dhe ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

“Mesazhet në rrjetet sociale që vinin nga Mustafa dhe Veseli, posaçërisht kanë nxitur mashtrimin e aferës Grenell”, thuhet në dokument.

Ky studim ka nxitur reagimin edhe të kryetarit të LDK-së Isa Mustafa, i cili e ka quajtur këtë “manipulim”. Ai ka paralajmëruar hapa për të hedhur poshtë gjetjet e këtij studimi.

“"Studimi" i bashkëmendimtarëve të Albin Kurtit është manipulim! Meqë ky "studim" qenka bërë për nevojat e Komitetit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, si kryetar i LDK-së, do t'u drejtohem partive simotra të LDK-së në EPP (Partitë Popullore Evropiane) me sqarimet e nevojshme për ta hedhur poshtë këtë "studim" tendencioz dhe të motivuar ideologjikisht ndaj LDK-së”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Adam Fagan, njëri nga autorët e këtij studimi, është akuzuar në Kosovë se është bashkëpunëtor i Kurtit. Por, Fagan, profesor në Kolegjin “King’s London”, ka mohuar se ka shkruar pjesët për Kosovën në këtë raport.

Fagan ka deklaruar se ai ka përgatitur pjesë të raportit. Mirëpo, profesori britanik ka thënë se mbështet gjetjet e këtij studimi.

“Unë jam vetëm një anëtar i një ekipi nga Kolegji “King’s London” që përgatiti raportin. Kam shkruar pjesë të caktuara të raportit, por jo pjesët për Kosovën. Sidoqoftë, unë padyshim që mbështes gjetjet e raportit dhe argumentin e bërë në të”, ka deklaruar Adam Fagan për “Bota sot”.

Image
Adam Fagan

Në studim përmendet edhe i dërguari i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi Richard Grenell.

“I frustruar nga ajo që ai e pa si pengesë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ambasadori Grenell si duket aranzhoi që senatori David Perude dhe djalin e presidentit amerikan, Donald Trump Jr. të bënin një deklaratë në Twitter që sugjeronte se trupat amerikane do të tërhiqeshin nga Kosova. Ambasadori Grenell vazhdoi ta mbante këtë kërcënim – i cili nuk ishte bërë nga asnjë zyrtar amerikan – në negociatat me partnerët e koalicionit të Kurtit, duke bërë që të ngrihej një mocion mosbesimi që rrëzoi Qeverinë Kurti. Kjo lëvizje gjerësisht është dënuar në Evropë, përfshirë edhe përmes një demarshi të përbashkët të ambasadorëve të Francës dhe Gjermanisë në Prishtinë. Ky shembull tregon se si një aktor i huaj ishte në gjendje të prodhonte një kërcënim krejtësisht të trilluar dhe në këtë mënyrë të shtynte drejt ndryshimit të qeverisë”, thuhet në studim./BS

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat