Heshtja e frikshme e LDK-së karshi Speciales!

Politika

Heshtja e frikshme e LDK-së karshi Speciales!

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 9 dhjetor 2020 Në ora: 12:26
Isa Mustafa dhe Lutfi Haziri

Gjykata Speciale me Seli në Hagë, e formuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015, e votuar nga PDK-ja, LDK-ja, Lista Serbe dhe një pjesë e AAK-së, ndërsa e kundërshtuar nga Lëvizja Vetëvendosje, ka filluar punën “intenzivisht” në këta tre muajt e fundit, shkruan gazeta “Bota sot”.

Specialja ka konfirmuar aktakuzat për disa nga figurat kyçe të politikës së Kosovës dhe UÇK-së, ndër ta Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Në aktakuzat e publikuara nga dhomat e specializuara, emrat e lartpërmendur akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë edhe vrasje, përveç keqtrajtimeve dhe abuzimeve.

Në këtë aktakuzë të Speciales, përmendet gjithsej 13 herë emri i LDK-së, ku thuhet se anëtarë të kësaj partie janë keqtrajtuar, e disa prej tyre edhe janë vrarë.

Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdimisht në vitet e fundit ka shfaqur viktimizim dhe ka përmendur në çdo fushatë vrasjet e anëtarëve të saj duke kërkuar drejtësi, por që tash këtë parti e ka kapluar heshtja karshi zhvillimeve të fundit.

Ndonëse emri i Lidhjes Demokratike të Kosovës është përmendur 13 herë, kjo parti nuk ka dalë në një konferencë për media për të sqaruar qëndrimin e saj lidhur me aktakuzën në të cilën përmenden anëtarët e vrarë të saj, si dhe qëndrimin për Gjykatën Speciale.

Zyrtarë të LDK-së, indirekt në intervista kur janë pyetur lidhur me Gjykatën Speciale këto ditë të fundit, janë shprehur me gjysmë zëri se nuk përzihen në punët e Speciales, por asnjëherë nuk kanë folur zyrtarisht në një konferencë lidhur me përmendjen e emrit të saj të aktakuzë, 13 herë gjithsej.

Gazeta “Bota sot” ka dërguar pyetje në adresën zyrtare elektronike të LDK-së lidhur me këtë çështje, mirëpo të njëjtit kanë zgjedhur prapë heshtjen.

I heshtur në pyetjen e gazetës “Bota sot” ka qenë edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i cili nuk i është përgjigjur gazetës.

Tahiraj: LDK ka shkelur parimet

Image
Saim Tahiraj

Ndërkaq, aktivisti i njohur i LDK-së dhe një ndër oficerët e parë të FARK-ut, Saim Tahiraj, për gazetën “Bota sot” ka komentuar këtë temë, ku thotë se përvoja na ka mësuar se LDK-ja ka bërë koalicion edhe me PDK-në, të cilën vazhdimisht e kishte akuzuar për vrasjen e aktivistëve të saj.

Sipas tij, kjo është arsyeja pse LDK-ja ka rënë poshtë në elektorat, duke i shkelur parimet e veta.

“Sikur të shiqojmë qëndrimet e anëtarësisë së LDK-së , në vazhdimsi kanë qenë shumë të vendosura kundër ç'do koalicioni dhe bashkpunimi me partitë që linden nga organizata politike e quajtur LPK , siq janë ; PDK, AAK , NISMA dhe më vonë VV ! Arsyeja kryesore ishte se bërdhama e shtabit të LPK-së i cili me dhunë mori pronësinë e luftës , u instalua në krye të këtyre partive duke i thirrur si parti të dalura nga lufta . E gjithë anëtarësia e LDK-së kishte drejtuar gishtin akuzues drejt këtyre personave si përgjegjësit kryesorë për vrasjet politike të figurave shumë të rëndësishme politike dhe ushtarake që i takonin LDK-së apo institucioneve përkatëse që i drejtonte LDK-ja ! Pavarësisht këtij qëndrimi parimor të anëtarësisë së LDK-së , strukturat drejtuese të partisë vepruan në kundërshtim të plotë me këto qendrime ! Të gjithë kryetarët dhe kryesitë e LDK-së shkelën këto qëndrime duke bërë koalicione jo parimore dhe në kundërshtim të plotë me vullnetin e anëtarësisë së sajë ! Këto koalicione i kushtuan shumë LDK-së sepse anëtarësia e sajë e dënoj shumë herë udhëheqjen me mos dalje në votime. Mu për këtë arsye LDK doli nga partia e parë në të dytën”, tha ai.

Lidhur me heshtjen e LDK-së karshi Speciales, ku në aktakuzën e këtyre të fundit përmendet 13 herë emri i LDK-së, Tahiraj thotë se është mirë që LDK-ja nuk po përzihet në punët e Speciales, por shton se kryetari i saj Isa Mustafa e bën të kundërtën, ku me deklaratat e tij po bie në kundërshtim me parimet e partisë.

“Qëndrimet e LDK-së ndaj Gjykatës Speciale vlerësoj që kanë qenë korrekte , së paku deri më tani . Deputetët e LDK-së e patën votuar këtë Gjykatë , gjithashtu tendencat për zhbërjen e sajë i kundërshtuan në vazhdimësi . Duke lexuar aktakuzën ku 13-të herë përmendet LDK , mendoj se është krejtësisht normale dhe duhet ta marrim me qetësi , madje në muajt në vazhdim LDK do përmendët shumë më shumë herë sepse ju kanë vrarë figurat më të rëndësishme të sajë . Edhe pse 13-të herë përmendët LDK , ajo po mbanë një qëndrim dinjitozë dhe shumë korrekt duke mos o përzi në punët e Gjykatës Speciale .Pushtetet janë të ndara dhe ne nuk përzihemi në punët e Gjykatës Speciale si pjesë e pandarë e sistemit të drejtësisë në Kosovë , deklaron në vazhdimësi Kryeministri Hoti . Kjo nuk vlen për kryetarin e LDK -së , fatkeqësisht. Ai bënë të kundërtën , me deklaratat e tij të pamatura bije në kundërshtim të plotë me qëndrimet e LDK-së . Deklaratat se besoj shumë në pafajësinë e të akuzuarve, janë paragjykime që konsiderohen ndërhyrje në ndarjen e drejtësisë të kësaj Gjykate . Gjithashtu janë edhe fyerje ndaj familjarëve të personave të vrarë . Qëndrimi i kryesisë së LDK-së duhet të jetë në vazhdimësi mos përzërja në organet e drejtësisë deri në vendimet përfundimtare të Gjykatës Speciale . Të bashkëpunoj dhe ta ndihmoj këtë Gjykatë me materiale dhe dëshmi nëse posedon . Në institucionet përkatëse ku është LDK ta mbroj fuqishëm ç'do tendencë për zhbërjen e sajë sepse jemi të bindur se është e vetmja Gjykatë që mundë ta sjellë drejtësinë në Kosovë , në vendin që i takon . Gjykatat tona fatkeqësisht kurrë nuk mundën të vendosin drejtësi dhe as që mundë të pritet edhe për një kohë sepse ishin dhe vazhdojnë të jenë ende nën kthetrat e bandave kriminale”, u shpreh Tahiraj.

Latifi: Speciales nuk duhet t'i bëjnë presion

Image
Haki Latifi

Veprimtari tjetër i LDK-së në diasporë, Haki Latifi, thotë për “Bota sot” se Gjykatës Speciale nuk duhet t’i bërë presion. Ai shton se LDK-ja vazhdimisht ka kërkuar drejtësi për viktimat.

“Konsideroj se tani është hapur një kapitull i ri i punës së kësaj gjykate speciale dhe duhet të gjithë të presim verdiktin e saj. LDK dhe familjarët e viktimave, me të drejtë vazhdimisht kanë kërkuar zbardhjen e vrasjeve të familjarëve apo funksionarëve të saj, por jo vetëm per funksionarët e LDK-së, por për të gjitha viktimat të cilat nuk janë ndriquar rastet deri më sot. Mendoj se, LDK si dhe subjektet tjera politike tani nuk kanë nevojë të bëjnë presion ndaj Gjykatës Speciale sepse konsiderohet si nderhyrje dhe presion ndaj kësaj gjykate. Mendoj se kjo sfidë duhet të përballohet me një kulturë të lartë qytetarie për të dëshmuar pjekurinë e shoqërisë sonë për të ndërtuar një shtet të së drejtës ku ligji vlen për të gjithë. Me gjykatën Speciale Kosova ka një rast të mirë për të hedhur dritë mbi një pjesë të kaluarës së saj të errët që ka të bëjë me periudhën e luftës çlirimtare nga Serbia, dhe kjo padyshim se do të ndihmoj edhe në dekriminalizimin e skenës politike, e cila I ka dhënë një imazh të keq vendit që nga paslufta”, tha Latifi.

Ai beson thellësisht në drejtësi dhe thotë se një individ duhet të cilësohet si i pafajshëm derisa të shpallet fajtor, teksa shton se do të jetë sprovë e madhe për Gjykatën Speciale.

“Unë besoj fuqishëm në drejtësi dhe në faktin se një individ duhet të cilësohet si i pafajshëm derisa të shpallet fajtor. Do të jetë një sprovë edhe për Dhomat e Specializuara tani, të sigurojë një gjyq që do të jetë i ndershëm, i paanshëm dhe i cili do të përmbushë standardet e së drejtës ndërkombëtare. Është temë e ndieshme pasi që asnjëherë të vetme nuk është shtruar për diskutim është krimi ndaj viktimave dhe vrasjet që kanë ndodhur. As edhe një fjalë se si ndihen familjarët e personave të vrarë, të zhdukur, për fatin e të cilëve prej dy dekadash, nuk ka përgjigje nga mekanizmat e drejtësisë së Republikës së Kosovës. Tash funksionimi i Dhomave të specializuara të gjykatës është fakt i kryer. Mendoj se të dyshuarit, të akuzuarit, dëshmitarët e të gjithë të tjerëve u mbetet të bashkëpunojnë në mënyrë që drejtësia ta kryejë punën e saj si duhet. Kujtoj se, Gjykata speciale për krime lufte do të duhej të bënte më shumë edhe për gjykimin e një politike gjenocidale të shtetit serb. Ku inisiativën dhe promotor i kësaj do të duhej gjithsesi të ishin shqiptarët e dëmtuar dhe viktima të gjenocidit serb, përkatësisht institucionet e drejtësisë të Republikës së Kosovës. Gjer më tani, këto gjykime nuk kanë treguar ndonjë rezultat të madh sa i përket dënimit të kryersve të krimeve të luftës, për arsye se ekzistojnë disa sfida me të cilat ballafaqohen këto procese, si sfida kryesore është mos bashkëpunimi mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Latifi.

Shala: Isa Mustafa po defetizon

Image
Shaip Shala

Ndërsa ish themeluesi i degës së LDK-së në Rahovec, Shaip Shala, tha për “Bota sot” se kjo heshtje e LDK-së karshi zhvillimeve të Speciales, vije për shkak të Isa Mustafës.

Sipas tij, Mustafës i mungon largpamësia.

“Heshtja e LDK-së ndaj zhvillimeve të fundit në Gjykatën Speciale mundet të komentohet vetëm si defetizmi i pikërisht i liderit të tyre Isa Mustafës, i cili vazhdimisht e akuzonte SHIK-un për vrasjet e aktivistëve të vet, ndërkaq kjo heshtje mund edhe të vlerësohet si droja e tij personale për rrjedhën e gjykimit të të akuzuarve, ndërkaq goditja e fundit për këtë ishte raporti i PE. Thjesht në këtë kontest i ka munguar dhe i mungon largpamësia Isës( Mustafa)”, u shpreh Shala për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat