“Përplasjet” e ashpra për postin e presidentit, flet avokati Tomë Gashi: Ja skenari që do bëhet nga PDK-ja dhe të tjerat për këtë post

Politika

“Përplasjet” e ashpra për postin e presidentit, flet avokati Tomë Gashi: Ja skenari që do bëhet nga PDK-ja dhe të tjerat për këtë post

Nga: G.B Më: 9 dhjetor 2020 Në ora: 17:31
Tomë Gashi

Posti i presidentit vazhdon të jetë çështja më aktuale.

Derisa nga AAK e duan Ramush Haradinajn për president ose bie qeveria, nga LDK thonë se posti u takon atyre, ndërsa PDK nuk do të votojë një emër tjetër për president, që nuk është nga kjo parti.

Lidhur me gjithë këtë, avokati Tomë Gashi ka thënë për gazetën “Bota sot” se vetëm në Kosovë ka një gjë të tillë që të kushtëzohet qeveria me këtë post dhe se Haradinaj e ka gjetur formulën pasi është pjesë e qeverisë.

“Vetëm në Kosovë dikush thotë ose unë president ose shkojmë në zgjedhje, kjo absolutisht nuk ndodhë askund në një shtet normal me qeveri stabile dhe me një qeveri të përgjegjshme siç nuk është qeveria Hoti.  Ramush Haradinaj e ka gjet formulën për qeverinë Hoti. Duke qenë edhe vet AAK pjesë e kësaj qeverie, e din shumë mirë se sa e dobët është kjo qeveri, e cila sot i ka jo më shumë se 59 deputetë.  Dhe po ashtu kjo qeveri i ka dy raste të hapura në Gj. Kushtetuese të dërguara nga LVV, për të vlerësuar ligjshmërinë e votave të dy deputetëve, njëri prej të cilëve gjendet në burg”, është shprehur ai.

Sipas Gashit, partitë tjera e dinë që po shkuan në zgjedhje do të fitojë VV dhe këtë nuk mund ta ndryshojnë edhe po të bëhen të gjitha bashkë.

“Është e vërtetë se deri më tani nuk kemi ndonjë kandidat tjetër që ka proklamuar kandidimin për president të Kosovës dhe duke e ditur se të gjitha partitë që janë në qeverinë Hoti, por edhe PDK e dinë se po shkuan në zgjedhje të parakohshme, do të humbin të gjithë ngase LVV është forcuar aq shumë dhe ka përkrahjen më të madhe deri më tani nga qytetarët e Kosovës, sa që ata e dinë se jo vetëm një nga një si parti politike por edhe nëse bëhen të gjithë bashkë, LVV prapë do t’i mundë, për shkak se tani është koha e Lëvizjes Vetëvendosje dhe askush këtë nuk mund ta ndryshojë pa marrë parasysh dëshirën e tyre të flaktë që të mbesin sa më tepër në pushtet me vullnetin e vjedhur të qytetarit të Kosovës që u shpreh me 6 tetor të vitit 2019”, ka vlerësuar avokati.

Ai shton se duke pasur lakminë për pushtet, partitë do të kenë një emër konsensual për president të Kosovës.

“Duke e njohur lakminë që e kanë për pushtet dhe pozita unë nuk besoj se partitë politike që janë në pushtet tani duke përfshirë edhe PDK do të gjejnë një emër konsensual për president të Kosovës pas arrestimit të ish Presidentit Thaçi dhe dërgimit të tij në Hagë”, ka theksuar Tomë Gashi.

Sipas tij, të gjitha këto situata janë që t’ia zgjasin pushtetin vetes por që janë të kota, pasi zgjidhja e vetme janë zgjedhjet dhe më pas duhet të gjendet kandidati për president.

“Të gjitha këto situata të krijuara nga keqpërdorimi i votës së qytetarit të Kosovës të tetorit 2019, që t’ia vazhdojnë jetën vetvetes janë të kota dhe të gjithë këta e dinë që zgjidhja e vetme janë zgjedhjet e parakohshme, e të cilat përsëri do ta kthejnë qeverinë Kurti në pushtet dhe pastaj do të gjendet një kandidat-kandidate, edhe jashtë strukturave politike aktuale që do të propozohet për President-Presidente të Kosovës e që do të paraqiste unitetin e qytetarëve të Republikës ashtu siç do duhej të jetë dhe siç është e paraparë edhe në Kushtetutën e Kosovës”, ka shtuar ai.

Gashi vlerëson se Haradinaj nuk mund t’i ketë votat e duhura për president por po luan lojën që t’i bëjë presion koalicionit dhe të bëjë zgjidhje në favor të tij, që nuk do ta ketë.

“Unë nuk besoj se Ramush Haradinaj mund të arrijë votat e duhura për tu bërë president i Kosovës por ai është duke luajtur lojën që t’i bëjë presion koalicionit qeveritar të tentojnë të bëjnë një zgjidhje në favor të tij, por zgjidhje të tillë nuk do të ketë”, ka deklaruar Tomë Gashi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat