Alarmohen Nisma, AKR-ja dhe PSD-ja – “pa Thaçin nuk e kalojnë pragun”

Politika

Alarmohen Nisma, AKR-ja dhe PSD-ja – “pa Thaçin nuk e kalojnë pragun”

Arife Morina Nga Arife Morina Më 31 dhjetor 2020 Në ora: 16:36
Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti

Vendimin e Kushtetueses për mbajtjen e zgjedhje të parakohshme u pranua nga të gjitha subjektet politike.

Partitë politike si Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë filluar mobilizimet e tyre brenda partisë dhe në degët e tyre lokale.

Mirëpo, Nisma Socialdemokrate (Nisma), Aleanca Kosova e Re (AKR) dhe Partia Socialdemokrate (PSD) janë zënë në huti pas vendimit për zgjedhje. Për shkak, se këto subjekte kanë një ulje të numrit të votuesve dhe kësisoj vështirësohet mundësia për të kaluar pragun zgjedhor prej 5 për qind.

Nisma Socialdemokrate i është ofruar PDK-së për formimin e një koalicioni parazgjedhor. Megjithëse negociatat dhe takimet ndërmjet partive kanë filluar, partia e drejtuar nga Enver Hoxhaj ende nuk i ka bërë një ofertë konkrete socialdemokratëve.

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj deklaroi se tashmë i mbetet PDK-së të bëjë hapin e radhës, për ta pranuar ose jo koalicionin parazgjedhor.

“Iu kemi ofruar ose kemi shprehur gatishmëri për të negociuar me PDK-në për të gjetur rrugë të bashkëpunimit. Ne kemi filluar negociatat, jemi takuar, nuk kemi asnjë ofertë konkrete. Tash i mbetet PDK të bëjë hapin e saj në drejtim të asaj që thashë”, tha Limaj.

Kurse, Naim Murseli, këshilltari i kryetarit të AKR-së, Behgjet Pacollit, ka deklaruar se Aleanca Kosova e Re nuk është në bisedime me asnjë parti tjetër politike.

“AKR nuk është në bisedime me asnjë parti politike lidhur me zgjedhjet e reja”, shkroi Murseli në rrjetin social Facebook, përcjell “Bota sot”.

Ndërsa, kreu i Partisë Social-Demokrate, Dardan Molliqaj javë më parë ka thënë se PSD-ja nuk do të hyjë në zgjedhje duke u bashkuar në koalicion me ndonjë parti tjetër.

“Nuk besoj se jemi të interesuar të hyjmë në koalicion para zgjedhjeve, pasi që PSD-ja nuk do të funksionojë më në kësi lloj forme”, deklaroi Molliqaj.

Njohësit e çështjeve politike hyrjen e këtyre partive në zgjedhje si të vetme i vlerësojnë si të rrezikshme dhe madje, paralajmërojnë edhe dështimin e kalimit të pragut. Shpëtimin e vetëm të AKR-së, Nismës dhe PSD-së i shohin koalicionet parazgjedhore me subjektet e mëdha politike.

Qarri: Pa “kryekomandantin” e rinumërimit të votave, Nisma nuk kalon pragun

Lidhur me pozicionet e Nismës dhe AKR-së në zgjedhjet e ardhshme, për gazetën “Bota sot” foli analisti politik, Gani Qarri.

Image
Gani Qarri

Qarri rikujtoi mënyrën se si koalicioni Nisma-AKR-PD në zgjedhjet e 6 tetorit kishin dështuar duke u bërë koalicioni më i pa votuar në vend. Ai tha se vetëm me vota ‘veresie’ dhe intervenimeve të ish-shefit të vendit (Hashim Thaçi) arriti që për një përqindje tejet të vogël, ta kaloj pragun zgjedhor.

“Duke ditur se qysh në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar, koalicioni më i pa votuar në gjithë vendin, ishte pikërisht trinomi famoz; NISMA-AKR-PD, i cili jo vetëm se mori më së paku vota në krejt Republikën e Kosovës, por me gjithë ankesat e shumta dhe rinumërimet e përsëritura disahershëm të vendvotimeve, nuk arrinte në asnjë mënyrë mbi 4.89 % apo në vetëm pak më tepër se rreth 41 mijë vota, në gjithë vendin dhe qysh atëherë, u dashtë që prapa kulisave të intervenonte, vet ish shefi i shtetit, që ti ndihmohej Nismës, nga Komisioni Zgjedhor me vota (veresie), në mënyrë që me 0,000 1 %, ta kalonte pragun, nuk do mend se AKR-në dhe Nisma-n, i pret serish po i njëjti fat, nëse jo edhe më keq, për tu shuar tërësisht si grupacione politike në vend”, deklaroi Qarri.

Ai përmendi edhe deklaratat e Fatmir Limajt i cili deklaronte se Nisma do të ishte edhe befasia e zgjedhjeve duke fituar tetë ulëse në Kuvendin e Kosovës. Qarri këtë e cilësoi si një optimizëm të pabazuar, që kalonte të gjitha caqet e mundshme.

“Madje megjithëse në zgjedhjet e kaluara, i gjithë trinomi famoz bashkë, nuk arriti ta kalonte as pragun zgjedhor, optimizmi i pabazuar i Fatmir Limajt kalonte të gjitha caqet e të mundshmes, i cili edhe pse i vetëdijshëm për dështimin total që e priste në votime, deklaronte se kinse Nisma do të dëshmohej jo vetëm si befasia e zgjedhjeve, por edhe si faktori përcaktuese i qeverisë së ardhshme, duke shkuar deri atje, sa edhe vet ditën e votimit, të shpallte apriori rezultate të formës dëshirore, se gjoja koalicioni, të cilin ai përfaqësonte, ishte pranë marrjes së 8 vendeve të deputetëve në Kuvendin e Kosovës”, theksoi Qarri.

Analisti u shpreh shumë i bindur që Nisma dhe AKR nuk do ta kalojnë pragun zgjedhor, pasi Hashim Thaçi gjendet në Hagë dhe tani nuk ka mundësi të barazohen numrat me “njoftësi” dhe “hatër”.

“Ndaj duke pasur parasysh faktin se Nisma ishte vetëm një patericë e dobët edhe e qeverisë së fundit antikushtetuese në vend, ajo që pritet të ndodhë në zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme, është moskalimi i sigurt i pragut zgjedhor sidomos tani kur kryekomandanti i barazimit të numrave me “njoftësi" dhe rregullimit të rezultatit të zgjedhjeve, për kalimin me "hatër", të pragut zgjedhor, gjendet në Hagë, përndryshe koalicioni famoz, nuk do ta kishte kaluar kurrë pragun prej 5 për qind, as herën e kaluar dhe të bëhej pjesë as e legjislaturës së shtatë”, tha Qarri.

Analisti shpreson se këtë vit “burrat” e zëshëm të Nismës të mos zhurmojnë gjatë fushatës zgjedhore si në tetorin e kaluar, sepse vetëm po shqetësojnë me britmat e tyre.

“Kështu që, le të shpresojmë se "burrat" e zëshëm të Nisma-s, të paktën kësaj radhe të mos zhurmojnë aq shumë si në fushatën parazgjedhore të tetorit të vitit të kaluar, kur gjatë gjithë kohës na shqetësonin me britma të pakontrolluara gjithandej, sikur koalicioni Nisma – AKR – PD, jo vetëm që do ta kalonte pragun zgjedhor, por madje se do të bëheshin edhe fuqi përcaktuese e formimit të qeverisë së re”, nënvizoi Qarri.

Kurse, mënyrën e vetme të mbetjes së tyre në Kuvendin Kosovës, Qarri e sheh bashkimin me ndonjë parti të madhe, duke garuar në krah të tyre, përndryshe ai paralajmëroi një dështim të madh të tyre.

“Për aq më tepër, thënë shkurt dhe troç, Nisma dhe AKR, realisht as që kanë më gjasa të bëhen pjesë e Kuvendit të ri të Kosovës, ndaj nëse këto grupacione minore partiake, vërtetë ëndërrojnë ta kalojnë pragun zgjedhor edhe një herë, duhet medoemos tu bashkohen me kohë, partive të mëdha në vend, për të garuar në krah të tyre,duke hy në koalicione parazgjedhore me to, në mënyrë që të mbesin ende në skenën aktuale politike, përndryshe do të shuhen përfundimisht si subjekte dhe do të përmenden vetëm si pjesë e të kaluarës në kronikën e partive që ekzistonin dikur në vend”, përfundoi Qarri.

Jashari: AKR, Nisma dhe PSD pa koalicione nuk mund ta kalojnë pragun e 5%

Image
Shemsi Jashari

Analisti politik, Shemsi Jashari, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka komentuar situatën politike në të cilën gjenden subjektet si AKR, Nisma, PSD para zgjedhjeve parlamentare.

Jashari deklaroi se partitë e lartpërmendura duhet gjithsesi të bëjnë koalicione parazgjedhore me ndonjë nga partitë e mëdha, përndryshe nuk do të arrijnë ta kalojnë pragun prej 5 për qind.

“Subjektet e vogla siç janë AKR, NISMA,PSD nëse duan të mbesin në skenën politike duhet të bëhen bashkë me ndonjërën parti politike të madhe përndryshe nuk do të kenë mundësi të kalojnë pragun prej 5% si kusht për të hyrë në kuvend”, theksoi Jashari.

Analisti Jashari votuesit e AKR-së dhe Nisma-s i cilësoi si votues klientelist dhe pa ideologji, të cilët janë pjesë e partive vetëm për përfitime personale. Duke analizuar situatën e tanishme, ai tha se këto e kanë vështirë të mbijetojnë, pa ndonjë koalicion parazgjedhor.

“AKR dhe NISMA kanë pak votues dhe kryesisht votues klientelist pa një ideologji e cila do ti bënte që pavarësisht përfitimeve të momentit të qëndronin me ta. Ata janë pjesë e këtyre partive për arsye të ndryshme të përfitimeve ose shpresës për përfitime. Në situatën e tanishme ku kemi një lëvizje të elektoratit dhe tri parti të mëdha nuk kanë mundësi të mbijetojnë”, deklaroi Jashari.

Tutje, ai foli edhe për situatën brenda Partisë Socialdemokrate, ku potencoi se ky subjekt nuk ka shtrirje të madhe në nivel lokal, madje edhe figurat e mëdha e kanë braktisur atë.

“Sa i përket PSD-së ajo nuk kanë arritur të jetë një subjekt i cili ka shtrirje në nivel vendi dhe përveç gabimit që bëri duke u futur në zgjedhjet e kaluara me AAK-në dhe nuk fitoi asnjë mandat, atë e kanë braktisur edhe figurat kryesore siç janë Shpend Ahmeti, Dardan Sejdiu, Visar Ymeri etj”, nënvizoi Jashari.

Në fund, ai tha se numri më i madh që këto parti mund të marrin nëse hyjnë në koalicione parazgjedhore është 1 eventualisht 2 deputetë.

“Nëse hyjnë në koalicione me subjekte të mëdha mund ta marrin nga 1 eventualisht 2 deputet si pjesë e listave me subjektet që hyjnë”, përfundoi Jashari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat