Biden i qartë në çështjen Kosovë-Serbi

Politika

Biden i qartë në çështjen Kosovë-Serbi

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 8 shkurt 2021 Në ora: 07:51
Presidenti amerikan, Joe Biden

Gjendja politike mes shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë mbetet njëra ndër temat që prek BE-në dhe Amerikën njëkohësisht.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka filluar që disa vite, mirëpo që një marrëveshje mes tyre me njohje reciproke nuk ka ndodhur dhe gjasat që të ndodhin po vazhdojnë të jenë të pakta.

Mirëpo përpjekjet për arritjen e kësaj njohje reciproke nuk po mungojnë nga Amerika, e as edhe nga BE duke kërkuar që sa më shpejt të arrihet një marrëveshje në të mirë të dy shteteve.

Gjatë ditës së diele, ishte presidenti i Amerikës, Joe Biden i cili dërgoi dy letra, njërën kryeministrit në detyrë të Kosovës, Avdullah Hotit dhe tjetrën presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, në një letër urimi presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me rastin e Ditës së Shtetësisë së Serbisë, i ka kërkuar arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi, që do të përqendrohet në njohjen reciproke.

“Duke pasur parasysh 140 vitet e partneritetit midis dy vendeve tona, SHBA-ja mbetet e përkushtuar për avancimin e bashkëpunimit ekonomik, stabilitetit rajonal dhe vlerat demokratike. Ne mbetemi të palëkundur në mbështetjen e qëllimit të Serbisë për integrimin evropian dhe ju inkurajojmë të vazhdoni të ndërmerrni hapa të vështirë për të arritur atë qëllim, përfshirë reformat e nevojshme dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Kosovën, e cila është fokusuar në njohjen reciproke“, ka shkruar Biden.

Mirëpo në lidhje me këtë letër të Biden për Vuçiqin, ky i fundit reagoi duke shtuar që  tashmë e ka shprehur atë që mendon rreth njohjes reciproke.

“Kam marrë urimet e Presidentit Biden, faleminderit për urimet. Për sa i përket njohjes reciproke, ajo nuk thuhet në asnjë akt të organizatave botërore, as në BE, as në ndonjë rezolutë. Ka pasur përpjekje për ta imponuar atë term si diçka që duhet ta kishim pranuar, si një zgjidhje përfundimtare, dhe unë tashmë u kam thënë në fytyrë se çfarë mendoj për njohjen reciproke”, tha Vuçiq,

Por në lidhje me këtë letër dhe kërkesë të Amerikës kanë reaguar liderët e vendit tonë duke falënderuar për kontributin dhe mbështetjen që Amerika po vazhdon të i jep Kosovës.

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se nga Uashingtoni po vazhdojnë të vijnë vetëm lajme të mira për shtetin e Kosovës.

Hoti ka kujtuar një deklaratë të presidentit Rugova, se “shtëpia nuk mbahet pa miq”.

“Letra e Presidentit Biden, dërguar Presidentit të Serbisë për njohjen e Kosovës, është edhe një dëshmi për lidhjen e veçante midis dy vendeve, miqësinë e përjetshme për të cilën fliste presidenti Rugova, sa herë që thoshte se shtëpia nuk mbahet pa miq”, shkruan kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti.

Kujtojmë që një letët të ngjashme për shtetin e Serbisë ka dërguar edhe ish-presidenti Trump gjatë mandatit të tij.

Voca: Biden do të përshpejtojë procesin për njohje reciproke

Image
Mirsad Voca

Doktori i shkencës dhe ligjëruesi i Gjeopolitikës në Paris, Mirsad Voca, për “Bota sot”, u shpreh që Biden nuk do të lejojë të ketë nxitje në Ballkanin perëndimor dhe këtë e bëri të qartë edhe me letrën që I drejtoi Vuçiqit..

Voca thekson që Biden duke njohur shumë mirë gjendjen me të dy shtetet e din edhe si të komunikojë me to dhe se e din shumë mirë që është vështirë të arrihet një marrëveshje e shëndoshë me shtetin e Serbisë.

“Me Z.Biden President të Shba-së, mendoj se nuk do të lejohen pambarimisht rrethana të pabalancuara me potencial destabilizues, të cilat do të krijonin nxitje konflikti në Ballkanin perëndimor.  Në letrën e tij drejtuar A. Vuçiq, presidenti Biden i’a tregon qartë dhe pa ekuivoke qëndrimin e tij për njohje reciproke. Duke qenë edhe drejtëpërdrejt i involvuar në çështjen e Kosovës dhe të Ballkanit perëndimor gjatë gjithë këtyre viteve, presidenti aktual i SHBA-së, siç pata theksuar dhe më parë, është më se i informuar se në asnjë konfigurim tjetër nuk mund të këtë marrëveshje të shëndoshë me Serbinë politikën aktuale të së cilës e njeh shumë mirë dhe di si të komunikoj me atë”, u shpreh profesori.

Njohja e Kosovës nga Serbia, do të ishte jashtëzakonisht në favor të Shtetit serb

Ndër të tjera, Voca thekson që Biden do të jetë konsistent që shteti I Serbisë të kërkoj falje për dëmet që ka shkaktuar shtetit të Kosovës. Gjithashtu njohja reciproke do të ishte një hapë I rëndësishëm pa të cilin nuk do të mund të bisedohet për çfarëdo çështje teknike si dy Shtete të pavarura.

“Presidenti J. Biden, është një prej kontribuesëve të palëkundur në realizimin dhe përforcimin institucional të Shtetit së Kosovës. Natyrisht që Z. Biden do të mbetet konsistent në atë që Serbia të kërkoj falje, ta njohë dhe ta dëmshpërblej Kosovën sepse ky President e kupton shkëlqueshëm qasjen serbe të inkurajuar nga Rusia në tërë Ballkanin perëndimor. Qëllimi i njohjes reciproke do të ishte hapi më i rëndësishëm pa të cilin nuk do të mund të bisedohet në mënyrë konstruktive dhe hapurazi për çfarëdo çështje teknike si dy Shtete të pavarura për një fqinjësi të mirë dhe afatgjate”, potencon Voca.

Ligjëruesi në Paris, në fund, thotë që njohja e shtetit të Kosovës nga shteti I Serbisë do I bëj favor vet shtetit serb sepse do të arrinte të hapë një perspektive zhvillimore dhe integruese brenda Bashkimit Evropian.

“Se kur do të kemi njohje reciproke Kosovë/Serbi, nuk mund asesi të paragjykohet, por që mund të them se me J. Biden President të Shba, gjërat do të përshpejtohen lidhur me çështje gjeostrategjike dhe ekonomike në Ballkanin perëndimor qelësi zhbllokues i të cilave gjendet tek politika aktuale serbe dhe vullneti i saj për të njohur Republikën e Kosovës Shtet të pavarur. Njohja e Kosovës nga Serbia, do të ishte jashtëzakonisht në favor të Shtetit serb, sepse duke u shkëputur nga një politikë e saj hegjemoniste dhe gjencidiale, e cila i shkaktoi asaj vetëm vuajtje dhe regres socio/ekonomik, do të hapej ndaj një perspektive zhvillimore dhe integruese brenda Bashkimit evropian”, përfundoi Voca për “Bota sot”.

Jashari: Njohja reciproke mund të marrë kohë që të ndodhë

Image
Shemsi Jashari

Njohësi i çështjeve politike, Shemsi Jashari në një bashkëbisedim me “Bota sot”, u shpreh që letra e Biden ndaj shtetit të Serbisë është një rinkonfirmim i qasjes së njejtë dhe konsistente të politikës së jashtme të departamentit të shtetit në raport me Kosovën.

Tutje, analisti thotë që ky rinkonfrimim është i mirëseardhur dhe shpresëdhënës për vendin e Kosovës mirëpo që njohje reciproke nga të dy vendet do të marrë më shumë kohë.

“Letra e presidentit të SHBA-ve, z.Biden për presidentin e Serbisë është vetëm një rikonfirmim i qasjes së njëjtë dhe konsistente të politikës së jashtme të departamentit të shtetit në raport me Kosovën, që do të thotë se SHBA pavarësisht ndryshimit të presidentëve dhe politikave të brendshme, Kosovën e trajtojnë si shtet të pavarur në kufijt ekzistues. Ky rikonfirmim është i mirëseardhur dhe shpresëdhënës se edhe administrata e re e shtëpisë së bardhë do ta ketë fokusin tek Kosova dhe se asgjë nuk ka ndryshuar. Sa i përket njohjes reciproke mes Kosovës dhe Serbisë unë nuk shoh ndonjë lëvizje pozitive dhe se kjo do të marr kohë bukur të gjatë”, potencon Jashari.

Në fund, analisti shprehët që maksimumi që mund të ndodhë mes Kosovës dhe Serbisë do të jetë një pranim në heshtje për t’i hapur rrugët anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare e të mos jetë pengesë shteti I Serbisë.

“Maksimumi që mund të ndodhë në arritjen e një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë do të jetë një pranim në heshtje për t’i hapur rrugë anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe të mos kemi pengesa nga Serbia. Sidoqoftë Kosova duhet ti kryej detyrat e veta dhe me asnjë çmim të mos i prish apo rrezikoj raportet me SHBA si partner strategjik pasi për ne është ekzistenciale mbështetja nga SHBA”, përfundoi Jashari për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat